Të tronditur e të indinjuar shprehen politikanët në Kosovë saherë që ndonjë polic humb jetën në krye të detyrës. Por as dhimbja e madhe që përjetojnë për vrasjet e plagosjet e policëve nuk i shtyn ata që t’ua mundësojnë një sigurim shëndetësor e jetësor atyre që çdo ditë përballen fizikisht me krimin.

Që nga themelimi i Policisë së Kosovës në vitin 2001 e deri më tash, më shumë se 20 policë e kanë humbur jetën në detyrë. I fundit është rasti i mbrëmshëm ku polici i njësisë speciale, Sami Thaqi humbi jetën pas një shpërthimi gjatë një aksioni policor në Zhur të Prizrenit.

Kërkesa për sigurim shëndetësor dhe jetësor për Policinë e Kosovës është e kamotshme, sa edhe premtimi i politikanëve për plotësimin e kësaj kërkese, që nuk u realizua kurrë. Policia e Kosovës vazhdon të mbetet e vetmja në Evropë pa sigurim shëndetësor e jetësor.

Ngushëllimi i rëdomtë ceremonial është i vetmi ‘kompensim’ që familjarët e policëve të vrarë e marrin pas tragjedisë. Përveç dhimbjes, familjarëve u duhet të mendojnë vetë edhe sesi t’i zëvendësojnë të ardhurat që ua ka sjellur paga prej polici e familjarit të tyre të vrarë.-

Lexo po ashtu:  Lul Raka: Jo Gjendje e Jashtëzakonshme, mjafton që maska të bëhet obligative

Në anën tjetër, policëve që plagosen, lëndohen dhe për fat i shpëtojnë vdekjes, siç është rasti i lëndimit të dy policëve në aksionin e mbrëmshëm ku vdiq polici Sami Thaqi, u duhet edhe më shumë fat për t’i siguruar mjetet e nevojshme financiare për t’u shëruar, nëse ekziston ende mundësia për shërim. Në rastin më të keq, kur shërimi nuk është i mundur dhe humbin aftësinë për të punuar, ata nuk gëzojnë as pension ivalidor.

Fat të tillë nuk kanë politikanët, për shëndetin e të cilëve me vendim të qeverisë ndahen fonde për t’u ofruar trajtim jashtë vendit.

Ndonëse të pambrojtur nga shteti, këtë fakt policët e Kosovës e injorojnë çdo ditë kur janë në detyrë. Trajtimi i pandërgjegjshëm që ua bën shteti, ende nuk i ka zbrapsur ata që ta tregojnë profesionalizmin e tyre edhe në rreziqet më të mëdha, aty ku disave u përfundon edhe jeta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *