Helena mitike e Trojës ka frymëzuar poetë dhe artistë për shekuj me radhë si gruaja, bukuria e së cilës ndezi Luftën e Trojës. Por karakteri i Helenës është më kompleks se sa duket. Kur merr në konsideratë shumë mite greke dhe romake që rrethojnë Helenën, që nga fëmijëria e saj e deri në jetën pas Luftës së Trojës, del një grua shumë më komplekse dhe interesante.

Helena është ndër personazhet mitike me baba Zeusin. Në formën e një mjellme, Zeusi ose e joshi ose e sulmoi nënën e Helenës, Leda. Në po të njëjtën natë, Leda fjeti me bashkëshortin e saj, Tyndareusin dhe si rezultat lindi katër fëmijë, të cilët dolën nga dy vezë.

Nga njëra vezë dolën fëmijët gjysmë-hyjnorë, Helena dhe Polydeuces (që quhet Pollux në latinisht), dhe nga vezët e tjera lindën njerëz vdekatarë, Klitemnestra dhe Kastori. Djemtë, të quajtur kolektivisht Dioscuri, u bënë mbrojtës hyjnorë të detarëve në dete, ndërsa Helena dhe Klitemnestra do të vazhdonin të luanin rol të rëndësishëm në sagën e Luftës së Trojës.

Në një tjetër legjendë të hershme, prindërit e Helenës ishin Zeusi dhe Nemesi, perëndeshë e hakmarrjes. Në këtë version, gjithashtu, Helena doli nga një vezë.

Helena ishte e destinuar të ishte gruaja më e bukur në botë. Reputacioni i saj ishte aq i madh, sa që kur ishte fëmijë e vogël, heroi Tezeu e dëshironte atë për nuse. Ai e rrëmbeu Helenën dhe e fshehu në qytetin e tij të Athinës, por kur ishte larg, vëllezërit e Helenës, Dioscurit, e shpëtuan dhe e çuan sërish në shtëpi.

Lexo po ashtu:  Gjergj Kastrioti i quajtur SKENDERBE: Hero kombëtar i shqiptarëve

Në moshë të madhe, Helenës iu vardisën shumë burra, prej të cilëve ajo zgjodhi Menelaun, mbretin e Spartës. Por, ndonëse Menelau ishte i guximshëm dhe i pasur, dashuria e Helenës për të do të ishte e vakët.

Afërsisht rreth kësaj kohe ndodhte një ngjarje e madhe midis olimpistëve: martesa e perëndeshës Thetis me Peleun e vdekshëm. Të gjitha perënditë u ftuan t’i ndiqnin me përjashtim të Erisit, emri i të cilës do të thotë “mosmarrëveshje”. E inatosur për përjashtimin e saj, Erisi gjithësesi erdhi në festë dhe u hodhi një mollë perëndeshave Hera, Athina dhe Afërdita, mbi të cilën ishte shkruar “Për më të bukurën”. Secila perëndeshë pretendonte se molla ishte menduar për të, dhe sherri që erdhi më pas, vuri në rrezik paqen e Olimpit.

Zeusi caktoi princin e Trojës Parisin për të gjykuar se kush është më e bukur nga të treja. Për të ndikuar në votën e tij, çdo perëndeshë i ofron Paris një “ryshfet”. Nga Hera, Paris do të kishte fuqi mbretërore, ndërsa Athinaja i ofronte fitore në betejë. Afërdita i premtoi atij Helenën, gruan më të bukur në botë, si bashkëshorten. Parisi e shpall fituesen e konkursit.

Lexo po ashtu:  Genghiz Khan, kush ishte udhëheqësi që krijoi perandorinë më të madhe në histori

Për të kërkuar çmimin e premtuar nga Afërdita, Parisi udhëton në oborrin e Menelaut, ku ai nderohet si mysafir. Duke sfiduar ligjet e lashta të mikpritjes, Parisi josh Helenën dhe ikën me të bashkë me anijen e tij.

Poeti romak Ovidi shkruan një letër nga Helena për Parisin, e cila nxjerr qartë hezitimin dhe dëshirën e Helenës.

“Do të doja të kishe ardhur me anijen tënde të shpejtë atëherë,
Kur virgjëria ime kërkohej nga një mijë meshkuj që më vardiseshin,
Po të të kisha parë ty, do të kishe qenë i pari i një mijëve,
Im shoq do të më falë për këtë gjykim!”

(Ovidi, Heroidat 17.103-6)

Paris lundron për në shtëpinë e tij në Trojë me nusen e tij të re, një akt që konsiderohej rrëmbim, pavarësisht nga bashkëpunimi i Helenës. Kur Menelau zbulon se Helena është larguar, ai dhe vëllai i tij Agamemnoni udhëheqin trupat greke, për të bërë luftë kundër Trojës.

Megjithatë, ekziston një version tjetër i udhëtimit të Helenës nga Mikena, i paraqitur nga historiani Herodot, poeti Stesichorus dhe dramaturgu Euripidi në veprën e tij “Helena”. Në këtë version, një stuhi detyron Parisin dhe Helenën që të vendosen në Egjipt, ku mbreti vendas e shkëput Helenën nga rrëmbyesit e saj dhe e dërgon Parisin përsëri në Trojë.

Lexo po ashtu:  Muze për një pjesë të ndjeshme të historisë kur gjermanët ishin refugjatë

Në Egjipt, Helena adhurohet si “Afërdita e Jashtme”. Ndërkohë, në Trojë, një imazh fantazëm i Helenës i bind grekët se ajo ndodhet atje. Përfundimisht, grekët fitojnë luftën dhe Menelau arrin në Egjipt për t’u ribashkuar me Helenën e vërtetë dhe për të lundruar në shtëpi. Herodoti argumenton se ky version i rrëfimit është më i besueshëm, sepse në qoftë se Trojanët do të kishin pasur Helenën e vërtetë në qytetin e tyre, ata do ta kishin kthyer mbrapsht, dhe nuk do të kishin lejuar që kaq shumë ushtarë të vdisnin në betejë për të.

Megjithatë, në versionin më popullor të tregimit, ai i Homerit, Helena dhe Parisi kthehen së bashku në Trojë. Kur ata mbërrijnë, gruaja e parë e Parisit, nimfa Oenone, i sheh ata së bashku dhe ankohet se ai e ka braktisur. Ajo zemërohet dhe madje edhe fajëson Helenën që ka qenë rrëmbyer nga Tezeu kur ishte fëmijë. Në zemërim e sipër ajo thotë:

Ajo që rrëmbehet kaq shpesh, duhet të ofrojë veten që ta rrëmbejnë!

(Ovid, Heroidët V.132)

Kundërvënia e Parisit ndaj Oenones do të rezultojë e dëmshme për të në fund.

Grekët lundrojnë në Trojë dhe fillojnë dhjetë vjet luftë./bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *