Të dashur kolegë gazetarë dhe drejtues të mediave në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë,

Me dëshirën më të sinqertë për të kontribuar në përmirësimin e debatit publik dhe zhvillimin e shëndetshëm të demokracisë, “MekuliPress” dëshiron të ndajë disa këshilla që shpresojmë të mirëpriten si konstruktive dhe kolegiale.

1. Shfuqizimi i diktaturës së opinionistëve/analistëve:
Është koha që të largojmë varësinë nga një grup i vogël specialistësh që paraqiten në çdo debat, sikur të kishin monopolin mbi të vërtetën e politikës shqiptare. Opinioni publik ka nevojë për një gamë më të gjerë ekspertësh që sjellin mendime të reja, perspektiva të freskëta dhe argumente të thelluara. Vetëm kështu mund të çlirohet hapësira e debatit nga dogmatizmi dhe retorika e mbyllur, duke u kthyer në një forum të lirë dhe të ndershëm për të gjithë analistët/opinionistët.

2. Shmangia e ndikimeve të interesit:
Është me rëndësi që debatet të jenë të lira nga ndikimet e grupeve të interesit apo partive politike. Gazetarët duhet të ruajnë integritetin e tyre dhe të distancohen nga praktikat që i shndërrojnë programet televizive në instrumente për përfitime politike apo financiare. Largimi nga këto prirje do të sjellë një gazetari më të pavarur dhe më të besueshme. Sepse një gazetar i pasur, ka pak besim në publik…

Lexo po ashtu:  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vjen me një thirrje për të gjithë qytetarët e Kosovës

3. Promovimi i debatit të thellë:
Le të krijojmë më shumë hapësirë për debate të mirëstrukturuara, ku përmbajtjet komplekse të trajtohen me qetësi dhe kohë të mjaftueshme për sqarime të thelluara. Çështjet kombëtare dhe sociale meritojnë kohë për diskutim, analizë dhe mendim kritik të matur. Jo tallje me publikun!

4. Ringritja e informimit të pastër dhe të balancuar:
Programet televizive duhet të rikthehen te qëllimi i tyre themelor: informimi publik mbi çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve. Të zhvendosim fokusin nga individët politikë dhe lojërat mes tyre, duke vendosur theksin mbi përmbajtjen e çështjeve që kanë rëndësi për të gjithë qytetarët.

5. Debati për mediat brenda mediave:
Gazetarët të marrin vetë më shumë përgjegjësi për profesionin e tyre. Kritika konstruktive i njëri-tjetrit është një mënyrë për të siguruar që standardet e gazetarisë mbeten të larta. Kjo vetëkritikë do të na bëjë më të fortë dhe do të ndihmojë publikun të marrë informacione më cilësore.

Lexo po ashtu:  Aeroporti i Vlorës, prej 2 vitesh mbetet vetëm premtim

Këto këshilla i shkruam me qëllim të përmirësimit dhe zhvillimit të një hapësire mediatike shqiptare të lirë, të ndershme, Atdhetare dhe me integritet. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për t’i shërbyer popullit tonë me gazetari të përgjegjshme dhe cilësore.

Me respekt, “MekuliPress”.