Libri “Me Hasan Mekulin” i Bajram Kabashit, botuar në Prishtinë më 1997, trajton, ndër tjerash, gjendjen e shqiptarëve të Kosovës dhe përpjekjet e tyre për liri. Në tekst (Bashkëbisedimi është zhvilluar gjatë vitit 1996/97) theksohet se çështja e Kosovës nuk është vetëm një çështje e të drejtave të njeriut, por para së gjithash një çështje çlirimi kombëtar. Përmes mendimeve të Hasan Mekulit, theksohet rëndësia e vetëdijes kombëtare, e forcimit të institucioneve, letërsisë, artit, historisë dhe e ruajtjes së identitetit kulturor e evropian të shqiptarëve.

Më poshtë disa fragmente të shkoqitura nga libri “Me Hasan Mekulin”:

ÇËSHTJA E KOSOVËS S’ËSHTË ÇËSHTJE E TË DREJTAVE TË NJERIUT, POR ÇËSHTJE E ÇLIRIMIT

Disa diplomatë të huaj, si dhe një pakicë “dijetarësh” shqiptarë, na porosisin, të pajtohemi me robërinë, me fatkeqësinë që na imponohet. – Populli kërkon të dijë se ç’po ngjet në lëmin e diplomacisë, e domethënie kanë do fjalë të ëmbla e premtuese. – Niveli i luftës sonë gati njëqindvjeçare nuk bën të zbresë në shkallën absurde të të drejtave të njeriut. – Jeta jonë letrare është varfëruar dhe mbështetet në disa individë që imponohen vetë. – Institucionet do t’i forcojmë e jo t’i rrënojmë. – Ta krijosh një vepër, do të thotë ta krijosh mendimin përkatës, i cili e këndell shpirtin. Atdheu s’është i një grupi “politikanësh”, por toke stërgjyshore.
Në çdo aspekt i takojmë Evropës e nuk jemi një “copë orienti”

Autori Bajram Kabashi shtron pyetjen Hasan Mekulit:

Mendoni se shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët përgjithësisht në hapësirat e veta etnike në Ballkan ishin dhe janë koshientë për pozitën e vet në këtë “anije” të detit të trazuar dhe përplot shtrëngata ballkanike? Ku është vetëdija kombëtare dhe ajo shtetërore si dhe çfarë është ndikimi i letërsisë në nxitjen e konsolidimit të saj?

Hasan Mekuli:
Mendoj se shqiptarët sot pa asnjë dyshim janë koshientë, ashtu si ishin edhe të parët tanë, në gjithë hapësirën shqiptare etnike në Ballkan, se na kanoset rreziku nga “të katër anët”. Kjo kohë, si më e trazuar dhe më e rrezikshme, sikur na ka zgjuar më shumë.

Lexo po ashtu:  “Gabimi nuk mund të korrigjohet kurrë nga gabimi, dhe e keqja nuk mund të mposhtet me të keqe.”

Megjithatë, reagimet i kemi pas si të vonuara. Paraqitemi pak si ngathët e me vonesë atje ku duhet të ishim, ku duhet të jemi, edhe pse kemi arritur suksese të dukshme.

Vigjilencën nuk e kemi gjithaq të mprehtë, as kur është fjala për vetëdijen e përbashkët kombëtare, kolektive as individuale. Madje as shtetërore.

Ky pohim mund të duket i padrejtë, tepër rigoroz. Por, është fakt se sot ballafaqohemi me lloj-lloj mendimesh e komentesh të çështjes sonë nga të huajt, por edhe nga tanët. Është i vogël, por jo për t’u nënçmuar, numri i individëve që e mohojnë çështjen shqiptare, por Kosovën (natyrisht edhe Çamërinë) e quajnë çështje të huaj, për të cilën Shqipëria nuk ka as s’duhet të ketë të bëjë.

Na këshillojnë “të merremi vesh” me ata që na vrasin, na terrorizojnë, na mohojnë të gjitha të drejtat, ngase ne jemi “kosovarë”, e ata na qenkan shqiptarë!!
Ata, s’do mend, nuk janë injorantë politikë, as njerëz të padijshëm. Disa madje kanë funksione me rëndësi. Qe, pra, këtë pjesë shqiptarësh e quaj të pavetëdijë, ose me vetëdije të fjetur, atdhetarë shkurtpamës, të rremë, të cilëve do t’u mjaftonte vetëm vendlindja e tyre e ngushtë, me kusht që ajo ta mishërojë Shqipërinë dhe të jetë “e lirë”, e ata ta kenë atje ndonjë pozitë, biznes, qetësinë dhe mirëqenien e tyre individuale.

Ta them sinqerisht dhe hapur, ata i quaj përçmueshëm dhe injorues të çështjeve të atdheut. Ata qoftë njësoj e përbuzin dhe e injorojnë çështjen jetike, ekzistenciale shqiptare, duke e mohuar dhe injoruar çështjen e Kosovës dhe të Çamërisë, përafërsisht ashtu sikundër, të themi, Jugosllavia ose Greqia e përbuzin, e injorojnë dhe mohojnë atdheun tonë.

Lexo po ashtu:  Rusia sqaron strategjinë e përdorimit të armëve bërthamore

Mirëqenia e popullit tonë varet nga bashkimi

Mendoj se deklarata publike e një deputeti në Parlamentin shqiptar (Avdi Baleta) këtë çështje e paraqiti drejt dhe në esencën e saj serioze. Thelbi i kësaj deklarate ishte: më shumë kam frikë nga buzëqeshja e grekut se nga aradhat ushtarake të armikut, që do të paraqiteshin në kufirin tonë! Sot është koha e diplomacisë dhe e veprimeve diplomatike, ndonëse plot e përplot mashtrime, gënjeshtra, urdhra nga të mëdhenjtë.

Pra, duhet të kemi frikë prej disa miklimeve dhe deklaratave “të ëmbla” të atyre që na kanë ndjekur dhe ndonjëherë na kanë “mbështetur” me interesa të tyre agresive e me fuqi të hapura. Kemi jetuar dhe jetojmë ende në rrethana të ndërlikuara, edhe sot prapë në gojën e ujkut.

Evropa gjithnjë i ka përkrahur fqinjët e Shqipërisë në dëm të saj, ndonëse e ka ditur shumë mirë agresivitetin e tyre dhe më tëimet e pandërprera grabitqare.

Kundër Shqipërisë kanë vepruar vazhdimisht ashpër dhe me dinakëri aleanca të ndryshme. E kanë copëtuar trupin e saj dhe e kanë lënë të gjallërojë plot plagë e vuajtje. Do të thotë se Evropa në njëfarë mënyre ka harruar se ne në çdo aspekt i takojmë asaj, jemi një nga popujt më të vjetër të saj, e jo kurrsesi “një copë orienti”, që mund të jetë arsye eventuale për ta injoruar çështjen tonë, e për ta toleruar, madje për t’ua nxitur oreskin pushtues Serbisë, Malit të Zi ose Greqisë: të sillen me shqiptarët ashtu si sillen, të na përndjekin e terrorizojnë, të kërkojnë që tokat dhe trojet tona të bëhen të tyre, që njerëzit tanë të mërgojnë e të asimilohen, sepse ekonomikisht nuk qëndrojnë mirë se vetëdijen dhe mendësinë nuk e kanë mjaft evropiane; se patjetër duhet të jemi për paqen dhe si popull paqedashës të kërkojmë rrugëdalje, t’i nënshtrohemi vetëdijes shtetërore shqiptare që përmban pohimin se: kërkesat tona bazohen dhe shtjerren me pretendimin: të ketë hapësirë demokratike për shqiptarët kudo që janë. Dhe kaq! Këtë e tha Sali Berisha!
A mjafton kjo?
A mund ta injorojnë edhe vetë shqiptarët vullnetin tonë, referendumin e popullit shqiptar në Kosovë?
A mund të harrohen plagët dhe vragët e Çamërisë?!
A mund t’i lejojmë vetes të pajtohemi a priori me shkeljen e të drejtave shqiptare këtu e atje, me paracaktimin që të kemi të drejtë të jemi barinj e sharrxhinj, punëtorë fizikë e shërbëtorë të “kirikisit të inspironit”, të gospodareve serbë e të kryezoetë malazias, ose maqedonas?
A mund t’i lejojmë që edhe sot e të mbetet i copëtuar trupi i mëmëdheut tonë, apo të gjithë fuqitë, me mjete e fuqi që kemi, duhet të luftojmë për realizimin e të drejtës së patjetërsueshme të kombit tonë për bashkim?!

Lexo po ashtu:  A janë shqiptarët një komb dhe a është shqipja një gjuhë apo dy e më shumë?

Jam për atë që minoritarëve grekofonë t’u jepen të gjitha të drejtat, si qytetarë shqiptarë që janë. Por, çështja jonë s’mund të krahasohet as të përqasët me atë të grekofonëve në Shqipëri, se ata janë pak e më pak në tokat shqiptare, ne jemi shumë, gjysma e kombit dhe jemi në tokat tona stërgjyshore. Prandaj, nuk bën në asnjë mënyrë ta nënçmojmë deklarimin kobzi të Nikola Gaxojanisi… VIJON NESËR.

/Çështja e Kosovës – copëza nga libri “Me Hasan Mekulin”, Prishtinë, 1997. Autor: Bajram Kabashi/MekuliPress/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com