Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në ushtrimin fushor ndërkombëtar “Defender Europe 2025”, i cili po zhvillohet në Babaj të Bokës dhe në zona të tjera ushtarake të vendit.

Ky ushtrim përfshin forcat e NATO-s dhe të vendeve partnere, ndërsa Kosova këtë vit ka rolin e nikoqirit, duke dëshmuar rritjen e kapaciteteve dhe besueshmërisë në arenën ndërkombëtare të sigurisë.

Në fjalën e tij para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe trupave ndërkombëtare, Kryeministri Kurti deklaroi:“Bashkë jemi jo vetëm të fortë, por shumë më të fortë.

Shteti i Kosovës kurrë nuk ka qenë më i fuqishëm dhe më i sigurt.”Ai theksoi se pjesëmarrja aktive dhe pritja e ushtrisë së SHBA-së dhe të aleatëve të NATO-s në territorin e Kosovës është një dëshmi e përkushtimit të vendit për sigurinë rajonale dhe për anëtarësimin e ardhshëm në aleancën veri-atlantike.

Një nga pikat kulmore të këtij ushtrimi është vendosja e Komandës së Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në aeroportin ushtarak të Gjakovës, nga ku komandohen të gjitha brigadat që operojnë në Evropën Juglindore.“Ne po vërtetojmë çdo herë e më shumë fuqinë dhe aftësitë tona, si dhe ndërveprueshmërinë që kemi me NATO-n.

Lexo po ashtu:  Kosova shtet përnime: Kurti mbledh sot Këshillin e Sigurisë, Arsyeja: reciprociteti ndaj Serbisë për targat dhe pasaportat

Anëtarësimi ynë në këtë aleancë nuk është vetëm për dobinë tonë, por edhe për kontributin që mund të japim,” shtoi Kurti, duke shprehur krenari për profesionalizmin e FSK-së dhe mirënjohje për partnerët ndërkombëtarë, në veçanti për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Defender Europe 2025” konsiderohet një nga ushtrimet më të rëndësishme të këtij viti në Evropë, dhe pjesëmarrja e Kosovës në të tregon për një stad të ri të sigurisë dhe bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar.