Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç nuk i ka miratuar amendamentet e Ligjit mbi liritë fetare, ligj ky që është kritikuar nga serbët etnikë dhe Kisha Ortodokse Serbe. Gjukanoviç i ka kthyer amendamentet në parlament, së bashku edhe me gjashtë ligje të tjera, që u miratuan nga koalicioni qeverisës.

Në total, 41 deputetë të koalicionit qeverisës, që përbëhet nga partitë pro-serbe, kanë mbështetur amendamentet e Ligjit për lirinë fetare gjatë votimit më 29 dhjetor, 2020, teksa opozita e ka bojkotuar votimin e këtyre amendamenteve.

Zyra e presidentit ka thënë se është e paqartë nëse numri i nevojshëm i ligjvënësve ishte i pranishëm në parlament gjatë votimit.

Pas kthimit të Ligjit për liritë fetare nga ana e presidentit, kryeministri malazez, ka shkruar në Twitter se ky “gjest i njeriut të parë të shtetit tregon më së miri se si funksionon bashkëjetesa në praktikë”.

Ndërkaq, zëvendëskryeminsitri Dritan Abazoviç, paralajmëroi se nëse Gjukanoviç “shkel Kushtetutën, do të zëvendësohet”. Gjukanoviç udhëheq me Partinë Demokratike të Socialistëve, që tashmë është në opozitë.

Lexo po ashtu:  Gjykata e Apelit refuzon ankesat e Grupit të Kumanovës, konfirmon vendimin e shkallës së parë

Nëse deputetët votojnë sërish për amendamentet, presidenti është i obliguar që t’i miratojë ato. Sipas Ligjit për liritë fetare, që është miratuar vitin e kaluar, komunitetet fetare duhet të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918.

Qeveria e re, që doli pas zgjedhjeve të gushtit, ka thënë se do ta ndryshojë ligjin me qëllim që të sigurohet se pronat do të mbeten në dorën e Kishës, që selinë e ka në shtetin fqinj, Serbi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *