Po diskutohet prej dy ditësh mënyra sesi u arrestua ish-presidenti i Republikës Ilir Meta. Pati edhe një reagim të ministrit të Brendshëm Hoxha që mbronte mënyrën e ekzekutimit të një vendimi të prokurorisë. 

Akti i policisë mund të japë disa mesazhe mes të cilëve edhe ai që po celebrohet më shumë: poshtërimi i Ilir Metës që ka luajtur me imazhin e kapedanit që nuk preket me dorë. Dhe këtu mësimi është se askush nuk është i paprekshëm. 

Ne tani kuptojmë se Ilir Meta u çmend për t’u budallallepsur ndërkohë që po ecte në rrugë qorre. Çështja megjithatë është se gëzimi për eliminimin politik të tij duke asgjësuar atunë e paprekshmërisë ka diçka shumë perverse. Sepse ata që sot akuzojnë dhe bëjnë moral kanë qenë shërbyes të tij. Morën gurin ta qëllojnë dikë që duhet të ishte me kohë në burg ose para drejtësisë. 

Jo vetëm kaq. Gazetarë që po shpallin me gëzim rënien e një të korruptuari, janë vetë të tillë. Madje janê ndër ata që i kanë dalë në rrugë vendit. Me vila, me pagesa të padeklaruara nga ente publike në formën e publicitetit, me makina të shtrenjta, pushime të paguara dhe mani për luks që nuk përkon as me të ardhurat dhe as me etikë  e profesionit.

Lexo po ashtu:  Rama ‘godet’ Kurtin në BBC: SHBA dhe BE kanë të drejtë, Albini tërësisht i gabuar

Shërbëtorë të bindur të çdo borderoje, me familjarë të rregulluar përmes flirtit me pushtetin. Që duhen hetuar po kaq sa Ilir Meta. Askush nuk do flasë për lirinë e shprehjes sepse ajo ka kohë që është një procedurë gjobvënieje. Të gjithë kanë marrë lekë nga Ilir Meta dhe kanë ndërruar pronarin.