Historianët nuk e dinë se kush e ndërtoi kopshtin e parë zoologjik në botë, apo kur u ndërtuaai. Por e sigurt është se kjo ka ndodhur shumë kohë më parë. Magjepsja e njeriut me kafshët është e vjetër aq sa edhe vetë njerëzimi. Në pikturat më të vjetra të zbuluara nëpër shpella, disa prej të cilëve janë deri në 40.000 vite të vjetra, ka më shumë imazhe kafshësh sesa njerëzish.
Gërmimet arkeologjike në qytetin e lashtë egjiptian Nekhen, kanë zbuluar godina që datojnë rreth vitit 3500 Para Krishtit, dhe që përmbajnë eshtrat e hipopotamëve, majmunëve babuinë dhe elefantëve të mbajtur nën zinxhirë. Këto kafshë nuk jetonin zakonisht në Egjipt.
Ndaj jeta për to nuk do të ketë qenë e lehtë. Ato kanë pasur me gjasë një jetë shumë të shkurtër, dhe mbetjet e tyre tregojnë prova të lëndimeve të rënda. Varri i faraonit egjiptian Sahure, që vdiq rreth vitit 2500 Para Krishtit, përfshin imazhe realiste të arinjve sirianë të veshur me qafore dhe zinxhirë.
Mendohet se ata ishin rikthyer nga një ekspeditë tregtare, teksa nuk dihet sesa kohë jetuan. Nga ana tjetër studiuesit hipotetizojnë se ekspozita e parë publike e kafshëve, mund të jetë realizuar nga mbretëresha egjiptiane Hatshepsut rreth vitit 1480 Para Erës Sonë.
Studiuesit mendojnë se kopshti zoologjik, nisi të ndërtohej me kafshë të sjella në Egjipt nga një ekspeditë, të cilën mbretëresha e dërgoi në një territor të largët të njohur si Punt, që mund të ketë qenë Etiopia e sotme. Mbetet e paqartë se përse ajo e ndërtoi kopshtin zoologjik.
Por ndoshta e bëri këtë për të treguar pasurinë dhe të drejtën e saj për të sunduar. Mbajtja në robëri e kafshëve të rrezikshme dhe ekzotike, ka qenë shpeshherë një mënyrë përmes së cilëssundimtarët tregonin fuqinë e tyre. Kopshtet zoologjike të hershme gjenden në të gjithë botën.
Në Kinë, perandori Uen–Uang thuhet se ndërtoi rreth vitit 1060 Para Krishtit një “Kopsht të Inteligjencës”, ku kishte drerë, zogj dhe shumë peshq. Në Angli, Mbreti Henri I krijoi një kopsht zoologjik rreth vitit 1110, si pjesë e pronës së tij mbretërore në Udstok në Oksfordshajër.
Koleksioni i tij përfshinte tigrat, devetë, luanët dhe derrat. Ai u zhvendos në Kullën e Londrës në vitin 1235, në kohë kur mbretit Henri III iu dhuruan tre luanë nga Perandori i Shenjtë Romak Frederiku II. Koleksioni i kafshëve qëndroi në Kullën e Londrës për 600 vjet.
Nëse e vizitoni sot Kullën, mund të shihni ende disa nga kafazët. Ato janë punime guri të veshura me shufra metalike. Mbreti i Francës dërgoi një elefant në vitin 1255. Edhe pse kishte banesën e tij të veçantë, ai ngordhi pas vetëm disa vitesh.
Në koleksionin e këtij kopshti, përfshihej një ari polar që lejohej të notonte në lumin Tamiz, i mbajtur i lidhur me një zinxhir të gjatë. Ndërkohë, kostoja që duhej të paguanin vizitorët ishte ose një tarifë e vogël në para, ose një qen apo mace endacake për t’i ushqyer luanët.
Në Amerikë, mbreti aztek Montezuma II ndërtoi në fund të viteve 1500 një kopsht zoologjik në Tenoktitlan, që sot njihet si Meksiko Siti. Ai përmbante shumë zogj, gjitarë mishngrënës dhe gjarpërinj. Ky kopsht zoologjik ishte aq i madh, sa që për t’u kujdesur për kafshët ishin punësuar 300 njerëz.
Perandori shoqëroi personalisht për në kopshtin zoologjik vizitorët e parë nga Evropa. Ushtarët spanjollë, të udhëhequr nga Hernan Kortes, shkruanin se sa shumë e admironin kopshtin zoologjik, edhe pse e shkatërruan atë gjatë pushtimit të Tenokititlan në vitin 1591.
Kopshti zoologjik më i vjetër që funksionon ende, është ai i Shënbrun, që u ndërtua në Vjenë të Austrisë në vitin 1752. Kopshti zoologjik është i famshëm, pasi ishte i pari që përdori shumë risi në dizajn, siç ishte mbajtja e kafshëve në mjedise natyraliste, dhe duke bashkuar disa lloje kafshësh në një rrethim të përbashkët.