Lëvizja Vetëvendosje është bërë anëtare e organizatës më të madhe socialdemokrate në Evropë – PES.
Gjatë këtij organizimi, Kurti ka folur para të pranishme ku ka thënë se është kënaqësi të jetë midis të pranishmeve bë qytetin e lashtë multikulturor të Malagës.
Ai tutje ka shprehur se: më afër Bashkimit Evropian, një veprim tjetër agresioni është zhvilluar. Ai ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, kur vendi im u sulmua në tokën e vet, në pjesën veriore të territorit, nga një grup i armatosur mirë i terroristëve paramilitarë, të cilët ishin trajnuar, pajisur dhe financuar nga shteti i Serbisë, një fakt që është dëshmuar nga një varg provash të zbuluara pas sulmit. – ka thënë Kurti para të pranishmëve.
Fjalimi i plotë i z. Kurti:
I nderuar President i Partisë së Socialistëve Evropianë, z. Stefan Löfven,
Të nderuar anëtarë të udhëheqjes së PES, Kryetarë dhe përfaqësues të partive evropiane simotra,
Të nderuar shokë nga PSOE,
Shpreh kënaqësinë të jem midis jush në këtë qytet të lashtë multikulturor të Malagës, të këtij qyteti që është përballur me aq shumë sfida përgjatë një historie një mijë vjeçare dhe ka mësuar kaq shumë nga bota, duke filluar nga një kulturë e mirëfilltë e bashkëjetesës dhe mosdiskriminimit ndërmjet popujve.
Është po ashtu një nder të jem këtu përpara jush dhe të shpreh në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Kosova, mirënjohjen time që keni pranuar partinë të cilën unë e udhëheq në mesin e familjes së Partisë së Socialistëve Evropian. Ky pranim, si anëtare vëzhguese në hapin e parë, është një dëshmi nga ana juaj e besimit tuaj ndaj qeverisjes së mirë, efikase dhe premtuese, të qeverisë që unë e drejtoj si kryeministër i Republikës së Kosovës.
Ky besim frymëzon një përkushtim kolektiv, nga unë, partia ime dhe Qeveria që drejtoj. Prandaj, ju siguroj që do të vazhdojmë të dëshmojmë aktivisht përkushtimin tonë ndaj zbatimit të politikave socialdemokratike. Ne duam të tregojmë që progresi demokratik dhe qeverisja e mirë prodhojnë përfitime sociale dhe ekonomike. Me një përkushtimi të palëkundur ndaj sundimit të ligjit dhe një lufte të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, po krijojmë mundësi të paprecedenta për prioritete të reja — drejtësi sociale dhe barazi, punësim dhe politika të rishpërndarjes në Kosovë, duke i sjellë dobi të gjithëve. Këto veprime tona po adresojnë ato që dy vjet e gjysëm para se të vinim ne në pushtet nuk ekzistonin fare si prioritete.
Nuk do të përsëris këtu çka i shkrova PES-së në shtator dhe çka thashë pastaj përpara udhëheqjes suaj, gjatë takimit të Presidencës më 12 tetor. Ju e dini tashmë se të gjitha indekset ndërkombëtare për cilësinë e demokracisë tonë të re, për nivelin e lirive civile dhe të drejtave politike, lirinë e shtypit, progresin në sundimin e ligjit, kanë konfirmuar trendin pozitiv të rrugëtimit tonë, siç u konfirmua sërish këtë javë për të dytin vit radhazi në raportin vjetor të Komisionit Evropian. Sipas këtij raporti pra, Kosova ka shënuar rritjen më të madhe në shkallën e vet, duke përmirësuar nivelin e vet të përgatitjes në pesë kapituj negociues. Përmendje të tjera të rëndësishme janë një rritje prej 34% në punësim, miratimi i ligjeve mbi financimin e partive politike dhe zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe rreshtimi me sanksione të BE-së dhe ShBA-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Sektori i drejtësisë ka themeluar Gjykatën Komerciale për të drejtat e pronësisë intelektuale, ka përforcuar rikuperimin e aseteve me një koncept të ri të fondit të konfiskimit dhe ka përparuar në zbatimin e legjislacionit kundër korrupsionit. Ekonomia ka shënuar rritje, ka pasur zvogëlim të sektorit joformal dhe përparime në kapituj të tregut të brendshëm, me Kosovën që sipas vlerësuesve të pavarur ka regjistruar vlerësimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor.
Pavarësisht nga sfidat me të cilat është përballur vendi im, brishtësinë e trashëguar para tri krizave të njëpasnjëshme botërore – pandemisë, krizës së energjisë dhe asaj të inflacionit – buxheti ynë do të vazhdojë të rritet vitin tjetër, duke arritur një rekord të ri, ndërsa për herë të parë BPV-ja po tejkalon 10 miliardë euro, duke shënuar një rritje thuajse 50% të BPV-së në katër vitet e fundit.
Por, në vend që t’ju numëroj arritjet tona në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale dhe progresin demokratik, do të dëshiroja të shfrytëzoja mundësinë e të qenit midis jush, shokë të dashur, për të ndarë mendimet e mia për situatën globale.
Ky Kongres po mbahet për t’u përgatitur për zgjedhjet evropiane të radhës, të caktuara për 9 qershor 2024. Në shekullin e XXI, konteksti ndërkombëtar dhe evropian kurrë s’ka qenë kaq brengosës.
Ne po jetojmë në një kohë sfiduese me përplot ngjarje tragjike, duke përfshirë agresionin e pamëshirshëm të Rusisë në Ukrainë, zhvendosjen e armenëve nga Nagorno-Karabakh dhe konfliktin në Izrael dhe në Rripin e Gazës. Kjo e fundit sapo ka mbushur një muaj duke sjellë si pasojë një numër alarmues të viktimave, dhembjes dhe vuajtjes. Sigurisht, gjithë këto ringjallje të luftës e vendosin botën përpara një rreziku të paprecedent të daljes nga binarët drejt aspekteve më të errëta të njerëzimit.
Ndërkohë, siç e dini, më afër Bashkimit Evropian, një veprim tjetër agresioni është zhvilluar. Ai ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, kur vendi im u sulmua në tokën e vet, në pjesën veriore të territorit, nga një grup i armatosur mirë i terroristëve paramilitarë, të cilët ishin trajnuar, pajisur dhe financuar nga shteti i Serbisë, një fakt që është dëshmuar nga një varg provash të zbuluara pas sulmit. Një zyrtar policor nga Policia e Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Falë profesionalizmit shembullor të njësive speciale të policëve tanë, Kosova ka arritur t’i mposhtë terroristët, duke iu përgjigjur proporcionalisht këtij sulmi dhe duke shmangur një eskalim të pakontrolluar, gjë që ishte qëllimi i grupit kriminal paramilitar të kontrolluar nga Beogradi.
Ky sulm terrorist dëshmon që sot ka forca që synojnë të provokojnë konflikte dhe luftëra të armatosura për të minuar autoritetin dhe besueshmërinë demokratike, për të rrënuar të gjitha parametrat stabilizuese dhe paqen e fituar, për të ripërcaktuar kufijtë dhe imponuar rregulla të reja të rendit.
Ne përfaqësuesit e forcave të qendrës së majtë në Evropë, e kujtojmë historinë dhe jemi larg të qenit naivë: Historia evropiane ka vërtetuar gjithmonë se ne jemi në ballë të luftës kundër të gjitha formave të ekstremizmave, për promovimin e paqes dhe të drejtave të njeriut edhe kur dhuna, racizmi, antisemitizmi dhe islamofobia duket se po fiton terren dhe mendje. Vazhdoj të jem optimistë se ne mund ta forcojmë unitetin tonë në mënyrë që ta ndryshojmë rrjedhën e këtyre ngjarjeve.
Shembull, Kosova e përballur me sfidën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nën ndërmjetësimin e BE-së: Ju siguroj që e pranoj pjesën e përgjegjësisë që më takon për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Këtu e shfrytëzoj mundësinë të ndaj lavde për grupin S&D për udhëheqjen e saj në rezolutën e miratuar te Parlamenti Evropian më 19 tetor. Deri me tani, ky ishte teksti më i qartë politik për sulmin e 24 shtatorit.
Më lejoni ta ndajë shpresën time që, ashtu si Malaga, së cilës historia ia ka vënë nofkën “Siempre denodada” (“Gjithmonë e guximshme”), le të jenë forcat PES dhe S&D po ashtu të guximshme për hirë të Evropës në qershor 2024. Si një fjali tjetër për Malagën, të përballur historikisht me trazirën e historisë së dhunshme, “La primera en el peligro de la libertad” (“E para përballë rrezikut për lirinë”), le të jenë PES, S&D dhe të gjitha partitë tona në planin e parë kundër atyre forcave të brendshme dhe të jashtme që minojnë aktivisht demokracitë tona dhe të drejtat dhe liritë tona themelore.
Ju falemnderit shumë, muchas gracias, për vëmendjen dhe besimin tuaj.