Zgjedhjet e vitit 2025 nuk janë një përjashtim nga rregulli kriminal i çimentuar prej Edi Ramës dhe Partisë Socialiste në Shqipëri; patronazhimi i votave!
Skema gjigante e keqpërdorimit të të dhënave personale dhe përndjekjes së njerëzve për të orientuar votën e tyre do të aplikohet sërish. Viktimë kësaj radhe në një formë disi më ndryshe nuk do të jenë vetëm ata që banojnë këtu, por edhe shqiptarët e diasporës.
Mësohet se në takimet që tashmë kanë nisur ne terren sipas qarqeve, të dërguarit e Ramës si drejtues politikë kanë filluar punën për ngritjen e një sistemi patronazhimi të votës edhe te emigrantët. Çdo bashki ka një koordinator të dedikuar për diasporën. E po kështu çdo qark ka një të tillë. Përgjegjësia e tyre direkte është të krehin listat e votuesve që janë në diasporë dhe më pas nëpërmjet familjarëve të tyre në Shqipëri të mbërrijnë tek ta.
Natyrisht duke iu marrë kontaktet familjarëve, duke gjurmuar adresat dhe më pas të përpiqen me çdo formë të ndikojnë te vota e tyre. Sigurisht që ky është një operacion më i vështirë sesa ai që Rama bën brenda vendit. Këtu presioni i pushtetit me vendin e punës, biznesin, shërbimet, policinë politike dhe shtetin e patronazhistëve në tërësi është më i madh. E megjithatë PS do të tentojë një lloj ndikimi te diaspora përmes familjarëve të tyre në Shqipëri.
Nëse tek votuesit brenda vendit presioni vjen direkt nga makineria shtetërore, për ata në diasporë presioni do të shkojë përmes familjarëve të tyre në Shqipëri, të cilët do të detyrohen në forma të ndryshme t’u japin patronazhistëve të Ramës adresat dhe kontaktet e njerëzve të tyre jashtë vendit.
PS po punon aktualisht me ngritjen e kësaj infrastrukture dhe databazës për t’i paraprirë sistemit që do të hapë KQZ në muajin janar për regjistrimin e votuesve të diasporës. Synimi është të krijojë një kontigjent votuesish në diasporë të kontrolluar apo ndikuar përmes familjarëve që kanë në atdhe dhe t’i detyrojnë të votojnë pro Partisë Socialiste.
Natyrisht që efektiviteti mbetet për t’u parë sepse kontrolli mbi sjelljen e votuesve të diasporës është më i ulët sesa kontrolli që partia-shtet ushtron në Shqipëri.
PS e shikon diasporën edhe si një hambar të madh votash për t’u rritur më shumë në mandate. Përllogarja është që janë diku tek rreth 1.7 milionë shqiptarë me të drejtë vote jashtë vendit. Interesimi për të marrë pjesë në këtë proces që zhvillohet për herë të parë mbetet të shihet në pranverën e ardhshme.
Vota do të dërgohet me zarf me postë zyrtare dhe do të numërohet në KQZ ditën e zgjedhjeve. Por paralelisht me revanshin e Ramës për shpërndarjen e patronazhistëve edhe në diasporë, PS i druhet gjithashtu një skenari bllokimi të opozitës në KQZ.
Nëse nuk ka dakordësi për modalitetet e regjistrimit dhe administrimit të votës deri në mesin e muajit nëntor, mund të kthehemi në pikën zero ku diaspora do të privohet sërish nga e drejta e votës. Klima e tensionuar së fundi në Kuvend dhe përndjekja që Rama po iu bën deputetëve të opozitës nuk janë në favor të konsensusit që duhet edhe brenda KQZ-së.