Dioqeza e Rashkë-Prizrenit me një javë vonesë, të enjten ka bërë me dije se e ka marrë letrën e kryeministrit Kurti, ku, ndër të tjera, ai pret përgjigje për një vizitë e takim me kryemurgun Sava Janiq. Por për këtë autoritet nuk ia vlen të merren me një letër të tillë. Krejt ky komunikim interpretohet në kontraste. Për dikë është sjellje e duhur e Qeverisë së Kosovës në raport me Kishën Ortodokse Serbe e dikush e sheh si lojë në prag të rinisjes së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. “Provokim” e ka quajtur letrën e Kurtit presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Kisha Ortodokse Serbe ka zgjedhur që publikisht dhe në mënyrë të tërthortë ta refuzojë kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ta vizituar Manastirin e Deçanit. Autoritetet kishtare serbe në Kosovë këtë e kanë bërë nëpërmjet një komunikate të Dioqezës së Rashkë-Prizrenit. I janë përgjigjur kryeministrit Kurti fiks shtatë ditë pasi ai iu adresua me një letër abatit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.

Krejt ky komunikim interpretohet në kontraste. Për dikë është sjellje e duhur e Qeverisë në raport me Kishën Ortodokse Serbe e dikush e sheh si lojë në prag të rinisjes së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Provokim me skenar të rrezikshëm e ka “përkthyer” veprimin e Qeverisë së Kosovës presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që s’i ka kursyer akuzat. Ekzekutivi gjatë të enjtes s’i ka kthyer përgjigje KOHËS.

Kurti: Konfirmojmë përkushtim për trashëgiminë kulturore

Në ditën e 20-të të këtij muaji kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte shkruar kryemurgut Sava Janiq se konfirmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të të gjitha komuniteteve. Kurti kishte shkruar se të gjitha asetet e trashëgimisë kulturore në Kosovë pa përjashtim janë burim krenarie, identiteti e edukimi për shtetin dhe popullin.

“Institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë veprime të panumërta për mbrojtjen e të drejtave kulturore të komuniteteve joshumicë”, shkruhet në letër. Aty kryeministri shpreh interesim që ta bëjë një vizitë në Manastirin e Deçanit me besimin se nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë mënjanohen paragjykimet dhe adresohen sfidat e përbashkëta.

“Do të jem në pritje të përgjigjes suaj për të përcaktuar detajet e vizitës”, shkruhet në letër.

Por kryeministri Albin Kurti nuk mori përgjigje nga abati Sava Janjiq. Në vend të kryemurgut të Manastirit të Deçanit, Kurtit publikisht iu përgjigj Dioqeza e Rashkë-Prizrenit, të enjten, me shtatë ditë vonesë.

Lexo po ashtu:  Teoria e fundit: Jezusi nuk ka vdekur i kryqëzuar

Kisha Ortodokse tërthorazi refuzon kërkesën

Dioqeza ka shkruar se lidhur me letrën e Kurtit ata mbesin në qëndrimin e deklaruar qartësisht më herët se “nëse institucionet shqiptare të Kosovës dëshirojnë të tregojnë minimumin e vullnetit të mirë për respektimin e të drejtave të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe Metohi, ata janë të detyruar të zbatojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016, e cila njohu pronën e Manastirit”. Sipas komunikatës së Dioqezës, ky vendim është injoruar vazhdimisht për pesë vjet me gjithë kërkesat për zbatimin e tij nga Manastiri dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.

“Përveç kësaj, ministri i Planifikimit Hapësinor nga Qeveria e z. Kurti publikisht refuzoi vendimin e Këshillit të Monitorimit të Zbatimit të nëntorit 2020 për ndërtimin e rrugës anashkaluese rreth zonës së mbrojtur të Manastirit. Minimi i këtij vendimi, që është miratuar me ndërmjetësim ndërkombëtar, i bie që po bëhet thirrje për shkelje të Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura.

Në këtë rast Dioqeza i është referuar fjalimit të ministrit Liburn Aliu në Kuvendin e Kosovës.

Aliu në ditën e 17-të të këtij muaji në Kuvendnin e Kosovës, në një përballje me opozitën, kishte thënë se është gabim që të ndërtohet një rrugë 18 kilometrash në vend të 6 kilometrave.

“Ky është gabim, sepse ne krijomë një precedent të rrezikshëm. Ku të kemi zona të veçanta nën mbrojtje pastaj Kisha do të na kërkojë të bëjmë anashkalime. Kisha lyp bypass, ne pranojmë të bëjmë bypass, realisht pranojmë njëfarë eksterritorialiteti të saj. Kisha mund të të lyp bypass në çdo vend”, kishte thënë ai.

Krejt në fund të komunikatës Dioqeza e Rashkë-Prizrenit ia ka bërë të qartë kryeministrit Kurti se nuk mund t’i përgjigjen kërkesës së tij pa u plotësuar disa kushte.

“Në këtë situatë përgjigjja në letra të tilla pa respektimin e mëparshëm të vendimeve gjyqësore dhe sundimit të ligjit është absolutisht e pakuptimtë”, shkruhet në komunikatë.

Por Kisha Ortodokse Serbe nuk është i vetmi autoritet që është marrë me letrën e Kurtit.

Vuçiq: Kurti bëhet sikur i do serbët

Pas një dreke që ka pasur me patriarkun Porfirije dhe episkopët e Kishës Ortodokse Serbe në Beograd, vetë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është marrë me letrën e Kurtit.

“Kurti nuk flet për trashëgiminë kulturore serbe, por për atë kosovare, se Manastiri i Deçanit është trashëgimi kulturore e shtetit të Kosovës. Krejt loja është aty që ai të dalë sikur i do serbët, se do që të bisedojë me ta, se jetojnë mirë në Kosovën e pavarur, por nuk do që të flasë me Serbinë, se ajo s’ka çfarë të kërkojë në Kosovë”, ka thënë Vuçiqi. Ka konstatuar se nuk habitet kur lojën e Kurtit s’e kuptojnë disa politikanë, por jo edhe mediat e Serbisë.

Lexo po ashtu:  Foto e rrallë kur malësorët shqiptarë u nisën për të mbrojtur ngritjen e flamurit (FOTO)

“Po vjen kohë e zorshme. Klerikët tanë po reagojnë mençur kur nuk i përgjigjen secilit provokim dhe që mirë e kuptojnë se çfarë është provokimi”, ka thënë Vuçiqi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po luan ‘pingpong’ para dialogut”

Por shkëmbimi i letrave dhe situata e krijuar, për Arsim Canollin, profesor i antropologjisë dhe trashëgimisë kulturore në Fakultetin Filozofik, është njëfarë loje. Ai ka thënë se nuk merret me komunikimet ditore të Qeverisë.

“Por duket se Qeveria e Republikës së Kosovës po luan ‘ping-pong’ me topa ‘pink’ para se të shkojë në dialog me Serbinë. Ndoshta kjo është udha e duhur, ndoshta udhë e gabuar. Por, tema e kishave dhe manastireve që menaxhohen nga Kisha Ortodokse Serbe duket se do të jetë temë e dialogut”, ka thënë Canolli. Sipas tij, synimi i Serbisë dihet dhe është sigurimi i një statusi special për zonat e veçanta të mbrojtura, në tipologji të Malit Atos apo të Vatikanit.

“Kjo do ta rrezikonte shtetin e Kosovës. Dialogu për kisha e manastire duhet të bëhet vetëm brenda logut të Ahtisaarit”, ka thënë Canolli. Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet për dialog, duke bindur miqtë ndërkombëtarë se gjithçka që del jashtë Ahtisaarit mund të shkatërrojë trashëgiminë kulturore dhe paqen e qëndrueshme që del nga diversiteti kulturor, sepse cenon shtetin e Kosovës.

“E di që Qeveria e këtij krahu politik ka qenë kundër Planit të Ahtisaarit, por tani duhet të përpihet fort dhe ta mbrojë atë, siç e kanë mbrojtur të gjithë”, ka thënë Canolli.

Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura është derivat i Pakos së Ahtisaarit nëpërmjet të cilit është shpallur Pavarësia e Kosovës. Janë 44 zona të trashëgimisë kulturore të shtetit të cilat administrohen nga klerikët serbë dhe shfrytëzohen nga serbët lokalë për t’u lutur. Sikurse ndërtesat e besimeve të tjera në Kosovë që administrohen nga bashkësitë fetare, edhe kishat serbe administrohen nga Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë. Në bazë të Ligjit funksionon edhe Këshilli për Zbatim dhe Monitorim që përbëhet nga përfaqësues të KOS-it, Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

Lexo po ashtu:  Analizë/ Arben Gashi (LDK): “Pse Kosova nuk blen armatim? Pse? Sepse preken balancat e sigurisë botërore”.

“Qeveria po ofron përkrahje për trashëgiminë kulturore”

Sali Shoshi, i cili është drejtor ekzekutiv i fondacionit kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, (CHwB Kosova), ka thënë se letra e kryeministrit Kurti është krejt normale. Sipas tij, toni i letrës është pozitiv dhe kryeministri Kurti ofron përkrahje për trashëgiminë kulturore.

“Është një gjest tepër i mirë, por edhe obligim ligjor. Është shumë mirë që është intensifikuar përpjekja e Qeverisë që të vendoset kontakt me institucionet ndërkombëtare dhe lokale”, ka thënë ai.

Sipas tij, përgjigjja që ka dhënë Dioqeza e Rashkë-Prizrenit është pak a shumë reflektim i rolit që Sava Janjiq e ka marrë kohëve të fundit.

“Ka filluar t’i shërbejë politikës dhe të bëhet instrument i saj. Kjo tregon se duhet të bëhet shumë punë që KOS-i të kuptojë që po jeton në Kosovë dhe e ardhmja e trashëgimisë kulturore është në Kosovë. Rruga e vetme për ata është që t’i kthehen realitetit. Çdo rrugë tjetër është e gabuar dhe nuk jep rezultat të mirë”, ka thënë Shoshi.

Sipas tij, konteksti pronësor nuk ka fare të bëjë me trashëgiminë kulturore. Ka thënë se dialogu është çelësi që zgjidh çështjet e ngritura. Për pronën përreth Manastirit që përmendet në letër, ai ka thënë se ajo është pronë shoqërore që në kohën e regjimit të Milosheviqit, kur shqiptarët ishin të përjashtuar nga gjithçka, i është dhënë Manastirit.

“Kryeministri ka shprehur një vullnet të mirë dhe e ka për obligim që të kujdeset për krejt popullin. Nëse një palë nuk do të takohet, Qeveria nuk guxon të heqë dorë nga kujdesi për trashëgiminë kulturore”, ka thënë ai.

Trashëgimia kulturore kohëve të fundit është bërë shkas për alamet propagande nga Serbia. Është trashëgimia kulturore që u bë kryetemë muajve të fundit qëkur Manastiri i Deçanit u përfshi nga organizata “Europa Nostra” në listën e shtatë monumenteve evropiane në rrezik. Më pas, shkas për këtë u bënë edhe letrat e institucioneve të Kosovës drejtuar atyre të Serbisë për kthimin e artefakteve të vendit që mban në Beograd që prej vitit 1998-99. Pasoi edhe letra që kryeministri, presidentja dhe kryeparlamentari i dërguan UNESCO-s me kërkesën që katër monumentet e Kosovës të nxirren nga lista e monumenteve të rrezikuara.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *