Ideja e kryeministrit Albin Kurti që shërbimi ushtarak të jetë i obligueshëm, po përkrahet. Njohës të zhvillimeve të sigurisë thonë se është problem puna e kostos së lartë financiare të kësaj nisme, ndërsa qytetarëve po u pëlqen ideja e Kurtit.

Kryeministri Albin Kurti në ekspozenë e tij përmendi se do ta bëjë obligues shërbimin ushtarak. Kjo po mirëpritet nga njohës të çështjeve të sigurisë si dhe qytetarët.

“Mendoj se është e nevojshme duke pasur parasysh rreziqet kërcënimeve që janë aktualisht në botë sidomos nga organizatat terroriste por në veçanti edhe kërcënimi rus. Ne e dimë që shumë vende në Evropë, Skandinavi apo vendet baltike vetëm se e kanë kthyer në sistem obligimin ushtarak”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Nuredin Ibishi.

Por problematike po shihet kostoja që mund të marrë kjo nismë. Prandaj sipas Ibishit përveç të tjerash duhet bërë hulumtime edhe në resurset njerëzore.

“Kjo është problem në vete. Ne duhet të parashikojmë edhe implikimet financiare edhe aspektin e resurseve njerëzore që duhet për trajnime”, deklaroi më tej Nuredin Ibishi.

Lexo po ashtu:  “Tulipani shqiptar” (Tulipa albanica), Lulja 100% endemike shqiptare

Edhe qytetarët e mirëpresin, ndonëse thonë se kjo nuk mund të arrihet brenda një mandati.

“Shumë mirë është. Duhet të gjithë qytetarët që janë të aftë për ushtri të mobilizohen. Ushtrohen pak, aftësohen pak, ashtu duhet”, shprehet qytetari Musa Beqiri.

“Po patjetër, ushtria duhet të jetë obligative.  E ke vendimin shumë të mirë. Shteti duhet të ketë ushtri”, deklaroi qytetari tjetër Halit Bislimi.

“Po mendoj se është pak vendim i ngutur pasi nevojiten shpenzime shumë të mëdha. Nuk besoj se mund të realizohet ky premtim brenda një mandati”, thotë qytetari Ymer Voli.

Me ligjet që FSK-së i japin mandat ushtarak, nuk parashihet që të jetë obligative kryerja e ushtrisë. Ndërkaq, aty parashihet që kjo forcë të ketë 3 mijë ushtarë, dhe 5 mijë të tjerë rezervë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *