Emmanuel Macron foli për fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe tha se ka ardhur koha që evropianët të marrin proceset politike në duart e tyre.

Gjatë një fjalimi në Samitin e komunitetit politik në Budapest, presidenti francez tha se evropianët duhet të mbrojnë interesat e tyre.

“Ne nuk duhet t’ia delegojmë sigurinë Amerikës përgjithmonë. Lideri amerikan Donald Trump do të mbrojë në mënyrë legjitime interesat e popullit amerikan. A jemi gati të mbrojmë interesat e popujve evropianë?”, pyeti ai.

Lideri francez tha se fitorja e Ukrainës në luftën kundër Rusisë është interesi më i mirë i Evropës.

“Interesi ynë është që Rusia të mos fitojë”, theksoi 46-vjeçari, shkruan france24.

Ai tha gjithashtu se liderët e vendeve të Bashkimit Evropian kanë forcën dhe vullnetin që ta shkruajnë vetë historinë.

Kujtojmë se Macron foli pak pasi u bë e ditur se republikani do të bëhej presidenti i 47-të i SHBA-së dhe e uroi për fitoren.

“Ne jemi gati të punojmë së bashku siç kemi bërë për katër vjet. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe prosperitet”, përfundoi francezi.

Lexo po ashtu:  Të merr malli të dëgjosh një debat vërtet politik e përfaqësues në Kuvend, sepse më shpesh ose janë përplasje banale e brutale, ose janë diskutime të thata prej studentësh që ...

Ndryshe, republikani Donald Trump ka triumfuar në zgjedhjet presidenciale amerikane kundër demokrates, Kamala Harris.