Kohëzgjatja e leximit: 2 minuta

Deklarata e nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Gazmend Syla, se rezultati i fundit zgjedhor përfaqëson “gjysmë milioni vota kundër UÇK-së”, ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, duke hapur një debat të ndjeshëm mbi mënyrën se si po interpretohet vullneti i qytetarëve.

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

“Rreth gjysmë milioni vota kundër UÇK-së. Një listë pa asnjë vlerë kombëtare fitoi përballë tri listave të tjera, të mbushura me atdhetarë, patriotë, udhëheqës lufte dhe luftëtarë të dëshmuar,” kishte deklaruar Syla.

Ndaj këtyre pohimeve ka reaguar Kryetari i Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Londër, Qëndrim Krasniqi, i cili i ka cilësuar deklaratat si të padrejta, përçarëse dhe të pavërteta, duke theksuar se vota e qytetarëve nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet si votë kundër luftës çlirimtare.

Sipas Krasniqit, Vetëvendosje është subjekti politik që në radhët e tij mban numrin më të madh të ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dëshmuar qartë respektin institucional ndaj vlerave të luftës dhe vazhdimësinë e tyre në jetën politike të vendit.

Lexo po ashtu:  U hapën për herë të parë dyert e piramidës 4 mijë vjeçare

Ai ka përmendur disa nga figurat që kanë qenë pjesë e UÇK-së dhe që sot janë pjesë e Vetëvendosjes, si: Albin Kurti, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti-Selimi, Refki Suma, Hysen Durmishi, Salih Zyba, Naim Bardiqi, Driton Hyseni, Ilir Qeriqi, Mimoza Shala dhe Gani Krasniqi.

“Përpjekja për ta paraqitur një subjekt politik si antikombëtar, ndërkohë që në radhët e tij ka luftëtarë të dëshmuar të UÇK-së, është jo vetëm e pasaktë, por edhe e rrezikshme për unitetin shoqëror,” ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se lufta çlirimtare është pronë e gjithë popullit dhe nuk mund të përdoret si mjet për ndarje politike apo për delegjitimim të vullnetit demokratik të qytetarëve, duke bërë thirrje për maturi në diskursin publik dhe respektim të zgjedhjes së lirë të qytetarëve.