Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se propozimi franko-gjerman shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen ‘de jure’ të Kosovës nga Serbia.

Haradinaj ka folur sërish sot për propozimin franko-gjerman, i cili është pranuar nga palët në dialog.

“Mirënjohës dhe falënderues për angazhimin e jashtëzakonshëm të ShBA-ve në mbështetje të Kosovës në të gjitha fazat e lirisë dhe të shtetndërtimit. Kontributi amerikan ishte i një rëndësie jetike edhe për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që është edhe garancë sigurie dhe prosperiteti për vendin”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.

Propozimi franko-gjerman e ka marrë mbështetjen e Haradinajt dhe të AAK-së duke vlerësuar se ky shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen ‘de jure’ të Kosovës.

“Ky propozim e ka marrë mbështetjen time dhe të AAK-së, sepse kemi vlerësuar se shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen edhe ‘de jure’ të Kosovës. Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme. Kjo mbështetje është bërë eksluzivisht për vendin dhe pa kurrfarë kalkulimi elektoral”, është shprehur Haradinaj, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu:  Elvis Hoxha argumenton: Valdete Daka ka mashtruar! Ka fshehur dënimin e deputetit Etem Arifi.

Haradinaj ka shtuar se këto janë momente që kërkohet unitet politik.

“Këto janë momente jetike për të ardhmen e Kosovës, prandaj kërkohet një unitet politik, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kuptohet si mbështetje për individin. Gjithmonë do të kemi kohë t’i diskutojmë kusuret e Kryeministrit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm. Natyrisht, mbetet edhe shumë punë për tu bërë, në mënyrë që krejt ky proces kaq i rëndësishëm, të mos degradojë e të finalizohet me sukses”, ka shtuar Haradinaj.

I pari i AAK-së ka thënë se ShBA-të dhe aleatët tanë do ta ndihmojnë Kosovën deri në përmbyllje të marrëveshjes.

“Kjo kërkon kujdes e përgjegjësi, që të sqarohen e të adresohen gjitha shqetësimet e mundshme të opinionit publik që kanë të bëjnë me aneks-marrëveshjen e cila ende nuk është bërë publike. Unë kam besim në ShBA-të dhe në aleatët perëndimorë, se do të na ndihmojnë si edhe deri sot, që ta përmbyllim marrëveshjen që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe me perspektivë të qartë integruese euro-atlantike”, ka përfunduar Haradinaj.

Lexo po ashtu:  Kurti publikon propozimin pesëpikësh për shtensionimin në veri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *