Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë edhe njëherë se Ura e Ibrit duhet të hapet, jo kundër dikujt, por sipas tij, për të mirën e të gjithëve. Këto komente kryeministri i dha gjatë vizitës në veri të martën.

Hapja e Urës së Ibrit është paralajmëruar tash e disa muaj nga Qeveria e Kosovës. Ndërkombëtarët e kanë kundërshtuar idenë, duke thënë se çështja e saj duhet të zgjidhet në dialog. Aktualisht, ura është e hapur vetëm për kalimin e këmbësorëve. 

Sipas Kurtit, hapja e urës është e rëndësishme edhe për imazhin ekonomik të shtetit.

“Liria e lëvizjes duhet të respektohet. Që nga viti 2016, në Bruksel ka pasur marrëveshje që ura duhet të hapet më së voni deri në vitin 2017. Do të jetë e hapur, por jo kundër dikujt, por për të mirën e të gjithë neve. Për imazhin ekonomik të shtetit është e rëndësishme që ajo të hapet, për fluksin e kapitalit dhe të mallrave”, ka thënë ai.

Shefi i Qeverisë u shpreh se hapja e urës është për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Lexo po ashtu:  Lajm i mirë/ Kosova nënshkruan kontratën me prodhuesin turk për themelimin e fabrikës së municioneve

“Ne nuk duam të hapim urën kundër serbëve, përkundrazi! Ne duam që serbët, boshnjakët dhe shqiptarët të mund të lëvizin lirshëm nëpër atë urë”, ka shtuar tutje Kurti.

Gjatë vizitës në veri, Kurti ka thënë se “nuk e ka ndierë se njerëzit nuk e kanë pëlqyer dikë që ka ardhur nga Prishtina, qoftë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës”.

Kurti mori pjesë edhe në gur themelin e stacionit policor në Leposaviq.