Edhe për katër vite me radhë shqiptarët do të konsumojnë të njëjtën gjellë, të ftohur e të ngrohur disa herë. Ndryshimet e emrave të qeverisë, që Rama shpalli sot dhe lëvizjet në hierarkinë e opozitës që Basha prezantoi pak ditë më parë, nuk premtojnë asnjë ndryshim thelbësor në sezonin e ri politik. Disa figura mund të jenë të ndryshme, por filozofia mbetet po ajo: ne do të shohim të njëjtën shumicë që bën sikur qeveris në emër të njerëzve dhe të njëjtën opozitë që bën sikur lufton me sistemin e kapur kleptokrato-oligarkik.

Ndonëse largimet e Etilda Gjonajt nga drejtësia (aq më tepër e zëvendësuar nga Hulsi Manja) dhe Anila Denajt nga Financa mund të përbëjnë surprizë, ndonëse Bilali dhe Muzhiqi katapultohen si emra fare të panjohur për publikun, qeveria e re e rilindjes mbetet sërish skuadra e lakejve të një lideri autoktat. Ai mund të bëjë ç’të dojë me Blendi Klosin, që si fal vrasjet për shezlonët e Velipojës, dhe po ashtu me Damian Gjiknurin që e ka amistuar për unazën e re, apo Lindita Nikollën që ia ka falur faktin që i dolën në rrugë studentët. Edhe njëherë, qeveria e re Rama tregon se nuk është fryt i një mendimi dhe vullneti kolegjal, por vetëm kapriço dhe tekë e një njeriu të vetëm.

Lexo po ashtu:  Protesta e sotme - akt subversiv i mbetjeve të Jovivca Stanišič-it!

Në këtë kuptim, nuk ndryshon aspak, as filozofia e kundërshtarëve që ka përballë. Ndonëse Basha ngriti në majë të piramidës partiake një grua të pastër si Jorida Tabaku, ndonëse ai i dha frenat e grupit parlamentar një juristi të sprovuar si Alfred Rushaj, të gjitha ndryshimet e fundit në PD mbeten zgjedhje krejtësisht personale dhe voluntariste të kryetarit që e çon forcën e tij nga humbja në humbje. Çdo ngritje apo spostim i fundit në PD, madje të gjitha të marra së toku, nuk e kanë forcën e tërmetit që shkaktoi Mark Marku dhe njollën që ai i la imazhit publik të partisë më të madhe të opozitës.

Por, mbi të gjitha, e rëndësishme është, se katërvjeçari i ri opozitar do të dominohet nga e njëjta qasje e squllët, me mungesë parimesh dhe me flirtime okulte, po ashtu si paraardhësit. Deviza e Ajnshtajnit, për çmendurinë e të përsëriturit të së njëjtës gjë, duke pritur një fund të ndryshëm, është ajo që i shkon më së miri kësaj opozite. Dihet që tani se ajo është e pazonja të ndalë Ramën në mbajtjen e pushtetit të uzurpuar dhe për më tepër të mbrojë shqiptarët nga abuzimet e tij.

Lexo po ashtu:  Largimi është çështje personale, qëndrimi është çështje kombëtare

Vetëm duke e parë në këtë perspektivë mund të kuptohet më mirë se sa vlerë ka loja me ndryshime emrash, e cila si zakonisht zapton titujt kryesorë të mediave. Përtej kuriozitetit vuajerist’ efekti i saj për publikun është zero. Faktikisht ne do të kemi të njëjtën qeverisje me të njëjtën mënyrë kundërshtimi si tetë vitet e shkuara. Shqiptarët janë sërisht përballë një deja vue të mërzitshme, që i jep gjithmonë e më të drejtë atyre që e shohin konfliktin aktual politik, jo si një betejë mes PS dhe PD, por si një problem mes popullit dhe kësaj kaste politike që s’di ç’të na ofrojë tjetër veç kësaj gjelle.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *