Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur pas takimit që zhvilloi me këshilltarët e Merkelit e Macronit.

“Ky takim ishte me përfaqësues të Berlinit e Parisit. Diskutuam disa tema, një prej tyre çështja e integrimit evropian, reformave që ne i kemi filluar si qeveri e re, dhe liberalizimit të vizave. Ana tjetër ishte dialogu me Serbinë”, tha Kurti.

Sa i përket liberalizimit, temë për të cilën presidenti Thaçi dha kritika se s’u diskutua fare, kryeministri Kurti tha se megjithatë, s’jep premtime se kur do të ndodhë.

“Nëse kemi zbutje të qëndrimit të Holandës, do të mund të avancojmë përpara. Synimi ynë do të ishte që kur vie Samiti i Zagrebit ta kemi liberalizimin, sidoqoftë këtë s’mund ta premtoj askush. Unë jam politikani i parë që bëhem kryeministër pa premtuar liberalizimin. Nuk e premtoj dot as tani sepse nuk është në dorën tonë. Imazhin te luftimi i krimit e korrupsionit nuk e kemi të mirë, këtë do ta bëjmë megjithëse s’mundemi menjëherë”, tha Kurti,

Kryeministri Albin Kurti ka thënë gjithashtu se nuk beson se do të ketë sanksione nga SHBA-ja ndaj Republikës së Kosovës.

Lexo po ashtu:  Në territorin e shtetit të Kosovës: Ushtria e Kosovës për herë të parë po kryen stërvitje të udhëhequra nga Ushtria amerikane

Përpos kësaj, Kurti tha se njëherë për njëherë nuk mund të implementohet plani i tij për heqjen e tarifës për shkak se ai e do një konsensus brenda qeverisë në mënyrë që kur të votohet ky vendim në Kuvend të marrë mbështetje unanime.

Sa i përket takimit me emisarët e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron – Jan Hecker dhe Emmanuel Bonne – Kurti deklaroi se ky ka qenë takim i frytshëm.

Ai po ashtu, për dallim nga presidenti Hashim Thaçi i cili është skeptik, tha se beson se deri në Samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në muajin maj në Zagreb, mund të ketë lëvizje për heqjen e vizave për kosovarët.

Kurti foli edhe për ftesën e Thaçit, por të cilës ai s’iu përgjigj.

“Nëse duam të bashkohemi, nuk duhet të takohemi ndaras me krerët e partive. Ftesës sime para konferencës në Munih, presidenti i është përgjigjur javën e kaluar. Kemi lënë takim dje në orën 13, unë besova se do të takohemi si dy krerë, unë i qeverisë ai si president dhe ndërkohë mësova dy gjëra. Ai ka filluar këto takime në momentet kur kishte nisur seanca në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku u prezantua fjalimi më i rëndësishëm i Vasfije Krasniqit, për mua ishte shije e keqe që derisa ajo mban fjalim, të takosh krerët e partive politike ndaras. Kur kuptova agjendën se kishte caktuar takime me liderë partishë, thashë le të takohet ai me ta më pas me mua. Unë jam për takim, por jo në atë ditë dhe, jo ashtu”, u shpreh Kurti.

Lexo po ashtu:  DW: Në Srebrenicë Evropa dështoi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *