U nda nga jeta kolegu e miku ynë, profesor Abdyl Kadolli (1946-2019), shkrimtar, kritik, esist e publicist, i cili tërë jetën u përpoq të japë ndihmesën e tij në shumë fusha, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të arritur në qëllimin parësor – lirinë dhe bashkimin e kombit.

Si intelektual dhe njeri me diapazon të gjerë u angazhua në periudhat më të ndjeshme në veprimtari që gati do t’i kushtojnë me jetë. Pos punës si pedagog, publicist, shkrimtar, esesit, kritik, ai në vitet ’90 të shekullit të kaluar do të bëjë një punë të veçantë si sekretar i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë me seli në Prishtinë, me ç’rast do të rrëmbehet, do të torturohet e do të kërcënohet nga policia sekrete serbe për veprimtarinë e tij atdhetare dhe do të hidhej në shpatet e Gërmisë për t’ia ndalur veprimtarinë e tij.

Por, përkundrazi, ai do të punojë e do të angazhohet veçanërisht pas këtij veprimi me tërë mundin e vullnetin për të dalë nga prangat e pushtuesit. Si rezultat i punës së tij me përkushtim është vepra publicistike “Ora kombëtare” (“Ars”, Prishtinë, 2001), që do ta shohë dritën në vitin 2001. Ai ka botuar dhe vëllimin poetik “Këmisha e zjarrit” (“Rilindja”, Prishtinë, 1998), por ka lënë në dorëshkrim edhe disa vepra.

Lexo po ashtu:  Ende nuk i kemi hequr pengesat që po dëmtojnë aspiratën tonë, së shpejti shkojmë në zgjedhje

Me këtë rast, do ta themi për herë të parë se Abdyli gjatë viteve ’80 e më pas është angazhuar edhe me ndihma materiale për të realizuar një varg aksionesh të veprimtarëve të lëvizjes çlirimtare.

Këto dy dekadat e fundit ishte anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe redaktor e kryeredaktor i revistës sonë letrare “Metafora”, të cilën e realizoi me profesionalizëm e përkushtim të veçantë, madje duke lënë shumë punë personale anash.

Ndihmesa e tij e dalluar ka qenë edhe në organizmin e manifestimeve tona letrare e kulturore, sidomos në dy takimet që tashmë janë tradicionale, festivali ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik”, që mbahet më 9 e 10 qershor në Prishtinë, Prizren e Kukës dhe takimi letrar “Esad Mekuli” që mbahet në Prishtinë. Shumë herë ka qenë anëtar jurie e pjesëmarrës në aktivitete letrare në Kosovë, në Shqipëri e në mjedise të tjera.

Pa dyshim, Abdyli ynë do t’i mungojë familjes e të gjithë neve, por kujtimi i tij do të mbetet i gjallë përjetë!

LSHK-ja bën mbledhje përkujtimore nesër në orën 12, kurse varrimi bëhet në orën 15 në Arbëri, Prishtinë.

Lexo po ashtu:  BREXIT vë në lëvizje ndarjen e Mbretërisë së Bashkuar - Lamtumirë BE!

Lavdi jetës dhe veprës së Abdyl Kadollit! /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *