Homazhe te përmendorja e Adem Jasharit në Tiranë në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës

Sot, 20 vite më parë, lufta çlirimtare e shqiptarëve dhe bombardimet e NATO-s u finalizuan me tërheqjen, pothuajse pas një shekulli, të regjimit shovinist të Beogradit nga Kosova. Kjo datë çeli rrugën e pavarësisë e atë të bashkimit kombëtar me Shqipërinë, qëllimit historik dhe politik të të gjithë shqiptarëve. Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri bëri sot homazhe dhe vendosi një kurorë te përmendorja e komandantit Adem Jashari në Tiranë.

Hovi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të ishte i njëjtë pa aktin sublim të familjes Jashari. Hapi vendimtar i administratës së presidentit Bill Klinton dhe aleatëve të NATO-s do të qe i pamundur dhe i pamendueshëm pa sakrificën sublime të popullit të Kosovës. Emrat e ndritur të Fehmiut dhe Xhemës, të burgosurve dhe rezistencës, studentëve dhe Ukshinit, sintetizohen në themelimin e UÇK-së dhe në ditën e ngadhënjimit të saj.

Lufta çlirimtare kundër makinerisë gjakësore serbe, e nxori çështjen shqiptare si rrallëherë në krye të axhendës së marrëdhënieve ndërkombëtare, të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Sakrifica e pashembullt e 59 dëshmorëve të rënë në betejën e familjes Jashari në Prekaz, na mëson se vetëm atëherë kur lirinë e duam më shumë se jetën, jeta fiton dinjitetin moral dhe historik që i takon njerëzimit. Lufta çlirimtare e Kosovës dhe fitorja e saj i hap udhën një historie tjetër: mendimi politik botëror kuptoi se drejtësia qëndron në kahjen e mbështetjes së përpjekjes çlirimtare të shqiptarëve. Dëshmorët e themeluan këtë drejtësi. Ne na takon ta mbajmë gjallë. Përgjegjësia e të gjithëve ne në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin, Preshevë dhe mërgatë, pra kudo ku flitet shqip, është besnikëria ndaj këtyre datave.

Lexo po ashtu:  Vuçiq pas takimit me Pompeon: Nuk mund të kërkojmë më shumë nga Amerika

Përjetësisht besnikë Dëshmorëve të Kombit!

Përjetësisht lavdi Dëshmorëve të Kombit!

Tiranë, 12 qershor 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri

/www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *