Madhështore ishte përcjellja e eshtrave të heronjve në Shkodër. Prekëse janë fjalët e mbajtura nga Anton Harapi e Ernest Koliqi, të pabotuara më parë në kohën e diktaturës, shkruan MekuliPress:

  • Nga fjala e lamtumirës së Pater Anton Harapit:

“Ndaluni! Ku veni burra?!

Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra Kreshnike, ktu në log të kuvendit para se të daheni. Do ta leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së parit pat t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shndoshtë, gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqypnija u qiti dhe u ndriti!

…Veç, o burra, qi, dekun, flitni, të metun, njalleni, të hupun, sod ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqypnis, deh, lshonie nji za, at zanin t’uej kumbues si të luajve, diftoni djelmnis shqiptare shka u ushqeu idealin, shka u mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.

….T’i diftojm, po, botës, se shqyptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedan e kristjan, e njiherit shqyptarë të njimendtë.

Lexo po ashtu:  Koloneli anglez në 1943: Vetëm bashkimi mban gjallë Shqipërinë, e kam si atdhe të dytë

Zoti i vërtetë e atdheu le të na bashkojn, Zoti e atdheu të na mbajn, me Zot e me Atdhe të lumnojm!”

  • Nga fjalimi i lamtumirës së Ernest Koliqit:

E ju, o ju Hije madhore të Çerçiz Topullit e të Mustafa Qullit, nisnju kah vendet jueja tue ngjallun nëpër të gjitha buzët nji kangë shprese. Zgjoni në kalim zemrat e fjetuna; fuqizoni shpirtrat e ligshtuem. Shka kërkon djalëria prej Shqypnis? Drejtësi të plotë shoqnore.

O ti, Çerçiz, o ti Mustafa Qulli, që ma t’kuq e batë flamurin tonë me gjakun e pastër t’uj, shpallnja djalëris se përparimi më i drejtë se drejtësia ma e plotë shoqnore mund t’arrihen n’emën të shqypnisë. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *