Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Nita Shala, zëvendësministre në Ministrinë e Drejtësisë.

Në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit thuhet se Nita Shala është Doktor Shkencash në Drejtësi nga Graduate Institute – Geneva.

“Ka shkëlqyer gjatë studimeve themelore në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës; në studimet master për drejtësi penale në Universitetin e Oxfordit dhe në studime ekzekutive në Harvard, Shkolla për Qeverisje Kennedy. Nita Shala është avokate me eksperiencë profesionale në institucione ndërkombëtare. Punoi edhe në zyrën e OKB-së në Gjenevë, për ta këshilluar ambasadën e Republikës së Shqipërisë në proceset e Këshillit për të Drejtat e Njeriut; në zyrën e Prokurorit në Tribunalin e Hagës, e angazhuar në Prokurori kundër Vojislav Sheshel dhe kundër Vlastimir Xhorxhevic, dhe mbështetje ndërkombëtare në EURALIUS dhe PAMECA V në Shqipëri si ekspert ligjor i procesit të implementimit të Reformës dhe themelimit të institucioneve të reja në drejtësi. Nga viti 2018, punon në Katedrën Penale në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës, në lëndët e drejta penale dhe e drejta penale ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu:  Kancelarët Scholz dhe Nehammer i mëshojnë avancimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor

Më tej në njoftim thuhet se, Shala është themeluese dhe drejtuese e komunitetit Global Shapers të Forumit Ekonomik Botëror në Tiranë dhe kryesuese e komunitetit të Global Dignity në Shqipëri dhe Kosovë.

“Nita Shala ka eksperiencë profesionale dhe akademike në fushat e antikorrupsionit, reformës në drejtësi, dhe në të drejtat e njeriut. Nita si pjesë e Qeverisë, me njohuritë e saj teorike dhe praktike është shpresë për të shtyrë procesin e vetingut në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit”, vijon njoftimi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *