Freudi dhe Einsteini njihen në vitin 1927. Një miqësi e ngjizur jo fort nga shoqërimi i shpeshtë, se sa nga ndjenja e përbashkët e dëshirës për të kthyer realitetin – atë psiqik dhe atë të gjithësisë, që na mban brenda – brenda rregullave të shkencës.

Por çka i bashkon vërtetë në të trajtuarit e argumentit Luftë midis llojit, në një shkëmbim epistolar të shpejtë, por të dendur, të vitit 1931, është parandjenja e katastrofës. Freudit, që prej vitesh kryente kërkime mbi pulsimet shkatërruese të njeriut, Einsteini i bën një pyetje krejt shkoqur: A është e mundur të drejtohet evolucioni mendor, në mënyrë që lloji ynë t’i mbijetojë urrejtjes? Por përtej asaj që i përgjigjet mjeku, konfrontimi në vetvete na sjell në pragun e portës së përgjigjes, por në të njëjtën kohë, na hedh në krahët e dilemave të tjera.

Të rilexosh këtë korrspondencë në dritën e një konteksti të ri, do të thotë të kuptosh aktualitetin e një mesazhi të urtë, më shumë se sa thjeshtë shkencor… . E ardhmja për të cilën flasin Freudi dhe Einsteini mund të konsiderohet e tashmja jonë.

Letra e Einstein-it, drejtuar Freud-it
Caputh (Potsdam), 30 Korrik 1932

I dashur Z. Freud  

Propozimi që mu bë nga Lidhja e Kombeve dhe nga Insitituti Ndëkombëtar i Bashkëpunimit Intelektual i Parisit, për të ftuar një person të parapëlqyer prej meje, për një shkëmbim të sinqertë opinionesh mbi një problem të zgjedhur nga unë vetë, më ofron rastin e shumëpritur për të dialoguar me Ju, rreth një pyetjeje, që në kushtet aktuale botërore, duket si më urgjentja, mes atyre që i bëhen qytetërimit. Pyetja është: A ka një mënyrë për të çliruar njerëzit nga fataliteti i luftës? Është e ditur tashmë, se me progresin e shkencës moderne, për qytetërimin që ne njohim, t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje është bërë një çështje jete a vdekjeje, e megjithatë, pavarësisht gjithë vullnetit të mirë, asnjë tentativë zgjidhjeje nuk ka sjellë fatkeqësisht ndonjë rezultat.

Mendoj gjithashtu se ata, të cilëve u takon profesionalisht e praktikisht të përballen me këtë problem, bëhen çdo ditë e më tepër të vetëdijshëm për pafuqinë e tyre në këtë drejtim, kanë një dëshirë të njohin mendimet e personave të absorbuar nga kërkimi shkencor, të cilët, pikërisht për këtë arsye, do të ishin në gjendje të observonin problemet e botës, përmes një distance të mjaftueshme. Sa për mua, objektivi drejt së cilit orientohet zakonisht mendimi im, nuk më ndihmon të dalloj tulatjet e errëta të vullnetit dhe të ndjenjës njerëzore. Prandaj edhe, për sa i përket kërkesës sime, do të më duhet të kufizohem së shtruari problemin në terma të duhura, duke Ju lejuar kështu, mbi një terren të spastruar nga zgjidhjet afërmendsh, të përdorni njohurinë Tuaj të thellë mbi jetën njerëzore, për të hedhur pakëz dritë mbi problemin në fjalë. Duke qenë se ekzistojnë pengesa të caktuara psikologjike, për të cilat kush nuk njeh shkencën psikologjike, nuk mund të eksplorojë korrelacionet dhe, jam i bindur se ju mund të sygjeroni metoda edukative, pak a shumë larg nga konteksti politik, që do të eleminonin pengesat e mësipërme.

Duke qenë vetë i pa prekur nga ndjenja nacionaliste, personalisht shoh një mënyrë të thjeshtë për t’u përballur me aspektin e jashtëm, domethënë atë organizativ, të problemit: shtetet të krijojnë një autoritet legjislativ e gjyqësor, me mandat për t’i dhënë zgjdhje të gjitha konflikteve, që mund të lindin mes tyre. Çdo shtet të marrë mbi vete detyrimin për të respektuar dekretet e këtij autoriteti, të bëjë thirrje për zgjdhjen e çdo mosmarrëveshjeje, të pranojë gjykimin pa rezerva, si dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar vetë i pari rregullat. Këtu ndeshim vështirësinë e parë: një gjykatë është një institucion njerëzor, që sa më pak është në gjendje të garantojë respektimin e vendimeve të veta, aq më shumë i nënshtrohet trysnive jashtëgjyqësore. Dhe këtu kemi të bëjmë me një realitet që s’mund të lihet pa konsideruar: e drejta dhe forca janë të pandashme, vendimet e së drejtës i afrohen drejtësisë, që aspiron komuniteti në emër e në interes të të cilit merren vendimet, por vetëm në masën që ky komunitet ka fuqi të vërtetë për të imponuar respektimin e idealit të tij të ligjëruar. Por, sot jemi larg të zotëruarit të një organizate ndërkombëtare, që mund të lëshojë verdikte të një autoriteti të pakundërshtueshëm, e që mund të imponojë me forcë t’i nënshtrohesh ekzekutimit të vendimeve të saj. Arrita pra në aksiomën time të parë: Të kërkuarit e sigurisë ndërkombëtare, bën që çdo shtet të heqë dorë pa kushte nga një pjesë e lirisë së tij të veprimit, si të thuash nga sovraniteti i tij, dhe është mëse e qartë, se nuk ka rrugë tjetër për të arritur tek një siguri e tillë.

Pavarësisht të gjithave, mos-suksesi i tentativave të bëra në dhjetëvjeçarin e fundit për të realizuar këtë qëllim, na bën të konkludojmë, pa pikë dyshimi, që këtu veprojnë faktorë të fortë psikologjikë, që paralizojnë çdo përpjekje. Disa nga këta faktorë janë të dukshëm. Në çdo shtet, etja e klasës dominuese për pushtet bie ndesh me çdo kufizim të sovranitetit kombëtar. Kjo dëshirë e tepruar për pushtet, puqet fort mirë me qëllimet e kujtdo që kërkon përfitime mercenare, ekonomike. Kam ndërmend këtu ato grupime të vogla por të vendosura, aktive në çdo Shtet, dhe mospërfillëse ndaj çfarëdo konsiderate a kufizimi social, që shohin tek lufta, pra tek fabrikimi dhe shitblerja e armëve, vetëm një rast për të promovuar interesat e tyre personale, si dhe për të zgjeruar autoritetin personal.

Gjithësesi, pranimi i këtij fakti që s’mund të kundështohet, na bëri të hedhim thjesht hapin e parë për të kuptuar si qëndrojnë sot gjërat. Dhe gjendemi menjëherë përballë një tjetër pyetjeje: Si ka mundësi që pakica e sapopërmendur, t’ia dalë të skllavërojë para epsheve të veta masën e popullit, që prej një lufte ka vetëm ç’të vuajë e ç’të humbë? (Kur flas për shumicë nuk përjashtoj ushtarët, e të gjitha gradave, të cilët kanë zgjedhur luftën si zanat, të bindur se po i shërbejnë mbrojtjes së interesave më të larta të popullit të tyre, dhe se sulmi është shpesh mbrojtja më e mirë.) Një përgjigje ashiqare ndaj kësaj pyetjeje do të ishte se pakica e atyre që hera-herës janë në pushtet, kanë në dorë para së gjithash shkollën dhe shtypin, e më së shumti, edhe organizatat fetare. Kjo i lejon ata t’i organizojnë dhe ti devijojnë ndjenjat e masave, duke i kthyer në instrumenta të politikës së tyre./bota.al

Lexo po ashtu:  Faik Konica shkoi në Berlin në fundvitin 1913, për t’u takuar me Vidin dhe për ta këshilluar personalisht Vidin për detyrën që ai kishte marrë përsipër në Shqipëri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *