Kur Erdogani largohet nga skena politike, do të ketë përzierje ndjenjash të përbuzjes dhe të lehtësimit të publikut – e jo të respektit që u tregua ndaj Ataturkut

I nderuari President Erdogan,

Po Jua dërgoj këtë letër të hapur sepse më dhemb kur shoh se Turqia – një vend që mund të kishte arritur kulmet e fuqisë dhe të ndikimit, vend të cilit i kanë zili kundërshtarët dhe të cilin e nderojnë miqtë e tij – ka rënë në turp, falë udhëheqjes suaj të korruptuar dhe të devijuar.

Një fillim i mbarë
Kur u ngritët për herë të parë në pushtet, Ju admirova për vizionin dhe aftësitë shtet udhëheqëse që shfaqët.

Brenda pak vitesh, ndërsa prezantuat reformat ekonomike, sociale, gjyqësore dhe politike – të gjitha shumë të nevojshme, por të paprecedentë (të pashembullta) në historinë e Turqisë – pothuajse e kishit transformuar vendin.

Ju u bëtë udhëheqësi i dashur për bashkatdhetarët tuaj, nxorët shumë të varfër nga mjerimi i tyre, u dhatë shpresë të rinjve, siguri për të moshuarit dhe vetëvlerësim për klasën punëtore.

Akademia dhe arsimi i lartë lulëzuan. Bizneset prosperuan. Institucionet publike u rritën dhe përparuan e të drejtat e njeriut qenë të mbrojtura.

Përçarja politike ia la vendin unitetit të qëllimit. Pakicat ndiheshin të sigurta. Perspektiva e Turqisë për t’u bërë një demokraci e vërtetë ishte e sigurt.

Ndërtimi i një historie suksesi
Pa probleme me fqinjë nuk ishte më një slogan i thjeshtë. Aleancat tuaja perëndimore u forcuan, tregtia me vendet e afërta dhe të largëta u zgjerua në mënyrë eksponenciale dhe marrëdhëniet e mira me Lindje dhe Perëndim u bënë historia e suksesit të politikës suaj të jashtme.

BE-ja e hapte derën për Turqinë gjithnjë e më gjerë dhe perspektiva e integrimit nuk ishte më një ëndërr, por një qëllim i arritshëm.

Miqësia e Turqisë me Shtetet e Bashkuara u forcua shumë. Dhe anëtarësimi i saj në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior e bëri Ankaranë jetike për sigurinë e Evropës.

Si një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit, vendndodhja dhe rëndësia gjeostrategjike e Turqisë u bënë gjithnjë e më të çmuara dhe nën udhëheqjen tuaj të mprehtë, Turqia u shfaq si një yll në ngritje, e respektuar nga komuniteti i kombeve.

Si të shkatërrohet një histori suksesi
Dëshira juaj e fshehur për të fituar pushtetin absolut më në fund ka dalë në sheh. Ju kërkuat presidencën, por me kompetenca të zgjeruara, duke ia hapur (trasuar) rrugën diktaturës.

Lexo po ashtu:  PYETJA/ Domosdoshmëria e një debati: PD premton ndryshimin për Shqipërinë, por vetë ajo ka ndryshuar?

Parlamenti turk, nën kontrollin e AKP-së, pranoi marrëzisht, duke mos i kuptuar implikimet e afatgjata të veprimit të tij të gabuar.

Nga madhështia deri te rënia e vetë-fabrikuar
Dhënia e pushtetit të pakufizuar e ka ndryshuar trajektoren e Turqisë – jo drejt madhështisë, por drejt shthurjes dhe rënies gjithnjë në rritje.

Të verbuar nga fuqitë që i keni uzurpuar, ju vendosët se ka ardhur koha për ta ekzekutuar agjendën tuaj të ligë, duke bërë një kthesë prej 180 shkallësh, me tronditje absolute të popullit tuaj, e cila rritej gjithnjë e më shumë, përfshirë përkrahësit tuaj të dikurshëm.

Lakmia për pushtet të plotë dhe fanatizëm islamik
Shumë studiues dhe ekspertë kanë spekuluar për ndryshimin tuaj të pakuptueshëm të drejtimit. Por ka dy shpjegime gjithëpërfshirëse – lakmia juaj për fuqi gjithnjë e më të plotë dhe fanatizmi juaj islamik.

Jeni përpjekur t’i përdorni të dy drejtuesit si një mjet për të ndjekur planet tuaja kërcënuese. Ju besoni se vetëm sundimi i një njeriu, me kusht që ai njëri të jeni ju, mund ta kthejë lavdinë e dyshimtë të epokës osmane.

Devotshmëri e rreme
Ju e keni ngritur flamurin e Islamit si shkop udhëzues, vetëm për ta nënshtruar popullin tuaj ndaj devotshmërisë suaj të rreme.

Ju e keni sakrifikuar më të mirën e asaj që Turqia ka për të ofruar në altarin e egos tuaj perverse.

Pamëshirshmëria, brutaliteti, mizoria, ndëshkimi dhe përdorimi arbitrar i ligjeve të terrorizmit u bënë armët tuaja të zgjedhura, duke i përdorur ato me një hakmarrje kundër armiqve tuaj të perceptuar pa mëshirë, pa dhembshuri dhe pa pendim, por me gëzim dhe krenari.

Pamëshirshmëria dhe nevoja për të fabrikuar historinë
Ju duhej të sajoni një kauzë për të justifikuar tërbimin tuaj kundër çdo individi dhe institucioni që konsideronit se qëndronte në rrugën tuaj. Grusht shteti i dështuar i vitit 2016, që e keni shpikur ishte parajsë e dërguar për llogarinë juaj.

Ju kishit nevojë për një dash të kurbanit dhe Fetullah Gülen – bashkëpunëtori juaj prej kohësh – ishte aty për të shkaktuar zemërimin tuaj. Ju e akuzoni atë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar, megjithëse nuk keni paraqitur kurrë ndonjë provë për të mbështetur pretendimin tuaj të pandershëm.

Lexo po ashtu:  Shkatrimi i gjurmëve arkeologjike Iliro-Dardane të shqiptarëve në Shkup. Pse partitë shqiptare heshtin?

Burgosja masive
Shikoni se çfarë i keni bërë popullit tuaj: keni hetuar qytetarë të panumërt që e respektojnë ligjin, keni burgosur dhjetëra mijëra njerëz të pafajshëm dhe i keni torturuar ata për t’i detyruar t’i pranonin (rrëfenin) krimet që nuk i kanë kryer kurrë.

Ju i burgosët gratë me fëmijët e tyre, duke i nënshtruar ato ndaj shkatërrimit dhe dhimbjes torturuese. Ju e keni sulmuar rregullisht pakicën tuaj kurde, i keni arrestuar personalitetet e shquara dhe intelektualët e tyre për lidhje të dyshuara me PKK-në. Të drejtat civile dhe politike, dikur të siguruara, tani janë bërë lojë e drejte.

Ju e keni mbyllur shtypin e lirë dhe i keni burgosur shumë gazetarë. Ju institucionalizuat diskriminimin kundër të krishterëve dhe feve të tjera “të padëshirueshme”. Ju keni shkelur çdo kod të të drejtave të njeriut.

Vjedhja e dinjitetit të turqve
Në atë proces ju ua keni rrëmbyer dinjitetin bashkatdhetarëve tuaj. Ju po i mbytni; nuk marrin dot frymë, jetojnë në frikë dhe pasiguri dhe nuk i pret gjë tjetër veçse një e ardhme e erret (e zymtë).

Ju e keni shkatërruar atë që ka mbetur nga demokracia e Turqisë. Dhe tani, ju akuzoheni për krime kundër njerëzimit.

Mjeshtër i vetëshkatërrimit ekonomik
Sistemet arsimore dhe shëndetësore po shemben. Ekonomia e vendit është në rrënim: lira turke është në nivelin më të ulët historik, inflacioni qëndron në 20%, dhe papunësia ka arritur në 15%.

Gjatë gjithë kohës, ju keni investuar miliarda dollarë në aventura të huaja, duke siguruar një përzierje të ndihmës ekonomike dhe asaj ndihmës ushtarake.

E gjithë kjo u bë në ndjekje të fushatës suaj fatkeqe për ndërtimin e ndikimit, duke përfshirë ndërtimin e xhamive dhe dërgimin e imamëve për të predikuar ungjillin tuaj dhe për të çuar përpara agjendën tuaj të shtrembëruar islame.

Pompozitet, jo pushtet
Ju nuk e fshihni politikën tuaj të guximshme të jashtme neo-otomane. Kështu që ju përpiqeni ta projektoni fuqinë tuaj nga Gjiri Persik, në Afrikën e Veriut dhe Detin e Kuq, nga Ballkani në Kaukaz dhe Azinë Qendrore – të gjitha rajonet që dikur dominoheshin nga osmanët.

Ndërkohë, ju tradhtuat aleatët tuaj evropianë, duke u ndjere komod dhe duke blerë një sistem të mbrojtjes ajrore nga kundërshtari kryesor i Perëndimit – Rusia.

Kështu, ju komprometuat ndarjen e inteligjencës dhe të teknologjisë së NATO-s, anëtare e së cilës – në mënyrë paradoksale – është Turqia.

Lexo po ashtu:  Gabimi elementar i Albin Kurtit

Probleme me pothuajse të gjithë
Ju nuk e respektoni të drejtën ndërkombëtare dhe në mënyrë flagrante i injoroni rezolutat e OKB-së. Ju jeni të vendosur të dilni si lider i Botës Myslimane Sunite, ndërkohë që po e tjetërsoni një shtet pas tjetrit.

Në vend të ” zero problemeve me fqinjë”, përfunduat duke pasur probleme me çdo fqinj. Në realitet, përfunduat me një “politikë të jashtme pa miq”.

2023: Një rrënojë e asaj që mund të kishte qenë
Teksa e shikoni vitin 2023, përvjetorin e njëqindtë e Republikës Turke, prisni pa frymë për të kryesuar festën. Por ndoshta duhet të shikoni prapa dhe të mendoni: Ku qëndron sot Turqia? Dhe çfarë do të jetë fati i saj nesër?

Ju jeni duke udhëhequr një vend, ylli i të cilit po shuhet, me një popullsi të dëshpëruar dhe në depresion. Një vend në tërheqje, pa asnjë perspektivë rikuperimi për sa kohë ju jeni në krye të pushtetit.

Ju i keni shkatërruar ëndrrat e popullit tuaj, ua keni grabitur lirinë, ua keni mohuar ditën e tyre në gjyq, e keni degraduar mënyrën e tyre të jetesës dhe i keni bërë të rinjtë të pashpresë e të moshuarit të dëshpëruar. Ju po i lini ata me pak perspektivë për t’u rritur dhe prosperuar, ndërkohë që e vulosni krenarinë e tyre.

Jo një Ataturk tjetër
Ëndrra juaj për ta tejkaluar trashëgiminë e themeluesit të Turqisë, Mustafa Kemal Atatürkut, është vetëm një tjetër nga iluzionet tuaja.

Me ambicien tuaj të verbër dhe politikën katastrofike të brendshme dhe të jashtme, ju keni humbur një mundësi historike për ta bërë Turqinë një fuqi të respektuar dhe me ndikim.

Mjerisht, z. Erdogan, kur të largoheni nga skena politike, do të ketë përzierje ndjenjash të përbuzjes dhe të lehtësimit të publikut – e jo të respektit që u tregua ndaj Ataturkut për një shekull.

Dëshira ime e madhe
Uroj, z. Erdogan, që të zgjoheni në realitetin e ashpër dhe të zgjidhni ta riktheni veten, duke bërë një kthesë tjetër prej 180 shkallësh për hir të vendit tuaj.

Ndryshoni keqbërjet tuaja katastrofike të brendshme dhe të jashtme.

Por përsëri, në këtë pikë, edhe kjo mund të jetë një iluzion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *