Falemnderit kryetar,
Më vjen keq që nuk arrita të mbërrij në fillim të seancës meqenëse direkt nga Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës po vij këtu, pas kthimit nga Londra.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, të dashur qytetarë, para një jave ndodhi ajo që pak kush e priste dhe e besonte. Një shtet i pavarur e i lirë, demokratik e paqësor u sulmua nga një shtet fqinj, pa asnjë shkas e pa asnjë provokim.

23 vjet nga lufta e fundit në Evropë, e që ndodhi pikërisht në vendin tonë, lajmet e pamjet nga Ukraina tashmë i ngjajnë një tragjedie evropiane në zhvillim. Askush nuk e di me siguri se si do të zhvillohet situata ditëve në vazhdim, por ajo që e dimë nga historia është se askush nuk duhet të rrijë indiferent.
Sulmi ndaj Ukrainës është sulm mbi botën e civilizuar, është sulm mbi lirinë dhe demokracinë, mbi vlerat tona më të çmuara për të cilat gjenerata të tëra janë flijuar, pra është sulm mbi të gjithë ne.

Ukrainasit nuk e kërkuan këtë luftë, ukrainasit nuk e filluan këtë luftë por ukrainasit duhet të luftojnë, sepse ashtu siç lexonte në parullën e një protestueseje; “nëse Ukraina ndalon së luftuari nuk do të ketë Ukrainë”.

Arsyeja pse qeveria jonë, ky parlament dhe secili qytetar i yni solidarizohet me Ukrainën dhe me qytetarët e saj është se në luftën e tyre për liri ne shohim veten tonë; në radhët e gjata të qytetarëve të dëbuar na rikthehet ankthi i dëbimit masiv të qytetarëve tanë. E në ato imazhe të dhunës e të vrasjeve na kthehen traumat e luftës e na dhëmbin plagët të cilat ende nuk janë shëruar.
Ne jemi popull paqedashës e liridashës, prandaj edhe e gjejmë vetën edhe në heroizmin e tyre për të luftuar për lirinë dhe vendin e tyre, sepse ne njohim mirë çmimin e lartë të lirisë.

Lexo po ashtu:  Dëshmon Anton Quni: Serbia përdori helm kimik kundër UÇK-së: - Kam shku në luftë i shëndoshë, helmet kimike ma dëmtuan fytyrën

Ne kemi dënuar dhe dënojmë fuqishëm agresionin rus. Protagonisti i kësaj lufte të tmerrshme beson në ringjalljen e një perandorie të vdekur. Ai nuk përfaqëson ideologji, kauzë apo lëvizje progresiste. Ai është thjeshtë produkt i një sistemi thellësisht të korruptuar që ka prodhuar një autokrat të zemëruar për të tashmen e nostalgjik për të kaluarën.

Tepër shumë pushtet, për tepër gjatë kohë, që bie në kurrizin edhe të popullit të vetë por dhe të fqinjëve të shtetit të tij.

Ne e dënojmë edhe mos-dënimin e agresionit rus nga fqinji ynë verior Serbia dhe mos-vënien e sanksioneve. Pozicioni “edhe edhe” duke tentuar të luaj qendrën e dyfishtë, edhe me Moskën edhe me Brukselin, edhe me Uashingtonin edhe me Pekinin, është pozicion edhe me autokracinë edhe me demokracinë.
Por ndaj agresionit të Rusisë e pushtimit të Ukrainës nuk mund të ketë neutralitet për vende kandidate për anëtarësim në Bashkim Evropian kur i gjithë Bashkimi Evropian e dënon dhe e sanksionon fuqishëm.

Pra qartazi dhe të vendosur, secili duhet ta dënoj invazionin rus dhe agresionin ushtarak.
Si kurrë më parë njerëzimi sot posedon mjetet për të shkatërruar vetveten. Prandaj ajo që po rrezikohet sot nuk është thjeshtë vetëm se e drejta e një shteti për të jetuar sipas zgjedhjeve të lira, në rrezik është e gjithë arkitektura e sigurisë e krijuar pas dy luftërave botërore për të ruajtur paqen në Evropë që përfshinë Kombet e Bashkuara dhe mekanizmat për të qeverisur zhvillimin e luftës; traktatet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, parandalimin e gjenocidit dhe kufizimin e armëve të rrezikshme. Në rrezik është rendi i një bote të qytetëruar, e nëse bota nuk vepron e bashkuar, në rrezik është e ardhmja jonë, e të gjithë neve, e ardhmja e përbashkët e secilit prej nesh.

Lexo po ashtu:  Kurti në “The Guardian”: Deklarata e Blinken, e padrejtë, e gabuar, lënduese dhe naive

Tashmë e kemi nxjerrë mësimin nga historia se ledhatimi i autokratëve nuk i bën ata demokratë por i shndërron në diktatorë, në despot, në totalitar. Historia na mëson po ashtu se viktimat e para të agresionit janë pikërisht fqinjët e shtetit të diktaturës. Duke ditur këtë fakt ka kohë që ne kemi ngritur alarmin për fqinjin tonë agresiv i cili nuk është penduar për krimet e kaluara, mohon gjenocidin, masakrat e spastrimin etnik dhe i glorifikon kriminelët e luftës. Nuk na duhet asnjë provë më shumë për të ditur se çfarë do të sjellë një rrugë e tillë.

Ne tashmë kemi dënuar ashpër sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës; kemi miratuar sanksionet duke ju bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian; kemi marrë vendimin që të pranojmë 20 gazetarë nga Ukraina në mënyrë që edhe t’u ofrojmë strehim e siguri por edhe kushte për punë, dhe sot së bashku po miratojmë këtë rezolutë në institucionin më të lartë të Republikës sonë për të dënuar agresionin rus.
Në përputhje me realitetin e ri, ne kemi ngritur mobilizimin dhe kemi shtuar kujdesin, e së fundmi kemi themeluar Fondin e Sigurisë, me ç’rast ftoj të gjithë qytetarët tanë kudo që janë që të kontribuojnë me aq sa munden.

Ne mirëpresim angazhimin e shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, të shprehur me caktimin e përfaqësuesve e emisarëve të tyre special. Ky angazhim i shtuar duhet të shoqërohet me veprime konkrete mbi bazën e realitetit e të vërtetës.
U bëjmë thirrje 5 shteteve mos-njohëse brenda Bashkimit Evropian, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros, që të njohin këtë realitet e të vërtetë, duke njohur urgjentisht pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të mos lejohet përdorimi i preteksteve false dhe analogjive të paqëndrueshme për të nxitur ndarje e konflikte në Evropë.

Lexo po ashtu:  Terrorizmi serb në Republikën e Kosovës: 9 zolla, 1 predhë e minahedhësit, granata, thika ushtarake e koktej molotovi – drejtori i Policisë tregon në detaje se çka konfiskuan

Pavarësia e Kosovës është një rast që merr parasysh padrejtësinë shekullore, okupimin, luftën dhe gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë; është në përputhje me të drejtën e popullit tonë për vetëvendosje, dhe – siç është vulosur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë – në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në dritën e këtij agresioni, duhet kuptuar se mos njohja e pavarësisë së Kosovës përbën cenim për sigurinë e kontinentit evropian.

Vitin e kaluar bëmë të ditur se ne do të aplikojmë për anëtarësim këtë vit për Bashkimin Evropian. Këtë proces do ta përshpejtojmë, njëjtë siç do të përshpejtojmë aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar. Njëkohësisht do të kërkojmë që Kosova të bëhet sa më shpejtë anëtare e NATO-s duke filluar së pari me Partneritetin për Paqe.

Le të mos dështojmë të shohim qartë e të flasim me një zë, të udhëhiqemi nga arsyeja dhe interesi shtetëror e kombëtar. Vendimet e veprimet tona le të jenë ato që rrisin unitetin tonë për brenda dhe fuqizojnë shtetin tonë jashtë.
I falënderoj iniciatorët dhe gjithashtu të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës për këtë frymë të përbashkët në dënimin e invazionit rus, të agresionit ushtarak dhe në shprehjen e respektit, admirimit dhe solidaritetit me popullin e Ukrainës luftën e tij çlirimtare.
Ju falemnderit.

https://www.facebook.com/watch/?v=218024890498929

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *