Ripërcaktimet më të rëndësishme territoriale pas Luftës së Madhe ndodhën në ish Perandorinë Osmane. Nga Iraku në Palestinë, akoma sot na duhet të përballemi me vendimet e marra nga fuqitë europiane një shekull më parë

Një prej pasojave më të rëndësishme të Luftës së Madhe qe ripërunimi i kufijve gjeopolitikë në dritën e shpërbërjes së institucioneve të lashta perandorake. Mbijetesa e këtyre entiteteve territoriale ishte kompromentuar ndjeshëm nga “pranvera e popujve” dhe nga forcat centrifuge që kishin përflakur kontinentin europian qysh nga mesi i ‘800. Lufta dhe humbja ushtarake i dekretuan kolapsin. Përtej axhustimeve territorial të Mitteleuropës, ripërcaktimet më të rëndësishme dhe të konsiderueshme të kufijve ndodhën në Europën Lindore, në zonën e ish perandorisë Habsburgase, të Rusisë cariste, e përmbysur në 1917, dhe sidomos në Lindje të Mesme, mbi gërmadhat e “sëmurit të madh” të ndjerë, Perandorisë Osmane. Prania e një entiteti historik si “Porta e Lartë” kishte penguar, sidomos gjatë shekullit të XIX-të, kolonizimin e plotë e Lindjes së Afërme e të Mesme. Rënia e saj u mundësoi fuqive të Kontinentit të Vjetër që ta shtrinin influencën e tyre në këto zona me interes strategjik duke future “shpikjen e shteteve”. Iraku, Izraeli, Jordania, Libani, Siria, Kuvajti dhe Arabia Saudite qenë entitete shtetërore të krijuara ad hoc nga Franca dhe Britania e Madhe nëpërmjet “sistemit të mandateve” të dhënë nga Lidhja e Kombeve.

Kufijtë e rinj, të përcaktuar arbitrarisht, prekën rrezikshëm telat e fesë dhe të etnisë të popullsive të ndryshme të përfshira, duke shkaktuar dinamika të rrezikshme akoma sot para syve të të gjithë botës. Kontrolli i rrugëve të komunikacionit, monopoli i tregëtisë dhe më pas shfrytëzimi i rezervave petrolifere qenë interesat dominuese që udhëhoqën vendet europiane në vendosjen, qysh përpara përfundimit të Luftës së Madhe, e rregullimit të ri territorial të zonave pasosmane. Për të garantuar supremacinë europiane ishte e nevojshme të zbaothej motoja e vjetër divide et impera: të përçaheshin shoqëritë dominuese, të copëzoheshin dhe të zyteshin pakicat (parasëgjithash ajo kurde) kundër rivendikimeve arabe. Midis entiteteve të reja, siç u cek më sipër, Kuvajti, për të frenuar zgjerimin iraken në juglindje dhe kufizuar me një copë tokë daljen në Gjirin Persik; Libani, për të dobësuar Sirinë; Transjordania, për të shmangur zgjerimin eventual në lindje të Izraelit të ardhshëm. Kështu, në Lindje të Mesme përmbysjet epokale e sjella nga Lufta e Madhe qenë ka mundësi shumë më të thëlla dhe më jetëgjata se ato të konfliktit të dytë botëror.

Me mbarimin e Luftës së Madhe, Traktati i Sèvres i 10 gushtit 1920 i përcaktoi më tej kufijtë e Lindjes së Mesme, tashmë të modifikuara nga lufta italo – turke (1911-12), nga ato ballkanike (1912 – 1913) dhe nga oaqet respective, duke e ndryshuar rrënjësisht fizionominë gjeopolitike të zonës. Turqia hiqte dorë nga çdo pretendim sovraniteti ndaj Egjiptit, Qipros (duke konfirmuar sovranitetin britanik) dhe mbi ishujt e Dodekanezit, që njiheshin zyrtarisht si territor italian pas 8 vitesh pushtim. Veç kësaj, Porta e Lartë u akordonte pavarësi vendeve arabe të tilla si Hixhazi, Negdi, Asiri, Jemeni, Siria Palestina, Transjordania dhe Iraku. Humbiste çdo territory europian përjashto Konstandinopojën dhe Bririn e Artë; përveç Thrakës dhe ishujve të Imbrit dhe Tenodit, i cedonte Greqisë administrimin e një pjesë të Anadollit Perëndimor midis Gjirit të Adramitit dhe ati të Skalanovës me qytetin e Smirnes; njihte pavarësinë e Armenisë në vilajetet e Erzerumit, Trebizondës, Bitrlisit dhe Vanit; i jepte autonominë Kurdistanit. Anadolli jugperëndimor konsiderohet zonë e influencës italiane, ndërsa ajo juglindore i caktohet asaj të Francës, që shtrinte në këtë mënyrë pushtimin e Sirisë deri në Vargmalin Taurus, përfshi qytetin e Cilicisë.

Brigjet e Detit të Marmarasë, Bosforit e Dardaneleve dhe ishujt e Samoktrakisë, Imbrit, Lemnos, Tenedos dhe Mitilenës në Egje qenë çmilitarizuar dhe nënshtruar mbikëqyrjes së Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Ndërsa qeveria sulltanore nënshkruante Traktatin e Sèvres, Gjenerali Mustafà Kemal mblidhte forcat e mbijetuara të kombit turk duke planifikuar luftës për pavarësi. Objektivi nuk ishte restaurimi i Perandorisë Osmane, por krijimi i një shteti të ri kombëtar turk. U shpartallua regjimi autonom i Armenisë; Armenia ruse cedoi distriktet e Karsit, Ardahanit dhe Artvinit (cedim që do të njihej nga Rusia sovjetike në paqen e Moskës me 16 mars të 1921). Me 10 shtator 1922, në kuadrin e luftës greko – turke (1919 – 1922), trupat turke ripushtuan Smirnen.

Lexo po ashtu:  Nga Rothschildët tek Medicit, nga Khanët tek Habsburgët: Ja familjet më të fuqishme të historisë

Në fund të konfliktit, Traktati i Lozanës (24 korrik 1923) anullonte atë të Sèvres: Turqia rikuperonte zonat e Smirnes, Thrakisë deri në lumin Maritza dhe ishujt Imbër e Tenedo; demilitarizimi – megjithatë i besuar qeverisë turke – kufizohej në brigjet e Ngushticave dhe me ishujt me të afërta me to. Me 2 nëntor 1922, i shpallur i rënë Sulltanati, Konstandinopoja humbi rangun e kryeqytetit në favor të Ankarasë (tashmë seli e Asamblesë Kombëtare), shtyllë e re e Republikës zyrtarisht e shpallur me 31 tetor 1923. Me 20 korrik 1936 Konventa e Montreux do ta njihte sovranitetin e plotë turk mbi zonën e Ngushticave, duke i ceduar edhe të drejtat që të mund t’i fortifikonte. Vetëm në përfundim të periudhës midis luftërave, me 23 qershor 1939, Franca do t’i cedonte Turqisë territorin e Sanxhakatit të Aleksandrisë, që ishte pjesë e mandatit sirian.

Siria dhe Libani

Masakrat antikristiane e fundit të ‘800 nxitën ndërhyrjen ushtarake franceze, e finalizuar në mbrojtjen dhe në sigurinë e besimtarëve. Fuqia europiane pretendonte veç të tjerash nga Perandoria Osmane krijimin e një province speciale, “Libanit të Vogël”, e qeverisur nga një kristian i emëruar drejtpërsëdrejti nga Sulltani me pëlqimin e fuqive perëndimore. Kur në 1920 shpërtheu revolta arabe që shpalli pavarësinë e Sirisë nën egjidën e Emirit Faisal, trupat e Parisit ndërhynë sërish, duke e pushtuar vendin. Disa më pas, Franca i paraqiti Lidhjes së Kombeve planin për ndarjen e rajonit. Nën emrin Siri apo të “Shtetit të Levantit” u bashkuan vilajetet turke të Alepit, Bejrutit, Damaskut dhe Deir el-Zor. Të shkëputur nga Turqia në 1918, këto territore në Konferencën e San Remo (25 prill 1920) ju caktuan në mandat Francës. Vendi u nda në 4 shtete të bashkuar në federatë: Shteti i Damaskut, Shteti i Alepit, Libani dhe Shteti i Alavitëve; këtyre ju shtua në 1921 edhe Gebeli Druz. Më 1 janar të 1925, Damasku dhe Alepi u inkorporuan në një shtet unik të Sirisë (kryeqytet Damasku), nga i cili varej Sanxhakati autonom i Aleksandrisë, ndërsa territoret e alavitëve (ose të Latakia – Laodikeas) dhe të Gebelit Druz u krijuan qeveri autonome deri më 9 shtator 1926, kur u inkoporuan në Siri. Më 2 shtator 1938 në Sanxhakatin e Aleksandrisë u krijua Republika Autonome e Hatait, në bazë të një marrëveshjeje franko – turke. Më 23 qershor 1939, Franca ia cedoi territorin Turqisë. Italia, si fuqi mandatare, paraqiti një protest formale me 10 korrik 1939. Rajoni u pushtua në mënyrë të përbashkët nga forcat britanike dhe franceze deri në pavarësinë siriane dhe libaneze të vitit 1946.

Palestina dhe Transjordania

Pas 400 vjetësh dominim Osman, ndarja e rajonit u planifikua nga Franca dhe Anglia me marrëveshjen sekrete Sykes – Picot (16 maj 1916) që ndante zonën e ndodhur midis Sirisë e Irakut në zona të ndryshme influence. Forcat ushtarake britanike pushtuan Palestinën më 1917. Tri vite më vonë, Konferenca e Romës ia atribuoi zyrtarisht mandatin Londrës, i konfirmuar nga Lidhja e Kombeve më 24 korrik 1922. Me Deklaratën Balfour të 2 nëntorit 1917 qeveria britanike impenjohej që të ndërtonte në Palestinë një qendër kombëtare hebraike që do të mund të mirëpriste hebrenjtë e rajonit dhe ata që, për shkak të diasporës, gjendeshin në vende të tjera. Çështja u debatua shumë dhe pikërisht për këtë motiv britanikët nuk e përmendën në mënyrë eksplicite formimin e një “shteti hebraik”, por preferuan të përdorin termin ambig national home që do të ruante edhe të drejtat civile e fetare të komuniteteve johebraike të Palestinës. Një valë e madhe emigruese e hebrenjve u regjistrua duke filluar nga mesi i shekullit të XIX-të. Vendbanimet e pare u asimiluan nga komponenti arab dhe shoqëria që u krijua karakterizohej nga një shkallë e lartë multikulturaliteti. Fluksi emigrues hebre u inkurajua nga latifondistët arabë, që duke shitur tokat e tyre akumuluan një sasi të madhe paraje kesh – jo e riinvestuar. Blerja gjithnjë e më e madhe e tokave nga ana hebraike shkaktoi preokupimet e para të punëtorë palestinezë që përbënin pjesën më të madhe të popullsisë. Britania e Madhe propozoi lindjen e Komitetit Ekzekutiv Arab, një organizatë e ruajtjes së interesave të bujqëve arabë, si kristianë, ashtu edhe myslimanë, por palestinezët u kundërvunë. Shpërthenin kështu trazirat e para. Qenë shenjat fillestare e konfliktit tragjik e të pambarimtë arabo – palestinez, radikalizimi i të cilit do të ndodhte sidomos në vijim të arritjes së komponentit Ashkenazi, të çimpenjimit të plotë britanik (1947) dhe të lindjes së shtetit të Izraelit (1948).

Lexo po ashtu:  Zagarët e Tiranit - At Zef Pllumi- Rrno vetëm për me tregue.

Ashkenazitët perëndimorë vinin nga Gjermania, ata lindorë nga Polonia, Bjellorusia, Ukraina, Rusia, Kaukazi dhe Shtetet e Bashkuara. Për shkak të Rezolutës Nr. 181 të vitit 1947 – që parashikonte ndarjen e territorit të kontestuar midis një shteti palestinez, një shteti hebraik dhe një zone të tretë që përfshinte Jeruzalemin nën administrimin e Kombeve të Bashkuara – në brendësi të shtetit arab do të jetonte 1% e popullsisë hebraike dhe në brendësi të shtetit jebraik 45% e popullsisë arabe. Përqindja në zonën ndërkombëtare ishte më e ekuilibruar: 51% me arabë dhe 49% me hebrenj.

Në total në zonën e kontestuar ishte 67% me popullsi arabe dhe 33% me popullsi hebraike. Për të shmangur trazira dhe raprezalje, ishte përcaktuar që të inkoporoheshin të gjitha zona në të cilat sasia e kolonëve ishte e konsiderueshme pavarësisht se këta gjithësesi qenë në minorancë. Veç kësaj, shtoheshin zona të gjëra shkretëtire akoma të pabanuara në të cilat do të vendoseshin kolonët e shumtë hebrenj të ardhur nga Europa. Sipas parashikimeve, të mbijetuarit e persekutimeve naziste do t’i jepnin jetë një emigraimi masiv. Ndërsa Agjencia Hebraike, megjithëse me ndonjë dyshim, e pranonte rezolutën e Kombeve të Bashkuara, grupet më ekstremiste si Irgun dhe Banda Stern refuzonin – në bazë të konceptit të Izraelit të Madh – vetë ekzistencën e një shteti arab. Argumentime të ngjashme, por me kahje të kundërt për palën radikale arane. Disa grupe mohonin ekzistencën e një shteti hebraik, të tjerë ankoheshin për mungesën e vijueshmërisë territoriale. Grupe paraushtarake sioniste dhe arabe nisën të veprojnë kundër vendimit të Kombeve të Bashkuara dhe i gjithë rajoni u zhyt në në kaos, i thelluar më tej ky nga tërheqja ushtarake britanike.

Në vitin 1950 Parlamenti izraelian [Knesset] do të miratonte Ligjin e Kthimit duke konfirmuar të drejtën e çdo hebreu për t’u vendosur në mënyrë të përhershme në vend. 2 vite më pas do të miratohej ligji që u jepte emigrantëve të drejtën e menjëhershme të shtetësisë. Dimensioned dhe natyra e popullsisë qenë në ndryshim të vazhdueshëm. Pas valës së madhe migratore nga Europa, në vitet ‘50 u reduktua tendenca e të ardhurve të rinj. Për shembull, emigrimi nga Bashkimi Sovjetik ishte shumë i vështirë për shkak të armiqësisë së Stalinit ndaj shtetit të ri të Izraelit. Nga Lindja europiane arritën vetëm 300000 njerëz. Trendi emigrues u reduktua edhe për sa u përket Shteteve të Bashkuara, grupi më i madh i diasporës i të cilave nuk ishte kushedi se çfarë i interesuar të emigronte. Në fakt, prej tij erdhën vetëm 1900 persona. Kështu, për ardhjes së konsiderueshme të hebrenjve nga Europa, komponenti tjetër i madh erdhi kryesisht nga Lindja e Mesme (232583), nga Afrika Veriore (92510) dhe, nga fundi i viteve ’50, do të çonte në ndryshimin progresiv e popullsisë izraeliane. Kjo pjesë minoritare (8% përpara holokaustit) u bë shumë shpejt mazhorancë, edhe pse me pak, e popullsisë hebraike izraeliane. Për sa i përket Transjordanisë (apo Jordanisë), gjatë konfliktit të parë botëror tribùtë nomade të shkretëtirës u rebeluan si të gjithë arabët e Lindjes së Mesme me shtytjen britanike kundër dominimit turk. E bashkuar fillimisht me Palestinën nën mandatin anglez, rajoni u shkëput me 25 maj të 1923 dhe, në tetorin e 1925, siguroi edhe aneksimin e territorit të Maan dhe të portit të Aqaba – të cilit ju kundërvu Arabia Saudite. Në 1946 u njoh pavarësia totale dhe Abdullah u vetëshpall Mbret i Mbretërisë Hashemite të Transjordanisë.

Iraku

Vilajetet e Basorës, Bagdadit dhe Mosulit, të skëputur nga Perandoria Osmane në 1918 dhe të pushtuar nga forcat ushtarake angleze, u bashkuan në një shtet të vetëm arab në zonën mesopotamike, që përfshinte rrjedhën e mesme dhe të poshtme të lumenjve Tigër dhe Eufrat, e cila u quajt Irak, emër që fillimisht përfshinte vetëm territorin e përfshirë midis Bagdadit dhe Gjirit Persik. I caktuar si mandat i Anglisë (2 mard 1921), shteti do të bëhej mbretëri me 23 gusht 1921. Në very, për të caktuar kufijtë e rinj me Turqinë u zgjodh kufiri administrative që kishte ndarë Vilajetin e Mosulit nga provincat e tjera osmane. Ky caktim u kontestua nga Turqia që rivendikonte territorin e banuar kryesisht nga kurdë. Kontestimi u zgjidh me 5 korrik 1926, kur marrëveshja e Ankarasë refuzoi instancat turke duke ia caktuar përfundimisht territorin Irakut. Për sa i përket caktimit të zonave të tjera, në lindje, nga ana iraniane, u ndoq kufiri historik midis Perandorisë Osmane dhe Perandorisë Persiane; në jugperëndim, me Negedin (Arabi Saudite) kufiri u caktua në mënyrë arbitrare për të kufizuar daljen në det e shtetit të ri. Midis dy shteteve u la një territor neutral prej rreth 5000 kilometrash katrore, i pasur me puse të frekuentuar me barazi të drejtash nga barinjtë nomadë e të dy vendeve. Popullsia irakene, e përbërë nga kurë, turkmenë, myslimanë sunitë e shiitë, u rebelua kundër administratës së Londrës dhe në fillimin e viteve ’20 Britania e Madhe vendosi në favor të lindjes së një shteti të vetëqeverisur. Siç u tha më lart, në 1921, u krijua monarkia kushtetuese e udhëhequr nga hashemiti Fysal, vëllai i Emirit transjordanez Abdallah. Më 30 qershor 1930, me Traktatin Anglo – Iraken, Londra i dha pavarësinë e plotë Irakut, që hyri në Lidhjen e Kombeve më 3 tetor 1932. Kështu, Anglia hiqte dorë formalisht nga mandate, por midis dy vendeve u nënshkrua një pakt miqësie dhe aleance që gjithësesi e detyronte Irakun në politikën britanike dhe siguronte interesat ekonomike të Londrës në zonë.

Lexo po ashtu:  Gjenerata e artë e shkrimtarëve prej mangëve të tijë ka dalë. Esat Mekuli, emri më i fuqishëm i kulturës dhe shkencës shqiptare në Kosovë. Zoti ka me na vra nëse...

Nxjerrja e naftës nga vendburimet irakene filloi menjëherë pas Luftës së Madhe dhe zonat më të rëndësishme të përfshira në shfrytëzim qenë tre: Khanaqin (puse Naftkhanah), Mosul dhe Kirkuk, një prej lokaliteteve më të rëndësishëm për pasurinë dhe për cilësinë e produktit. Natyrisht që nxjerrja ishte tejet e kufizuar dhe në periudhën midis luftërave nuk i kalonte 120000 tonelatat, ndërsa një rritje e konsiderueshme u regjistrua në fundin e viteve ‘30 me inaugurimin e naftësjellësve lidhës midis Kirkuk dhe porteve të Mesdheut për të cilin Britania e Madhe dhe Franca hynë në konkurrencë. Pavarësisht pavarësisë formale, britanikët arrinin ta drejtonin politikën e vendit. Shiitët u përjashtuan nga nyjet komanduese në favor të komponentit sunit. Baza sociale e Irakut ishte jashtëzakonisht e paqëndrueshme: konfliktit midis shiitëve dhe sunitëve i shtoheshin, në veri, presionet gjithnjë e më këmbëngulëse kurde për njohjen e identitetit kombëtar. Dobësisë kronike të qeverisë irakene, nga mesi i viteve ’30 ju shtuan grushtet e ndryshme të shtetit që megjithatë nuk e minuan lidershipin britanik. Vetëm në vitin 1941, ngjitja e nacionalistit dhe panarabit Rashid Alì al-Gaylani e afroi Irakun me Italinë mussoliniane dhe me Gjermaninë naziste, por pas një fushatë ushtarake të shkurtër dhe intensive, Londra rivendosi kontrollin e saj.

Gadishulli Arabik

Shtetet dhe posedimet e Gadishullit qenë:

– Arabia Saudite, rezultuese nga bashkimi i Sulltanatit të Negedit dhe i Mbretërisë së Hixhazit në personin e Ibn Saud, me 11 janar 1926. Arabisë Saudite i ishte aneksuar edhe Emirati i Asirit;

– Jemeni, imamat arab i pavarur;

– Adeni, koloni dhe protektorat britanik, që përfshinte posedimin e Adenit, ishullin Perim në ekstremitetin jugperëndimor, Protektoratin e “9 Distrikteve”, i kontestuar nga Jemeni dhe nga viti 1933 Hadramauti mbi të cilin Britania e Madhe shtriu protektoratin me një akt unilateral;

– Një seri emiratesh e sulltanatesh përgjatë bregut arabik të gjirit të Omanit e Persik, të gjithë të nënshtruar ndaj Perandorisë Britanike, midis të cilëve: Sulltanati i Maskatit dhe Imamati i Omanit; 6 sulltanate të vogla të Bregut të Piratëve (territor që shtrihet nga Katari aktual në gadishullin Musandam); emiratet El-Qatar dhe El-Bahrein, posedimi i të cilit rivendikohej nga Persia; dhe Sulltanati i Kuvajtit.

– Së fundi ishujt Kuria Muria, që pas Luftës së Parë Botërore ju caktuan Indisë nga autoritetet britanike. Pas Luftës së Madhe, Londra konsideroi se arqipelagu i përkiste Indisë.

(nga Limes)

Përgatiti: Armin Tirana

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *