Anton Logoreci, shkrimtari, gazetari, diplomati; një atdhetar i pashoq në shërbim të kombit
Nga Pjeter Logoreci. “Dekadat e diktaturës i mohuan kulturës sonë kombëtare një mision veprues shumë të fuqishëm, atëtë diasporës.

Shkruan: Pjetër Logoreci

Një element me vlerë të kësaj hapësire kulturore që pret t’i pohohet sa më shpejt kulturës kombëtare dhe të vetëdijësohet sa më parë në ndërgjegjen popullore, sidomos në atë të rinisë, e përbën trashëgimia shpirtërore e Anton Logorecit. Ky personalitet i fuqishëm i kulturës sonë i takon asaj radhe intelektualësh shqiptarë që, e kuptoi dëmin kombëtar të komunizmit dhe iu kundërvu atij me gjithë aftësinë intelektuale, vullnetin shpirtëror dhe zjarrminë e pasionit.”

E nisa shkrimin tim mbi intelektualin e atdhetarin Anton Logoreci me këtë pasazh shumë domethenës nga një artikull i botuar në shtypin shqiptar nga studiuesi i njohur shkodran Anton Cefa, me titull: Anton Logoreci, përfaqësues i denjë i kulturës së diasporës shqiptare.

Intelektuali Anton Logoreci ose Ndoci,siç e thërrisnin shkodranët, lindi në Shkoder me 19 korrik 1910, në një familje me tradita atdhedashëse. E ëma Maria, bijë nga familja elitare Toska, pat nëntë fëmijë, shtatë djem dhe dy vajza, ndër të cilët Antoni ishte fëmija i parë. I ati, Pjetri, për të ushqyer familjen e madhe punonte si argjendar, por ishte dhe shumë aktiv në lëvizjet politike e shoqërore të kohës. Për këtë, gjatë qeverisjes së tij, Noli e emëroj atë nënperfekt të Malsisë së Madhe, ndërkohe që vëllezërit e tij Matia e Paloka, i ishin përgjigjur thirrjes së xhaxhait të tyre, Arqipeshkvit të Shkupit Andrea Logoreci, për të punuar si mësues për përhapjen e arsimit e gjuhës shqipe në Kosovë ( Prizren e Gjakovë).

Që fëmijë, Antoni, pat kontakte me figura madhore të rilindjes sonë kombëtare si Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ndre e Lazer Mjeda, të cilët ishin miq të familjes, por dhe farefis (Ndre e Lazër Mjeda) me Logorecët. Ai nisi mësimet në klasat fillore të etërve franceskane, për të kaluar më vonë,në klasat për të rritur të kolegjit jezuit të qytetit të Shkodres. Si fëmijë, Antoni, ishte gjithmonë aktiv dhe premtonte një personalitet të spikatur artistik e letrar. Ai ishte një nder fëmijët e talentuar, pjesë e grupit teatror të shkollës, ku arriti të shpalosë dëshirën e pasionin e tij për skenën ndër rolet e melodramave historike e patriotike që luheshin në kolegj.

Në një shënim biografik për Logorecin, z. Fan Sotir Kristo, shqiptaro amerikani i njohur nga Bostoni, shkruan në volumin 12 të Buletinit Katolik Shqiptar të botuar në San Francisko si dhe në rrjetin amerikan informativ FROSINA këto kujtime:

“… Gruaja ime Jane dhe unë patëm fat, shumë vite më parë, për të takuar Anton Logorecin në Londër gjatë vizitave tona në atë qytet historik ku shpejt u bëmë miq të mirë me të dhe me gruan e tij të bukur, Doreen me te cilën ai u njoh ne BBC, ku punuan se bashku gjate luftës se dyte botërore.
Anton Logoreci,… ishte thesari më i fundit që i jepej botës nga një familje katolike shqiptare. Të afërm te familjes se tij ishin, Arqipeshkvi i Shkupit – Andrea Logoreci, prindërit e Nënë Terezës, Mati Logoreci- xhaxhai i tij i cili punoi shume për të ruajtur kulturën shqiptare në Kosovë dhe për të ndihmuar në formulimin e një alfabeti të përbashkët për gjuhën shqipe. Gjatë fëmijërisë së tij Antoni ndoqi ne Shkodër shkollën fillore françeskane, ku dhe shërbeu në altarin e kishës së Shën Antonit, aty afër. Ai i si fëmijë i pat shërbyer rregullisht Meshës së At Gjergj Fishtës, autorit të madh shqiptar dhe poetit laureat. “

Në vitin 1922, me themelimin nga Kryqi i Kuq Amerikan të Kolegjit Teknik Amerikan në Tiranë, familja e dërgoj Antonin në këtë kolegj, i cili ndikoj shumë në formimin perëndimor të tij. Ambienti, gjuha angleze, programi mësimor, aktivitetet e shumta si dhe mësuesit e specialistët e shkollës ishin elemente të fuqishëm në pregaditjen e shumë anëshme mësimore e disiplinore të çdo studenti,që do ti shërbente më pas për të krijuar bazat e një karrierë të fuqishme. Përveç pregaditjes së një kaste teknikësh që më vonë do ti shërbente rindërtimit të vendit në të gjitha fushat, Kolegji qe një nga bazat e fuqishme të krijimit të elementeve përparimtare që me kulturën e marrë aty i tregonin botës se vinin nga një shoqëri e emancipuar dhe e denjë europiane.

Antoni me sjelljen e talentin e tij letrar u bë një ndër studentet e zgjedhur të drejtorit Fultz i cili drejtonte kolegjiumin e redaksisë të revistës së shkollës LABOREMUS, të cilën e kishte krijuar vetë. Antoni ishte një nder redaktorët e revistës, por edhe shumë aktiv me shkrimet e tija në këtë organ. Falë inteligjencës së tij, kjo periudhë i shërbeu atij që të kuptonte sekretet e shkrimit në prozë, që më pas e ndihmoi për punën e tij të përhershme në Radio Londra, por edhe për të shkruar artikuj, tregime, novela e libra të suksesshëm.

Lexo po ashtu:  Santiago Ramon Kajal: “Fuqia dhe madhështia e kombeve janë produkte të shkencës”

Pasi u diplomua në vitin 1927, Antonit ju dha mundësia të ishte shoqërues dhe përkthyes i gjeneralit britanik Jocelyn Percy të cilin Presidenti Zog e ngarkoj me organizimin dhe trajnimin e xhandarmerisë shqiptare. Puna në skuadrën e gjeneralit anglez e ndihmoj Logorecin të krijojë një këndvështrim të saktë për demokracinë, diplomacinë, politikën e po ashtu të përcaktonte rrugën e studimeve dhe karrierës së tij të ardhëshme. Pasi përfitoj një bursë,për rezultate të larta, nga shteti, në vitin 1937 filloj studimet dhe u diplomua për ekonomi e shkenca politike në universitetin shtetëror në Londër, LSE (London School of Economics and Political Science), një nga universitetet më në zë të botës nga ku dolën personalitete të politikës botërore, shumë mbajtës të çmimit Nobël, sipërmarrës nga më të suksesshmit e botës, gazetarë të famshëm si dhe dhjetëra profesorë që mësuan pastaj në gjithë anët e globit.

Në Shqipëri, Antoni, edhe pse në moshë të re, arriti të krijojë lidhje të shumta me personalitete të shquara të kohës nga të gjitha fushat si Edith Durham, Ernest Koliqi, Branko Merxhani, Ismet Toto, Tajar Zavalani, Eqerem Cabej, Karl Gurakuqi, Petro Marko, Odise Paskali… Ai kishte një bashkëpunim të përhershëm, nëpërmes botimeve të tija, me revistat dhe gazetat shqiptare të kohës. NOLOGUS ishte pseudonimi me të cilin ai u paraqit me shkrimet e tija në organet e shtypit, si brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 1940, qeveria angleze, duke vlerësuar situatën e krijuar ndërkombëtare, vendosi të hapë një program në gjuhën shqipe në rrjetin njohur BBC. Kjo dritare informacioni do ti shërbente shqiptarve të cilët vuanin nën pushtimin fashist për të kuptuar situatën e luftës por edhe për tu ndërgjegjësuar kundër okupatorit. Me propozimin e sekretarit të ambasadës shqiptare Dervish Duma, drejtimin e këtij programi e mori Anton Logoreci. Duma e njihte mirë Logorecin, qysh në shkollën e Fultzit, ato ishin miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë, në të mirë të Shqipërisë, gjithë jetën.

„Nuk ka shqiptar që të mos e ketë dëgjuar çdo mbrëmje zërin e Anton Logorecit nga qendra
transmetuese e BBC­së, që ishte një institucion edukimi politik e demokratik edhe për të. Ai aty nuk punoi si folës i thjeshtë por edhe si komentator, si përgjegjës i sektorit për Shqipërinë e më vonë si përgjegjës i BBC-se për sektorin e tërë Evropës Lindore“, shkruan Albulena Stojaku në shtypin shqiptar në artikullin:NOLOGUS, NJE PERSONALITET I HARRUAR… dedikuar Anton Logorecit…

“Ai ishte një nga komentatorët më të kualifikuar të Evropës Lindore dhe më vonë u bë shkrimtar e gazetar i programit për Evropën Qendrore dhe mbeti një komentator i vlefshëm për BBC për vite me radhë, duke u specializuar për problemet e të drejtave të njeriut në Evropën Lindore si dhe zhvillimet në Shqipëri.

Lexo po ashtu:  Pyetja e parë e njeriut

Logoreci ishte arsyeja e vetme për vëmendjen që Shqipëria mori pas luftës. Qe ne fillim, ai e akuzoi Enver Hoxhën për diktaturën e tij, duke theksuar se e ardhmja e Shqipërisë duhet ti përkasë demokracisë perëndimore dhe jo komunizmit. Logoreci ishte një mbrojtës i autonomisë, kulturës dhe traditave të Kosovës. Komentet e tij ishin largpamese dhe shpesh profetikë”…shprehet njohësi i ceshtjes shqiptare, kolegu dhe miku i tij shqiptaro amerikan Fan Kristo në Buletinin Katolik të shqiptarve të Californisë.

Anton Logoreci njihej në mbare diasporën shqiptare, jo vetëm si rezultat i përhapjes së zërit e komenteve të tija në shqip nga Radio Londra, por edhe nga botimet e tija,si shkrimtar e gazetar. Ishte dëshira e tij e jetës që ti përkushtohej kësaj fushe. Krijimet e tija në prozë përshkoheshin nga një stil i zhdërvjedhët e modern, që e veçonte atë nga shkrimtarët e tjerë bashkëkohorë. Në shkrimet e tij plot pasion,ai sillte me mjeshtri para lexuesit bukurinë e trojeve shqiptare, freskinë e luleve në oborret shkodrane, karakteret e bashkëqytetasve me problemet e tyre sociale e mallin e tij që e digjte për atdhe.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, si rezultat i komenteve dhe kritikave që Logoreci përcillte nëpërmes Radio Londrës, familja e tij në Shkodër vuajti kalvarin e mundimeve, burgjet dhe diskriminimin. Regjimi burgosi vëllaun e tij më të vogël, të sapo dalë nga bangat e gjimnazit, Filipin, i cili vuajti, i mbyllur por i pa dënuar, në burgun e Shkodres ku i prenë gjymtyrët, ku u sëmur rëndë nga tuberkulozi që i shkaktoj vdekjen në sanatorium. Shokët e tij të burgut tregojnë që: sa herë që në emisionin shqip të Radio Londrës përmendej emri i diktatorit, monstrat injorante,kapterrat komunistë të burgut, torturonin pa mëshirë deri në prag të vdekjes të vellaun Filipin.

Familja e Antonit në Shkoder ishte vazhdimisht pre e bastisjeve dhe kontrolleve nga njësitet e sigurimit,që kërkonin të gjenin një shkak që të burgosnin vëllezërit e tjerë. Falë personalitetit, njohjeve e kontakteve të mira të Antonit, Logorecët patën edhe ndonjë periudhë të shkurtër “qetësie”. Në memorjen e çdo pjesëtari të familjes Logoreci ka mbetur e fiksuar marrja e tyre nën mbrojtje, gjatë një raprezalje, nga shkrimtari Petro Marko, që me statusin e komandantit gjendej me shërbim në Shkodër, i cili,sapo dëgjoj që në familjen e Anton Logorecit po bëheshin bastisje, që pjestarët e familjes i kishin lidhur në pranga, ndërhyri personalisht duke larguar nga shtëpia e tyre njësitin e sigurimit e duke penguar burgosjen e Gasprit, vëllaut tjetër të Antonit, i cili mbet vetëm pak ditë në burg.

Po ashtu ato nuk mund të harroj në rrëfimin e komunistit (antarit të komitetit qendror) Fadil Pacrami,për takimin e tij me Antonin në Londër. Sipas Pacramit:…ai ishte dërguar në Londër nga diktatori për ti kërkuar Antonit “kthimin” në Shqipëri, ….me arsyetimin: …që ka më“nevojë” Shqipëria për ty se Londra…

Logoreci, i cili e njihte më mirë se kushdo tjetër bëmat e pabesinë e komunistëve shqiptare, nuk pranoj, pasi ishte i bindur se po të kthehej do ta priste pushkatimi apo burgosja për jetë. Si aktivist i të drejtave të njeriut në forumet ndërkombëtare, ai kontaktonte dhe merrte informacione nga të gjithë të arratisurit politik shqiptarë që delnin në perëndim, për këtë shkak ishte kurdoherë i mirë informuar dhe aktual në emisionet e tij të Radio Londrës. Gjithashtu ai e njihte mjaft mirë edhe hakmarrjen e kriminelit Mehmet Shehu, të cilin e kishte pasur bashkënxënës në kolegjin amerikan të Fultzit. Dihej nga të gjithë që Mehmet Shehu, arrestoj, burgosi apo pushkatoj gati të gjithë kolegët e tij të shkollës amerikane, për “fajin” e vetëm se kishin qenë nxënës të “spijunit” Harry Fultz…

Gjatë viteve të formimit të tij profesional, si dhe të angazhimeve të tij për Shqipërinë, Antoni pat bashkëpunim të ngushtë me personalitete të kulturës shqiptare në diaspore si …Dom Zef Shestani, Arshi Pipa, Martin Camaj, Zef Skiroi, At Daniel Gjecaj, Ernest Koliqi…
Në shtëpinë e tij në Londër, vite me radhë, Logoreci, priti dhe strehoj shumë bashkatdhetarë të arratisur e studentë nga Shqipëria, që prisnin të udhëtonin drejt botës së lirë, Amerikës e vendeve të tjera.

Në vitin 1977,Anton Logoreci botoi në Londër librin e tij “The Albanians – Europe´s Forgotten Survivors” ose të shkruar në shqip “Shqiptarët – të mbijetuarit e harruar të Europës”, një libër i shkruar me profesionalizëm dhe që u bë pikë reference për të gjithë studiuesit e ceshtjes shqiptare e ballkanike. Libri ishte një analizë e thellë e shkaqeve të lëngimit të gjatë të atdheut nga komunizmi, izolimi, konfliktet ndërkombëtare, marrëdhëniet me fqinjët si dhe vuajtjet dhe perspektivën e lirisë së Kosovës martire.

Lexo po ashtu:  Ja Cili ishte Sekreti i Sokratit për t’i ‘Turpëruar’ Thashethemexhinjtë…

Gazetarja dhe kritikja angleze Elisabeth Barkershkruan: …Logoreci i dha librit të tij “The Albanians” një titull kuptimplotë – Europe´s Forgotten Survivors” – TE MBIJETUARIT E HARRUAR TE EUROPES. Ai ka treguar në libër historinë e një prej kombeve më të vegjël e më të vjetër europiane, të cilët banojnë në malet e tyre shkëmbore në bregdetin lindor të Adriatikut, një popull përherë i sulmuar, por, kurrë i nënshtruar nga pushtuesit e huaj, i rrethuar nga fqinjë armiqësore, e në pjesën më të madhe të historisë së tij, i harruar nga bota.

Po ashtu, gazetari i politikës ndërkombëtare dhe specialist i njohur i Ballkanit James H. Seroka e ka vlerësuar librin me këto fjalë: …përshkrim interesant dhe korrekt i Shqipërisë bashkëkohore, që përmban përshkrime nga historia, kultura, ekonomia, politika, sociologjia e politika e jashtme e vendit, por jo si librat e tjerë, ky është i shkruar nga një shqiptar me perspektivë….. libri është burimi i vetëm më i mirë, për Shqipërinë, i shtypur deri më sot…

Është për të ardhur keq, shkruan Prof. Anton Cefa, që tragjedia vazhdon ende. Libri është shkruar e botuar, por nuk ka rënë ende në dore të shqiptarëve, nuk është përkthyer, pra nuk është lexuar.
Edhe pse me një jetë e familje të realizuar, Antoni, i cili kishte dekada që ishte larguar, në pamundësi të vizitës në vendin e lindjes, digjej nga malli për atdheun. Kjo pasqyrohej qartë ndër skicat e tregimet e tij për atdheun e sidomos për Shkodren. Ai po thuajse çdo vit, i shoqëruar nga një pjesëtar i familjes mike Kovaci nga Ulqini, ngjitej në një pikë të lartë të malit të Taraboshit, për të kundruar Shkodren e tij të dashtun, por të shuar mallin për vendin e lindjes dhe gjysmën tjetër të familjes, që përpëlitej në ferrin komunist shqiptar. Kurdoherënga Taraboshi, ai merrte me vehte dhe shtrëngonte në gji, një grusht dhe apo gurë nga toka e nënës, Shqipëria.

Antoni vdiq me 23 shtator 1990, pa arritur të kthehet në atdhe dhe në qytetin e lindjes Shkoder, por arriti të shohë agoninë dhe rrëzimin e bishës komuniste, si në atdheun e tij dhe në të gjithë Europen lindore, gjë për të cilën punoj gjithë jetën. Per aktivitetin e tij politik dhe atdhetar, ne vitin 1993, presidenti i Shqipërisë e nderoi me medaljen “Pishtar i Demokracise”.

Ka rreth 12 vjet që Bashkia e Shkodres neglizhon dhënien e një titulli nderi apo emërtimin e një rruge për të përjetësuar emrin e Anton Logorecit, që me veprimtarinë e tij në Londër i bëri nder kombit dhe qytetit të Shkodres. Por keqdashja dhe injoranca e drejtuesve të administratës lokale nuk do të arrijë të zbehin madhështinë e Anton Logorecit, birit të një familje, gur i fortë në themelet e historisë së qytetit e të kombit shqiptar./ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *