Mërgimtarë “*sretan vam put” në kufijtë e armiqve
Gëzim Mekuli

Lajme të pabesueshme në mediat shqipe: “7 km kolona e gjatë për tu futur në Serbi. 9 orë pritje në kolonë për të kaluar kufrin Kosovë-Serbi.”

Viti 2002. Norvegji. Qyteti Stavanger. Jemi mysafirë në shtëpinë e profesoreshës së universitetit së Stavangerit, zonjës Kiperberg. Të ftuar, ishin edhe shtatë studentë norvegjezë si dhe një profesor (qyqan) nga universiteti i Prishtinës. Mikëpritje miqësore.

Gjatë ndenjes, ndër të tjera, filloi edhe tema për marrëdhënjet serbo-shqiptare pas vitit 1999. Që në fillim u fol shumë për “falje”, “harresë”, “ardhmëri”, moshakmarrje”, “jeni fqinjë”, “jemi në shekullin XX”, e të tilla përralla që ju tregohen popujve të vegjël, të varfër, me udhëheqës të korruptuar dhe të pa udhëheqës politik fare.

Më erdhi radha edhe mua ta thoja mendimin tim. Thashë se, “nuk ka marrëdhënje të shëndosha shqiptaro-serbe përderisa politikat serbe nuk kërkojnë falje për masakrat, dhunën, shkatërrimin dhe gjenocidin, që shteti serb e kreu mbi shqiptarët e Kosovës”.

Profesoresha e universitetit norvegjez ndërhyri. Drejtoi trupin e trashë prej meje, me krenari të tepruar ngriti kokën, më vështroj goxha kritikueshëm dhe me një zë të një “gjithditure” më këshilloi: “Gëzim, ju duhet të harroni luftërat. Ju, shqiptarët, duhet shiquar nga ardhmëria. Duhet të mësoni të falni”.

Nuk u ndalte fare profesoresha së foluri dhe dhe vazhdonte: “Ja, shiqoni neve norvegjezëve. Ne i kemi falur gjermanët. S’keni arsye që të mos falni edhe juve; lufta ka mbaruar. Tashti ka një qeveri të re e demokratike në Serb”, thoshte ajo. (Asokohe ishte dr. Zoran Gjingjiq (tani i vrarë), kryeministër i Serbisë).

Lexo po ashtu:  Albin Kurti u dërgon letër ministrave: Kujdes të shtuar!

Përsëri, me këmbngulje e pa aspak dyshimi historik e moral, mbrojta qëndrimin tim: “Nuk ka marrëdhënie normale e të shëndetshme me shtetin serb përderisa ky shtet nuk kërkon falje publikisht e zyrtarisht”. Nxorra shumë shembuj të kërkimfaljes politike nga historia. Kot! Nuk bindej profesoresha e universitetit të Norvegjisë.

Pas 3 orësh. Biseda vazhdoi me plot tema tjera interesante, serioze, por edhe me plot humor.

Kur “papritmas” ndodhi ajo që unë edhe e prisja. Historia e Norvegjisë dhe pushtimi i Norvegjisë nga Gjermania naziste e Rajhut të Tretë. U bisedua për dëmet dhe për 10.000 të vrarët nga nazizmi gjerman. Profesoresha Kiperberg foli për shkatërrimet e aviacionit gjerman, veçanërisht për ato në veri të Norvegjisë e në Oslo. Ishte ende e emocionuar. E kuptoja! Kisha empati, normale kjo.

U fol edhe për gjuhën gjermane dhe arsyet se përse, ende, gjuha gjermane nuk ishte aq e pëlqyer nga nxënësit norvegjezë për t’u studiuar.

Atëherë dhe atje, intelektualja e nderuar pas ca gotave verë, na tha hapur: “Unë kurrën e kurrës nuk i kaloj pushimet në Gjermani. Bile, as nuk blejë biletë aeroplani nga kompania e fluturimeve gjermane “Lufthansa”. Dhe vazhdonte e fliste: “As nëpër teritorin e Gjermanisë nuk dua të kaloj. Thjeshtë, na kanë bombarduar dhe më kanë okupuar vendin tim të dashur, Norvegjinë”.

Po, mu kështu u shpreh intelektualja e nderuar norvegjeze e Universitetit të Stavangerit, më pas edhe rektore i këtij institucioni shkencor-mësimor.
Moralin e dyfishtë nuk mund t’a përpijë e as ta duroj. Thjeshtë është pjesë e edukatës sime. Andaj edhe ju drejtova asaj: “E nderuar, Ju vetëm para 3 orëve, këtu, në shtëpinë tënde, më mbajtët ligjëratë për “harresën”, “tolerancën”, “faljen dhe demokracinë”. “Juvet para ca orëve, këtu para 9 personave, na thatë se “duhet pajtuar e mos shikuar nga e kaluara”. Tani, ju më thuani se “nuk shkoni e as nuk kaloni nëpër teritorin e Gjermanisë!”.

Ju, e nderuara profesoreshë, thatë me gojën tënde se: “nuk bleni as biletë aeroplani e nuk shkelni teritorin e Gjermanisë, vetëm e vetëm sepse ju kanë okupuar”. “Unë ju dëgjova dhe ju mirëkuptova”, vazhdoja unë.
Ju mbani mend krimet edhe pas 70 vitesh, ndërsa kërkoni nga ne, shqiptarët, të harrojmë gjenocidin serb që ndohi vetëm para 3 vjetësh”. “Si është e mundur që ju të kërkoni diçka nga ne, që ju nuk e bëni dot vet”. “Ky është moral i dyfishtë dhe unë nuk pajtohem me ty. Pikë”.

Pse e bëra publike këtë përjetim?

Lexo po ashtu:  Kur viktima nuk respekton veten

Me këtë shkrim desha të ngrija një çështje dhe të pyes gjithë ata shqiptarë, të cilët po presin nga 7 e deri në 9 orë për tu futur në teritorin e shtetit që dhunoi mbi 20.000 gra, nëna, vajza, e motra shqiptare, në tokën e Serbisë.
Si është e mundur, ne, mërgimtarët, të cilët edhe nuk jemi të varur, tek e fundit, ekonomikisht nga shteti i Kosovës, të veprojmë në këtë mënyrë? Çfarë është vetëdija jonë politike kolektive? A ka vlera qytetarie në veprimet tona? A ka principe humane në jetën tonë?

Si është e mundur, që të investojmë e ta ndihmojmë ekonominë e një shteti që nuk ka kthesë pozitive politike ndaj shqiptarëve? Politikat serbe janë aktive dhe dëmtuese sot, aq sa edhe politikat e Millosheviqit. Por tani jo me tanke e me avionë, por në forma e mënyra tjera.
E pakuptueshme, zhgënjyese dhe primitive është derdhja e milionave euro te politikat e një shteti që s’po na lejon dot të marrim frymë. Kuptohet, secili e sacila ka të drejtën e lëvizjes së lirë. Por, kjo dritëshkurtësi politike e ky budallallëk social kolektiv, nuk po kuptohet mirë as nga “miqtë tanë ndërkombëtarë”.

Lexo po ashtu:  Kurti publikon video duke shtrënguar duart me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy

*Serbisht: Sretan vam put = Shqip: Udha e mbarë ju qoftë!
/Ky shkrim është shkruar në vitin 2009/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *