Doli nga shtypi libri i ri “Antitabu” i diplomatit dhe studiuesit Shaban Murati, botim i shtëpisë prestigjioze botuese “Albas”, që drejtohet nga poetja e mirënjohur Rita Petro. Libri është një përmbledhje mikroesesh dhe mikroanalizash, opinionesh, tezash dhe reflektimesh për një tematikë të gjerë të zhvillimit dhe të mendimit shoqëror shqiptar, që përfshin probleme të jetës së përditshme, të politikës, të diplomacisë, të historisë, të çështjes shqiptare, të etikës, të letërsisë, të estetikës, të marrëdhënieve fetare, të gjenezës, të rajonit, etj. Janë reflektime dhe nevoja intelektuale të kohës, të individualizuara nga një përvojë e gjatë studimore dhe analitike e autorit.

Libri përfaqëson një ngulmim intelektual për të trokitur dhe për të hapur dyert e rënda të tabuve të shumta, që prangosin sot shoqërinë shqiptare; tabu të krijuara nga historia e dhimbshme e pushtimeve të gjata prej mijra vjetësh; tabu të krijuara nga varfëria proverbiale dhe nga prirja e detyruar e mbijetesës në guackën e mbylljes në vetvete; tabu të krijuara nga imponimet e mentaliteteve dhe kulturave heterogjene të të gjitha pushtimeve të tokës arbërore në dy mijë vjet; tabu të krijuara nga niveli i ulët kulturor dhe nga rrethimet gjeografike dhe shpirtërore; tabu të ngurtësuara nga baza e pashërueshme tribale e shoqërisë dhe e mendjes shqiptare; tabu të krijuara nga regjimet autokratike dhe udhëheqësit autokratë në gjithë historinë e shtetit shqiptar; tabu të injektuara nga shtetet fqinj, që nuk kanë dashur kurrë që Shqipëria të ecë në një hap me botën; tabu që nuk i theu dot as sistemi demokratik pas shembjes së komunizmit në Europën Lindore dhe që për fat të keq vegjetojnë dhe janë norma etike dhe jetese në ditët e sotme.

Lexo po ashtu:  Pjesë nga kryevepra e Ibsen,“Shtëpi kukulle”. Kryengritja e Norës, gruas së përdorur si një kukull… "Në shtëpinë time, të babai, mua më kanë trajtuar si një kukull të vogël. Këtu, te ti, si në kukull të madhe."

Janë kaq shumë tabu, të cilat duhen hapur me forcë e duhen neutralizuar dhe ndaj Shaban Murati i analizon në librin e ri “Antitabu”, që vjen si grishje për një revolucion mendimor në shoqërinë shqiptare.
Autori troket, ngacmon dhe provokon lexuesin dhe shkencat përkatëse shoqërore për hapjemendje në kohrat moderne, për të thyer tabutë e trashëguara dhe të krijuara, për t’i nxitur shoqërisë dhe mendimit shoqëror shqiptar perspektivën e përparimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *