Kufomat politike që po sëmurin një shtet foshnjë

Nga Akri Çipa

Teksa gjithë kontinenti europian dhe më gjerë gjendet përpara një sfide të paprecedentë dhe një gjendjeje alarmi për pandeminë COVID-19, fati i qeverisë së Kosovës është në udhëkryq. Situata surreale e krijuar përbën një shembull zhgënjyes të pragmaticitetit politik që përmbys një qeveri legjitime dhe vetë instituticionin e votës së lirë, nëpërmjet së cilës ajo u zgjodh. Por, edhe më rrezikshëm akoma, këto veprime të ndërmarra nga aktorët politikë vijnë me kosto të shumëfishuar në kushtet e paqartësisë së madhe për atë çfarë do të ndodhë në vijim.

Mocioni i mosbesimit, kërkuar nga LDK, do të sillte detyrimisht rrëzimin e një qeverie tejet jetëshkurtër, por do të fuste edhe të gjithë shtetin në një terren të pasigurt. Ndryshimi radikal i jetës së përditshme të qytetarëve si pasojë e vazhdës së masave të jashtëzakonshme të ndërmarra kundrejt koronavirusit, e bën edhe më të pavolitshëm konfliktualitetin aktual politik. Në vend që të kishte një koordinim më të madh përballë një armiku të përbashkët që kërcënon shëndetin publik, klasa politike e Kosovës është ngërthyer në një lojë shkatërruese për përgjegjësinë politike dhe institucionale.

Lexo po ashtu:  Serbia që nuk ndryshoj kurrë/ 1913 – “Pas masakrimit serbët pinin verë dhe këndonin. Gratë shqiptare përdhunoheshin, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla - Shtatzënave u çahej barku dhe ..."

Gjasat janë që përshkallëzimi i situatës politike të jetë materializuar pikërisht në këtë moment delikat për të shmangur organizimet dhe protestat e mundshme kundërshtuese. Por, këto lloj llogaritjesh duhen riparë. Në kushtet kur është e pamundur për të mbajtur zgjedhje të reja, një qeveri e dalë me marrëveshje dhe pa legjitimitet zgjedhor do të sillte destabilizim dhe humbje të besueshmërisë së autoriteteve shtetërore, në një moment kur besimi është element jetik.

Pavarësisht mëtimeve për të paraqitur një qeveri teknike ose stabiliteti si mundësi për tejkalimin e situatës, faktet janë kokëforta. Dhe këto fakte parathonë që shteti i Kosovës do të mbetet në mëshirën e entiteteve politike të cilat, edhe në kushtet e mungesës së mandatit elektoral dhe përballjes së munguar me votuesin, mbajnë të centralizuar vendim-marrjen. Kjo partitokraci e shëmtuar tregon se si zhvlerësohet procesi elektoral dhe vota e lirë. Përballja kryesore e një politikani është me votuesin dhe pesha në skenën politike duhet të jetë proporcionale me aftësinë për të marrë votëbesimin e elektoratit. Kur vendimmarrja mbetet në duart e politikanëve të cilët e kanë të munguar këtë votëbesim, pikëpyetjet për llogari-dhënien dhe mbajtjen e përgjegjësisë janë të mëdha.

Lexo po ashtu:  Parashikimi profetik i Dostoyevskit për fundërrinat e tranzicionit!

Justifikimet e përshkallëzimit të situatës, duke ia atribuar atë edhe aktivitetit të diplomatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, kalojnë në plan të dytë demokracinë e vetë vendit. Për më tepër, kjo bëhet edhe në një moment kur ka një pasiguri të madhe edhe në skenën ndërkombëtare. Gjasat reale ekzistojnë, që të ketë ndryshime të rëndësishme politike në vendet partnere brenda muajve të ardhshëm dhe anashkalimi i partneriteteve zyrtare për hir të kanaleve dytësore cënon kredibilitetin e Kosovës dhe rrezikon të vijë e shoqëruar me pasoja afatgjata.

Fati i qeverisë aktuale (kjo e fundit e lindur mes njëmijë dyshimesh pasigurish as dy muaj më pare), ishte parashkruar që tek zvarritja që iu bë në mënyrë të tejzgjatur bisedimeve ndërmjet atyre që do të përfundonin si partnerë në qeverisje. Akuzat dhe mungesa e besimit që u vërejt gjatë asaj peiudhe ndërmjet palëve ishte një paralajmërim ogurzi për bashkëqeverisjen e tyre. Por, përtej provokimeve dhe fërkimeve që e kanë karakterizuar dialogun paszgjedhor si dhe dy muajt e fundit, bashkëqeverisja jetëshkurtër ka treguar se ekzistojnë mundësitë dhe elementët e bashkëveprimit. Tejkalimi i dasive duhet të ishte një mision shtetformues, sikurse u premtua dhe jo një tjetër lojë politike, sikurse po rezulton.

Lexo po ashtu:  “Mendjemadhi niset me kalë, kthehet me këmbë.”

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, zonja Viola von Cramon, theksoi se procedimi i mocionit të mosbesimit do të ketë pasojat jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën në rradhë të parë, por, më gjerë, edhe për gjithë rajonin. Zhvlerësimi i demokracisë së Kosovës bëhet, në këtë mënyrë, edhe më e rrezikshme dhe ngjan si një bast i mirëfilltë, më shumë se sa një veprim i përgjegjshëm dhe burrështetësish. Një bast që duket edhe më irracional në kushtet e sfidave të shumta të jashtme me të cilat përballet vendi.

Teksa nevoja primare për të gjithë është garantimi i sigurisë shëndetësore të qytetarëve dhe mbajtja në lëvizje e një ekonomi të brishtë dhe që rrezikon kolapsin, tentativat për politizim dhe për të fituar kapital politik janë zbehur edhe në Tiranën tejet konfliktuale. Është e pashmangshme ngritja e pyetjes së kujt i intereson një tjetër rënie qeverie në Kosovë. Situata alarmante dhe dëmi i menjëhershëm i shkaktuar, bashkë me ndërprerjen e përsëritur të një mandati qeverisës, e bëjnë veprimin aktual shumë më tepër se një taktikë ose aventurë e thjeshtë politike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *