Elona Agolli, bija e shkrimtarit të njohur Dritëro Agollit, herë pas here zbulon korrespondencat e babait të saj me të afërmit dhe miqtë e tij.

Ndër të tjera, para disa vitesh Elona pati zbuluar edhe një letër që i ishte dërguar babait të saj nga Ali Podrimja, në kohën sa e kishte të shtrirë djalin e tij Lumin, në një spital në Beograd.

Letra është e vitit 1979, dhe sipas Elenës, Ali Podrimja në atë kohë duhet të ketë qenë 37 vjeç.
Podrimja i drejtohej Dritëro Agollit me një lutje, se nëse mund ti gjej ndonjë mjek të mirë, për djalin e tij Lumin. Kurse letra ishte drejtuar Beograd-Tiranë.

Më poshtë po ju sjellim letrën e plotë të Ali Podrimës, që ia kishte nisur në vitin 1979, Dritëro Agollit.

I dashur Dritëro ,
Dëshiroja të jem me Juve, por qe ,më gjet kjo e keqe. Megjithë intervenimet e mëdha të mjekëve, fëmija im gjendet në një kotësi të thellë .
Ai nuk kishte ekinokokun, por tumor në brinin e shtatë të anës së majtë. Tmerr, tmerr dhe diçka e paparamenduar . S’di si do ta mashtroj dhe si do t’i tregoj Fitores; s’di si do t’i kaloj ditët me të.
I dashur Dritëro, nëse mundesh dhe nëse ke miq të mirë nga mjekët, të lutem interesohu dhe më lajmëro disi. Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin , të gjej ilaç për jetën e tij.
Këtë fotografi të Lumit ia jep Xhevairit.
Më fal , nuk po mundem më të shkruaj .
Ju dëshiroj çdo të mirë ty, familjes suaj dhe të gjithë shokëve.
Me dashuri vëllazërore
Ali Podrimja
30.10.79 , Beograd
P.S
30 tetorin do ta mbaj në mend si ditë të rëndë për familjen time .
Aliu

Lexo po ashtu:  Pamjet e pabesueshme të fisit kanibal/ Pijnë nga kafkat e të vdekurve t’u lidhur me Zotat


Kohë më pas , do të shkruhej e mrekullueshmja poezi “Lum Lumi”:

Lum Lumi
A thua është dita jote e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;
Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.

Lexo po ashtu:  Depresioni, nuk është vetëm trishtimi dhe të rrish në shtrat gjithë ditën

spitali tepër i vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.
A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.
A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.
Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.
Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.
Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë
Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.
Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

Lexo po ashtu:  "Unë mund të premtoj të jem i sinqertë, por i paanshëm jo." Ja fjalët më të menqura austriake!

A thua na u sosën fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi.
– poezi nga Ali Podrimja.