Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, e ka quajtur lajm pozitiv rinisjen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se ky dialog është interes strategjik i Bashkimit Evropian.

Ai nuk pret shumë nga takimi i sotëm në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por thotë se ky mund të jetë fillimi i normalizimit të marrëdhënieve. Ka përjashtuar mundësinë që shkëmbimi i territoreve do të jetë temë e diskutimeve.

“Pala kosovare ka përjashtuar kategorikisht temën e një shkëmbimi territoresh dhe kjo nuk është në rendin e ditës dhe kështu që aktualisht nuk është çështje për diskutim”, ka thënë McAllister në një intervistë për DW-në.

Më herët, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Joseph Borrell, pati thënë se BE-ja do të pranojë çfarëdo marrëveshje për të cilën pajtohen palët, përfshirë edhe shkëmbimin e territoreve.

Tash kjo, sipas McAllisterit, as që do shtrohet për diskutim në Bruksel.

Diplomati gjerman shpreson që dialogu që po vazhdon pas 20 muajsh të jetë konstruktiv. Sot në orën 16:00 pritet të nis takimi mes kryeministri të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga BE-ja. Me këtë do të shënohet edhe rinisja e dialogut për normalizim të marrëdhënieve, i ndërprerë në nëntorin e vitit 2018.

Lexo po ashtu:  Kryeministri i Holandës shkon te mbreti me biçikletë (FOTO)

“Para së gjithash është një sinjal shumë pozitiv që presidenti serb Vuçiq dhe kryeministri kosovar Hoti kanë rënë dakord për të rifilluar bisedimet pas një ndërprerjeje 20-mujore, dialogu duhet të vazhdojë dhe ky është një lajm pozitiv në vetvete në këto kohë. Shpresojmë që bisedimet do të jenë konstruktive dhe me një angazhim reciprok për një proces të qëndrueshëm dialogu midis dy palëve. Ky mund të jetë vetëm fillimi i normalizimit të marrëdhënieve në nivelin më të lartë. Pozicionet janë ende larg dhe tani kërkohet vullnet dhe angazhim politik nga të dy palët”, ka thënë McAllister.

Ai thotë se BE-ja ndërmjetëson dialogun dhe se në fund do të jenë palët që duhet të merren vesh.

“Është në interesin tonë strategjik që bisedimet të mbështeten nga BE dhe të shoqërohen me një perspektivë të qartë për anëtarësimin në BE. Situata e pazgjidhur midis Serbisë dhe Kosovës mbetet një faktor potencial destabilizues për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye është me rëndësi politike dhe sidomos sa i përket politikës së sigurisë për të gjithë Evropën”, ka thënë ai.

Lexo po ashtu:  Konjufca takon nesër Viola von Cramon

Ka folur edhe për rolin e SHBA-së në dialog. Diplomati gjerman mirëpret angazhimin e SHBA-së.

“Unë jam gjithmonë në favor që BE dhe SHBA të punojnë së bashku sa më shumë të jetë e mundur në çështjet e politikës së jashtme. Megjithë pikëpamjet e ndryshme politike për disa nga qëndrimet e Presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara mbeten aleati dhe partneri ynë më i rëndësishëm në shumë organizata ndërkombëtare, jo vetëm për shkak të aleancës sonë ushtarake, NATO-s. Aktivitetet amerikane si ndërmjetësues midis Serbisë dhe Kosovës nuk ishin të koordinuara me BE-në, Miroslaë Lajçak dhe të tjerët e kanë bërë të qartë se dera jonë mbetet e hapur për një bashkëpunim evropiano-amerikan, se ne duam të kërkojmë zgjidhje së bashku nëse është ka interesa të pajtueshme, por dialogun midis Serbisë dhe Kosovës e ka udhëhequr BE-në dhe BE-ja do të vazhdojë ta bëjë këtë”, ka pohuar McAllister.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *