Votuesit amerikanë kanë shikuar debatin e parë presidencial midis Donald Trumpit dhe Joe Bidenit. Ngjarja ka nxitur gjithashtu një reagim të madh të audiencës botërore që u bashkua në ngjarjen kaotike.

Gazetat dhe komentuesit në të gjithë botën kanë kritikuar tonin dhe taktikat e debatit.

Siç ka shkruar The Times në Mbretërinë e Bashkuar, “Humbësi më i qartë nga debati i parë presidencial midis Donald Trumpit dhe Joe Bidenit është Amerika”.

Gazeta shkoi më tej, duke thënë se ngjarja “nuk ishte një debat në plotë kuptimin e fjalës” por përkundrazi, “një grindje e keqe dhe nganjëherë e pakuptueshme midis dy personave të zemëruar që duken se e urrejnë njëri-tjetrin”, raporton BBC.

“Kaotike, fëmijërore, rraskapitëse” – kështu e përshkroi gazeta franceze Liberation debatin e së martës. Le Monde pranoi, duke e quajtur atë një “stuhi të tmerrshme” gjersa presidenti është përpjekur ta ndërpriste dhe të tallej me kundërshtarin.

Analiza e debatit të Der Spiegel titullohet “Një duel TV si një aksident automobilistik”. Gjersa gazeta tjetër gjermane – Süddeutsche Zeitung ka shkruar se “Të dy, Trump dhe Biden mund të shkonin të kënaqur në shtëpi sepse sa i përket shfaqjes teatrore, të dy bënë punën e tyre siç duhet. Donald Trump luajti Donald Trumpin, Joe Biden luajti Joe Bidenin”.
“Asnjëherë politika amerikane nuk ishte zhytur kaq ulët,” shkroi korrespodenti amerikan i La Repubblica, duke e përshkruar debatin si “Kaotik, të vrullshëm dhe të bazuar në përbuzje të ndërsjellë”.

Lexo po ashtu:  LAJMI I FUNDIT: Edi Rama u dorëzon Francës e Gjermanisë një draft për Asociacionin në Kosovë, pa pyetur Kurtin!

Ndërkohë Il Corriere della Sera tha se refuzimi i Presidentit Trump për të dënuar epërsinë e të bardhëve ishte “një mesazh për amerikanët me ngjyrë”.

Një transmetues e përshkroi atë si një “shkëmbim fyerjesh për një orë e gjysmë”, ndërsa një tjetër tha se nuk kishte “asnjë dialog konstruktiv”.

“Rivalët vazhduan të ndërpresin njëri-tjetrin dhe në vend të një diskutimi të ekuilibruar, ata zgjodhën rrugën e fyerjeve të ndërsjella”, njoftoi televizioni pro Kremlinit, NTV.

Faqet zyrtare kineze të mediave injoruan gjerësisht debatin amerikan, megjithëse disa shkruanin se si dy kandidatët kishin përdorur Kinën për të sulmuar kundërshtarin e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *