Disa ish-të burgosur të Guantanamos i kanë dërguar një letër presidentit të zgjedhur të SHBA, Joe Biden, përmes të cilës kërkojnë mbylljen e burgut që u bë i famshëm për ushtrim torturash. Letra është publikuar nga New York Review of Books dhe aty renditen disa arsye për mbylljen e burgut që ilustroi se edhe demokracia nuk e ka të panjohur dhunën jashtëligjore të cilën e ligjëron për nevoja sigurie.

***

Ju shkruajmë si ish-të burgosur të Shteteve të Bashkuara, të mbajtur pa asnjë akuzë ose gjyq në institucionin e paraburgimit ushtarak në Guantánamo Bay dhe si njerëz, përvojat e të cilëve janë bërë libra.  Së pari, ne mirëpresim urdhrat presidencialë për të ndryshuar shumë vendime të padrejta dhe problematike të marra nga paraardhësi juaj. Ne e vlerësojmë shfuqizimin që ju i bëni “ndalimit të myslimanëve“, falë të cilit, tani do të lejohet hyrja e shtetasve nga vendet me shumicë myslimane, të vënë në shënjestër më parë në Shtetet e Bashkuara, duke sjellë kështu lehtësim për familjet që ky kufizim i ka mbajtur të ndara.

Përkundër disa zhvillimeve pozitive, përfshirë shfuqizimin e ndalimit të myslimanëve, ka një tjetër proces thellësisht të gabuar dhe të padrejtë që ka vijuar përgjatë pesë administratave presidenciale të SHBA-ve dhe që është shtrirë në dy dekada: Burgu në Gjirin Guantánamo. Ai ka një jetëgjatësi prej nëntëmbëdhjetë vjetësh dhe është ndërtuar për të strehuar një popullsi mashkullore ekskluzivisht myslimane. Ne e kuptojmë që besimi juaj është i rëndësishëm për ju dhe ju orienton në vizionin që ju keni për drejtësinë sociale. Gjatë qëndrimit tonë në burg, shpesh kemi reflektuar mbi historinë e Profetit Jozef (Jusuf) në Kuran dhe vitet e tij të burgosjes së padrejtë. E njëjta histori është në Bibël dhe na kujton që drejtësia nuk është vetëm hyjnore, por edhe e përjetshme. Kjo është arsyeja pse ne po ju shkruajmë.

Lexo po ashtu:  Si të arrihet paqja mbi tokë? Marx-i vs Popper-i!

Megjithëse shumica prej nesh u lanë të lirë gjatë administratës Bush, të gjithë ishin me shpresë se Presidenti Obama do të çonte në fund urdhrin e tij ekzekutiv për të mbyllur Guantanamon në 2009. Ndërsa disa prej nesh u lanë të lirë gjatë administratës Obama, megjithatë, u bë e qartë përgjatë mandatit të tij si president se dhënia fund e burgosjeve në Guantánamo nuk do të bëhej një premtim i përmbushur. Shumë prej nesh u rrëmbyen nga shtëpitë, para familjeve dhe u shitën për shpërblime në SHBA nga kombet që pak e vrisnin mendjen për sundimin e ligjit. Na dërguan në vendet ku ishim torturuar fizikisht dhe psikologjikisht, përveçse edhe ishim diskriminuar mbi bazë race dhe feje, në paraburgim në SHBA – madje edhe para se të mbërrinim në Guantánamo.

Disa prej nesh u bënë me fëmijë që kanë lindur në mungesë të baballarëve dhe janë rritur pa ta. Të tjerët përjetuan dhimbje kur mësuan se të dashurit u vdiqën në shtëpi duke pritur më kot lajmet për kthimin tonë. Në pritje të pashpresë për drejtësi. Shumica e të burgosurve ose atyre që mbahen aktualisht në Guantanamo nuk kanë qenë kurrë në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të thotë që imazhi ynë për vendin tuaj është formuar nga përvojat tona në Guantánamo – me fjalë të tjera, ne kemi qenë dëshmitarë të anës së tij të errët. Duke marrë parasysh dhunën e ushtruar në Guantánamo, ne jemi të sigurt që pas më shumë se nëntëmbëdhjetë vjetësh, ju bini dakord se burgosja e njerëzve për një kohë të pacaktuar pa gjyq, ndërsa u nënshtrohen torturave, mizorisë dhe trajtimit degradues, pa lidhje me familjen dhe pa akses në sisteme ligjore, është kulmi i padrejtësisë. Kjo është arsyeja pse burgosja në Guantánamo duhet të marrë fund.

Kanë mbetur vetëm dyzet të burgosur në Guantánamo. Na thonë se kostoja e secilit të burgosur është 13 milionë dollarë në vit. Kjo do të thotë që Shtetet e Bashkuara shpenzojnë 520 milionë dollarë në vit nëpër mbajtjen në burg të njerëzve që nuk do të akuzohen ose dënohen kurrë në një gjykatë amerikane. Përveç katastrofës morale, ligjore dhe asaj të marrëdhënieve me publikun që është Guantanamo, disa nga këto para mund të shpenzohen lehtësisht në programe që do t’i zhvendosnin të burgosurit dhe t’i ndihmonin ata të rindërtojnë jetën e tyre.

Lexo po ashtu:  Kjo është origjina e fjalës ‘Shqipëri’, ja pse bota na quan Albania

Presidenti Bush e hapi atë. Presidenti Obama premtoi ta mbyllë atë, por nuk arriti ta bëjë këtë. Presidenti Trump premtoi ta mbajë të hapur. Tani është radha juaj të formoni trashëgiminë tuaj në lidhje me Guantánamo. Në ceremoninë tuaj të përurimit, ju i thatë botës: “Ne do të gjykohemi, ju dhe unë, nga mënyra se si i zgjidhim krizat e epokës sonë. Ne do të ngrihemi nëse arrijmë ta bëjmë mirë“. Prandaj, sugjerimi ynë është që të ndërmerren hapat e mëposhtëm për të mbyllur Guantanamon:

  • Të gjithë ata që janë lënë të lirë të riatdhesohen menjëherë në vendet e tyre, për sa kohë janë të paprekshëm nga burgimet dhe përndjekjet arbitrare.
  • Zyra për të dërguarin special të rihapet dhe të kërkohen vendet e përshtatshme për të rinisur procesin e zhvendosjes për ata që nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre.
  • Të merren masat e duhura për të siguruar që ish-të burgosurve t’u jepen mjetet për të filluar një jetë të re në vendin e ri dhe t’u sigurohet mbrojtje nga shkelja që mund t’u bëhet këtyre mësave nga shteti pritës.
  • Të anulohet koncepti i “të burgosurve të përjetshëm” dhe të riatdhesohen ata që nuk përballen me akuza nën komisionet ushtarake.
  • Riatdhesimi / zhvendosja nuk duhet të bëhet me forcë dhe të burgosurit nuk duhen dërguar aty ku mund të përballen edhe një herë me burgim arbitrar.
  • Raportet e Bordit të Rishikimit Periodik duhet të zëvendësohen nga domosdoshmëria për të mbyllur Guantanamon dhe për të mos penguar masat e mësipërme.
  • Komisionet ushtarake duhet të anulohen dhe ata që përballen me akuza duhet të gjykohen në përputhje me ligjin.
  • Aty ku është e përshtatshme dhe e praktikueshme, të vendosen mekanizma përmes të cilave të dënuarit për krime mund të vuajnë dënimin e tyre më afër shtëpisë.
Lexo po ashtu:  Drejtori i gazetës “Shqipëtari” Dervish Hima për Le Figaro (1912): “Do të përpiqemi të mbrojmë kufijtë tanë të pushtuar në veri dhe jug."

Guantánamo shkakton mosbesim të thellë në atë që thotë dhe përfaqëson Amerika. Të burgosurit nga dyzet e nëntë vende të ndryshme kanë qenë banorët e qelive të Guantanamos. Ata të burgosur e shikonin Amerikën si një komb të ligjeve dhe lirive dhe sot mendojnë ndryshe. Për dy dekada, bota ka e ka vëzhguar Guantanamon dhe ka vënë në dukje se ai ka qenë një projekt bipartizan, i vënë në zbatim nga republikanët dhe demokratët. Kjo është ajo me të cilën duhet të luftoni dhe ta ndryshoni.

Megjithë abuzimet, pas ndalimit, shumë prej nesh u miqësuan dhe pritën në shtëpitë e tyre ish-ushtarë amerikanë që na ruanin. Ne gjithmonë kemi besuar se kishte edhe një rrugë tjetër.

Gjatë mandatit tuaj si zv.president, Amerika i liroi liderët e lartë të talibanëve nga Guantanamoja. Sot, ata drejtojnë negociatat me zyrtarët e lartë të SHBA për të arritur paqen në Afganistan. Gjatë fjalimit në inaugurimin tuaj, ju thatë: “Çdo mosmarrëveshje nuk ka pse të jetë shkak për luftë totale.” Ne jemi dakord me këtë. Në fakt, siç ka thënë njeherë Obama, Guantánamo “nuk duhej të ishte hapur kurrë”. Ne besojmë se ju mund ta mbyllni Guantanamon përpara përvjetorit të tij të njëzetë.

Shpresa jonë është se do ta bëni këtë.

Mansoor Adayfi (Jemen)
Moazzam Begg (Britani e Madhe)
Lakhdar Boumediane (Francë)
Sami Al Hajj (Katar)
Ahmed Errachidi (Marok)
Mohammed Ould Slahi (Mauritani)
Moussa Zemmouri (Belgjikë)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *