Melodi e këputun – lot i kjartë nga syni
i një grues së dashun…
andje e përplasun,
xhevahir i tretun,
një andërr e shkelun,
buzë e paputhun
në melodin e këputun.

Nga vaji i heshtun shkunden supat e zhveshun,
verbojnë nga zbardhimi…
e ther, ther hidhnimi
për çastet e rrëshqitun,
për fatin e ikun,
për gëzimin e humbun
në melodin e këputun.

Brrylat ndër gjujë të mpshtetun, ftyrë në shplakë e fundosun:
Qan grueja e pikllueme
me zemër të piskueme
(një kitarë e gjymtun,
za kange i mbytun
në buzë nga dhimb’ e puthun
në melodin e këputun).

Hesht njeriu pran grues që qan e turpnueme…
syni i venitet
në të loti vërvitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues ia lë – dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodin e këputun.

Por kur vjen ndoj tjetër, epshi kapërthehet,
gjaqet turbullohen,
përzihen, përvlohen,
çohen peshë, tërbohen
… e vetëm ndëgjohen
ahtët e molisun
në melodin e grisun.

Migjeni

Lexo po ashtu:  Histori personale: “Nëna zgjodhi të jetonte e vetme”. Zgjedhje të vështira nga femra të pavarura

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *