Të hënën e 3 marsit 1913, gazeta franceze « Le Temps », në faqen n° 2 të saj, i ka dedikuar një hapësirë të veçantë Kongresit shqiptar të mbajtur në Trieste.

Shkrimi sjell detaje në lidhje me organizatorët dhe mbështetësit e tij, prejardhjen dhe numrin pjesmarrësve shqiptarë, emrat e presidentit dhe zëvendës/presidentit, si dhe qëllimet e këtij kongresi.

« Kongresi shqiptar, i shpallur në Austri prej disa javësh, u hap dje në Trieste. Ai zgjodhi si President Hil Mosin, dhe Zëvendës/President Faik Bej Konicën.

Njëqind delegatë të kolonive shqiptare në Evropë, Amerikë dhe Egjipt marrin pjesë.Qeveria austriake është e përfaqësuar nga Mahovetz, drejtor i policisë së Triestes, dhe në mënyrë jozyrtare, nga një kapiten stafit.

Delegatët dëshmuan një seri manifestimesh simpatie ndaj Austrisë.

Oratori i parë i cili foli pas presidentit ishte Konti i Taaffe-s, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme në Vjenë dhe djali i ish-ministrit, i cili u shpreh në favor të pretendimeve të Shqipërisë së Madhe.

Zëvendës/Presidenti, Faik Konica mbajti një fjalim, ku ai shprehu mirënjohjen e shqiptarëve ndaj perandorit Franc – Jozef dhe mbretit të Italisë, për dashamirësinë që ata kanë treguar ndaj popullit shqiptar dhe për mundësimin e krijimit të një Shqipërie të pavarur në të ardhmen.

Lexo po ashtu:  Gazeta franceze më 1940: Duçja përuroi monumentin e Skënderbeut me rastin e marshit mbi Romë

Duke shprehur mirënjohjen e popullit shqiptar ndaj qeverive të dy shteteve, oratori propozoi që të dërgojë për Kontin Berchtold dhe markezin e San Guiliano-s të njëjtat telegrame mirënjohjeje, ku shkruhet :

‘Shqiptarët, të bashkuar në kongresin e Triestes, përfaqësues të të gjitha krahinave shqiptare, si dhe kolonive të ndryshme në Austro-Hungari, Itali, Amerikë, Rumani, Egjipt dhe Turqi, kanë vendosur t’i përcjellin në mënyrë unanime Shkëlqesisë Suaj nderimet e tyre dhe ju shprehin mirënjohjen e thellë për interesin efektiv që Shkëlqesia juaj ka dëshmuar ndaj atdheut të tyre. Rumunët e pranishëm i bashkohen këtij urimi.’

Pas leximit të telegrameve, Markezi ‘Gjon Skënderbeu’ u zgjodh kryetar nderi i Kongresit.

Profesori Schuo foli pastaj në favor të aneksimit në Shqipëri të të gjitha vendeve të banuara me shqiptarë. »

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *