Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, deputete e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka thënë se me vendimin e mbrëmshëm të Gjykatës Kushtetuese, mes luftës së pandemisë globale, u tradhtua demokracia e Kosovës, transmeton “Zeri.info”.

Përmes një postimi në “Facebook” ajo tha se partitë politike në Kosovë tradhtuan besimin e qytetarëve dhe rrëzuan Qeverinë e Kosovës. “Mbrëmë u tradhtua demokracia kosovare, edhe një herë! Në mes të luftës me pandeminë globale, partitë politike parlamentare në Kosovë tradhtuan besimin e qytetarëve dhe rrëzuan Qeverinë e Kosovës me votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo thotë se kjo që ndodhi është tregtim i votës së lirë dhe besimit të qytetarëve, i sponsorizuar nga presidenti dhe se i njëjti mbrëmë u legjitimua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kusari-Lila tutje ka shkruar se ana e errët e këtij procesi është lehtësia e manipulimit institucional për skenarë të dëmshëm për të ardhmen e vendit, ndërsa thotë se ana e ndritshme e këtij procesi është identifikimi i të gjithë aktorëve, të cilët lehtësisht bëhen marioneta të manipulimit, “duke harruar peshën e përgjegjësisë dhe të historisë që do ta mbajnë përgjithmonë si njollë në karrierën e tyre politike dhe profesionale”.

Lexo po ashtu:  KURTI, Shkoi qeveria e borxhlinjve, po vjen qeveria e zhvillimit

Krejt në fund, deputetja e LVV-së ka thënë Kosova është vend i lirë dhe se qytetarët e saj janë të lirë të vendosin për shtetin e tyre, duke potencuar se fitorja e mbrëmshme do të jetë jetëshkurtër. “Kosova është vend i lirë. Qytetarët e saj janë të lirë dhe me mendim të qartë se si e duan jetën dhe shtetin e tyre. Këtyre të cilëve sot mund t’u duket se kanë fituar, shumë jetëshkurtër e kanë këtë fitore, por turpin dhe tradhtinë e besimit të qytetarëve e kanë të garantuar dhe të përjetshëm”, ka shkruar në fund deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *