Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, “nuk e di” kush është Haki Abazi, numri dy i qeverisë në detyrë të Kosovës.

Në një intervistë në T7, kur i është kërkuar të komentojë një deklaratë të zv/kryeministrit të Kosovës kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, Rama ka pyetur drejtuesit e emisionit se kush është Haki Abazi.

“Kush është ky Haki Abazi se nuk po e njoh?”, ka pyetur Rama.

Rama ka thënë se të gjithë “këta që më sulmojnë mua janë ata që i kanë bërë vet të gjitha pisllëqet për të cilat më akuzojnë mua”.

Zëvendësi i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit, e ka akuzuar Ramën për lidhje me oligarkët. Abazi ka deklaruar se Rama e rrëzoi Teatrin Kombëtar për “interes të oligarkëve”.

“Kur rrëzohet teatri për interes të oligarkëve, u shpallet luftë qytetarëve- 1000 policë do të duhej ta ruanin teatrin jo ta bënin të mundur prishjen… edhe në kohë pandemie apo posaqërisht në kohë pandemie- ligështia nuk ka brinjë”, ka shkruar Abazi të dielën.

Lexo po ashtu:  Zoti Kryeministër, kontrolli i informacionit rrezikon proceset demokratike

Pas një debati pothuajse dy vjeçar, Teatri Kombëtar i Shqipërisë u shemb me vendim të Qeverisë së Shqipërisë mesnatën e së shtunës.

Shembja e teatrit ka mllefosur shoqërinë civile dhe komunitetin e artistëve në Shqipëri. Ata kanë kundërshtuar prej kohësh rrënimin e Teatrit Kombëtar, me arsyetimin se ky objekt përfaqësonte kulturën shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *