Anija që dyshohet se mban kontejnerë me lëndë të rrezikshme u ankorua mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit, ku prokurorët kanë urdhëruar që të testohet përmbajtja e saj. Anija “Moliva XA443A” me flamur turk u mbajt në një ankorim rreth 1.5 kilometra (një milje) nga porti i Durrësit, 33 kilometra në perëndim të kryeqytetit, derisa autoritetet gjetën një vend jashtë portit për të ruajtur kontejnerët. Lidhur me këtë ka shkruar edhe media ndërkombëtare abcNEWS, ku thuhet në artikull se ngarkesa do të dërgohet në Porto Romano ku do të mbahet derisa sa të kryehen analizat laboratorike.

“Kontejnerët pritet të dërgohen në një agjenci në Porto Romano, 6 kilometra (4 milje) larg. Dhjetë ditë më parë, prokurorët urdhëruan sekuestrimin e kontejnerëve dhe ruajtjen në një vend të sigurt mjedisor dhe fizik për monitorim. Prokuroria u ka kërkuar institucioneve të ndryshme që të kryejnë analizat laboratorike të materialit në kontejnerë. Mbulimi mediatik tregoi se kontejnerët po shkarkoheshin nga anija dhe u drejtuan për në zonën e karantinës.”, thuhet në artikull.

Lexo po ashtu:  SKANDAL/ Refuzoi të mbajë maskë, Kryeministri Rama shoqërohet nga Policia gjermane në Frankfurt

Organizata joqeveritare me bazë në Seattle, Basel Action Network, ose BAN, njoftoi autoritetet për anijen në gusht pasi mori informacion nga një sinjalizues se kontejnerët në bord dyshohet se mbanin rreth 2,100 ton pluhur toksik që vjen nga filtrat e kontrollit të ndotjes nga industria e çelikut. BAN tha se kontejnerët u larguan nga Durrësi më 4 korrik me dy anije të marra nga Maersk me destinacion Tajlandën. Grupi tha se paralajmëroi disa vende tranziti dhe bashkëpunoi me EARTH, një organizatë mjedisore tajlandeze, të cilët së bashku ngritën alarmin për dërgesën.

Tajlanda refuzoi të pranonte dërgesën, duke u kërkuar autoriteteve në Singapor ta ndalonin atë. Anijet u ankoruan më pas në një port turk dhe kontejnerët u ngarkuan në anijen me flamur turk, e cila ndaloi për pak kohë në portin italian të Gioia Tauro përpara se të shkonte në Shqipëri, tha BAN. Në dokumentacionin doganor thuhet se kontejnerët përmbanin oksid hekuri.

Opozita akuzoi qeverinë në gusht për pjesëmarrje në trafikimin e paligjshëm të materialeve të rrezikshme. Kryeministri Edi Rama tha në Parlament në shtator se dokumentet e dërgesës janë verifikuar dhe se oksidi i hekurit “nuk konsiderohet si mbetje toksike në katalogët europianë mbi të cilët bazohet procedura mjedisore dhe doganore e vendit tonë”. Në artikull thuhet po ashtu se organizata BAN u ka bërë thirrje autoriteteve që marrja e mostrave të kontejnerëve, të bëhet publikisht për të siguruar transparencë.

Lexo po ashtu:  Serbët në Mal të Zi protesta në mbështetje të presidentit rus Vladimir Putin

“Dyshohet se kontejnerët kanë pluhur toksik furre çeliku të mbledhur nga filtrat e kontrollit të ndotjes në një kompani shqiptare dhe të kontrabanduar ilegalisht nga Kosova dhe Gjermania. BAN tha se ndërsa Shqipëria kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe qeveria ka qenë e etur për të lidhur politikën e saj të mbetjeve të rrezikshme me atë të bllokut 27-vendesh, ajo duhet të ndalojë “eksportin e mbetjeve të rrezikshme, mbetjeve shtëpiake, mbetjeve elektronike dhe mbeturinave të plastikës në vendet në zhvillim”.”, thuhet më tej.