Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se qeveria e tij ka rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes, vendim që është marrë pjesërisht si përgjigje ndaj agresionit të shtuar serb.

Kosova kohët e fundit bleu dronë Bayraktar nga Turqia dhe do të marrë raketa anti-tank Javelin nga SHBA. NATO dërgoi së fundmi 130 trupa shtesë për të përforcuar misionin e saj në Kosovë.

Në një intervistë për Politico ai u shpreh se Beogradi është rreshtuar krah Rusisë.

“Ne u kritikuam për dhunën në veri vitin e kaluar, padrejtësisht, dhe BE-ja vendosi masa kundër Kosovës. Nga ana tjetër, Serbia është duke u rreshtuar me Federatën Ruse në lidhje me agresionin në Ukrainë dhe nuk ka sanksione për Serbinë”, tha Kurti.

BE-ja goditi Kosovën me masa kufizuese verën e kaluar në përgjigje të një shpërthimi dhune të lidhur me zgjedhjet në Veri.

Kërkesat e BE-së përfshinin themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, një plan që daton që nga viti 2013, së bashku me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Lexo po ashtu:  Antiamerikanizmi dhe largimi i trupave të ShBA, gënjeshtra dhe politikë paniku e LDK-së

Kurti tha për Politico se qeveria e tij është e përkushtuar që së shpejti të mbajë zgjedhje të reja në veri.

“Mund të mbahen gjatë muajve të ardhshëm”, tha ai, ndërsa shtoi se nënshkrimet nga të paktën 20 përqind e votuesve me të drejtë vote do të nevojiteshin për të nisur procedurën, një proces që është duke u zhvilluar.

Muajin e kaluar, një duzinë vendesh evropiane i kërkuan Josep Borrell të heqë kufizimet politike dhe ekonomike kundër Kosovës, duke vënë në dukje gjithashtu rolin që Serbia kishte luajtur në një sulm në Banjskë. Por BE-ja ende nuk ka marrë një vendim në këtë drejtim.

BE-ja është përmbajtur nga vendosja e masave kundër Serbisë, pavarësisht shqetësimeve të përhapura për zgjedhjet e muajit të kaluar në vend. Brukseli dënoi “përfshirjen vendimtare” të presidentit serb Aleksandër Vuçiç në votimin e 17 dhjetorit.

Kurti tha gjithashtu se Kosova dëshiron të anëtarësohet në NATO, edhe pse katër anëtarë të aleancës ende nuk e kanë njohur shtetin.

Lexo po ashtu:  Abazoviç kërcënon të rrëzojë qeverinë në Mal të Zi - “I kam thënë kryeministrit disa herë që ata po e teprojnë"

“Ne duam t’i bashkohemi NATO-s dhe momenti i parë historik do të ishte Partneriteti për Paqe. Qeveria jonë ka rritur shpenzimet e mbrojtjes, pjesërisht si përgjigje ndaj agresionit të shtuar serb”, tha Kurti, duke iu referuar një programi që lejon bashkëpunimin mes NATO-s dhe vendeve joanëtare.