Doli nga shtypi libri me kujtime: Lufta kundra Malit të Zi me autor At Bernardin Llupin, OFM.

Janë kujtime të vitit 1915. Në këto kujtime tregohet lufta që udhëhoqen malësorët në krye fratin At Bernardin Llupi, aso kohe famullitar në Palç, kundra ushtrisë malazeze që mësynte me coptue Shqipninë dhe me marrë veriun e saj. Sigurisht synonte Shkodrën. Shumë ngjarje të panjoftuna tregohen prej At Bernardin Llupit. 

Në këto kujtime del në pah trimnia e malësorëve, bujaria dhe fisnikëria e Bajram Currit, e Prel Tuli e shumë prijsave të tjerë malësorë. Sigurisht, bie në sy tradhtia e Isa Boletinit që me 70 vetë braktisë luftën tue i lanë në mëshirë të fatit malësorët kundra ushtrisë malazeze. Mandej, aty vrejmë edhe virtytet kristiane e njerëzore, e sidomos frati që mjekonte të plagosunit e luftës pa dallim shqiptarë e malazezë bashkë. E natyrisht, lufta e pashoqe e malësorëve trima për të mbrojtë vendin e tyne sjellin për historinë e Shqipnisë faqe të panjoftuna dhe kontribute të vlefshme për njohjen e plotë të saj. 

Lexo po ashtu:  Edith Durham duke biseduar me një Bajraktar në Koplik në vitin 1912

Ndokush kujtimet e fratit mund t’i konsiderojë ngjarje periferike, apo dikushtjetër mund t’i mendojë pak të randësishme. Në të vërtetë ky libër kallëzon krejt të kundërtën. Ajo qëndresë burrnore shfaqi përsonalitetin e fratit françeskan në mbrojtje të tokave shqiptare dhe bashkimin e malësorëve rreth fratit, pa dallim katolikë e mysliman dhe rreth flamurit të Shqipnisë gati me derdhë gjakun për mos cënimin e kufijve të vendit tonë. 
Dhe ky kontribut i çmueshëm i shtohet kolanës së Shkrimtarëve Françeskanë si shërbim i përvujtë për historinë kombëtare. Dhe me ketë libër publiku dhe lexuesit e censhëm tashma do të njihen me nji tjetër përsonalitet të spikatun në radhët e Françeskanëve me fratin martir At Bernardin Llupi. 

At Bernardin Llupi si përsonazhi kryesor i atyne ngjarjeve, mbasi mbaroi lufta e dytë botnore, u gjetë me shërbim meshtarak në Kosovë, aty paditet prej agjentavet si propagandist shqiptar e anti-jugoslav, kje qitë në gjygj e gjykue për pushkatim. U pushkatue nga komunistat me datën 25 Nandor në vitin 1946, në Prizren. Qe varrosë në vend të panjohun. Ndoshta vrasja e tij vjen si hakmarrje për veprën e madhe në sherbim të kombit shqiptar. 
Daktiloshkrimi origjinal i kujtimeve të Át Bernardin Llupit, asht ruejt me kujdes të veçantë në arkivin e Gjon dhe Willy Kamsit. Ne e kemi botue simbas origjinalit. /www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

Lexo po ashtu:  Dëbimi i shqiptarëve nga Mali i Zi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *