Shqiprim Pula*
Kosova u sulmua ngjashëm sikurse Krimea më 2014, nga njësi paraushtarake me sasi dhe cilësi të armatimit ushtarak. Hyrja në territorin e veriut të Kosovës, sulmi dhe planet për sulme të planifikuara është përtej akteve terroriste!, pra, grupi i vendosur në fshatin Banjë (Banjska) ishte pararoja e diçkaje më të madhe; nuk mund të ishte ndonjë avanturë e ndonjë grupi thjesht kriminal apo terrorist. Sulmet terroriste synojnë vëmendje frike, panik të përgjithshme e edhe mediale, ndërkaq, kjo ishte sulm i mirëfillt ushtarak. Duhet theksuar poashtu se grupi paraushtarak morri ndihmën e një kolone të ushtrisë Serbe, në drejtim të kufirit me Kosovën, e nga ana e ndërkombëtarëve situata në terren kohëve të fundit nuk është lexuar siç duhet “ose s’kanë dashur t’a lexojnë siç ka qenë”!, megjithëatë situata duhet vlerësuar nga dy dimensione, politik dhe ai i sigurisë. Ata ndërkombëtarët, përgjegjës politikë e ushtarakë, kanë bërë vlerësime sipërfaqësore mbi rrezikun që paraqet Serbia fqinje kundrejt Kosovës; ndërhyrjet e saj në punët e mbrendshme dhe pretendimin territorial, e kanë të shkruajtur në kushtetutë si pjesë të tyre, prandaj, kanë një qëllim kushtetues, zhbërjen ekzistenciale të Kosovës republikë.
Pse ka humbur Mojo?
Misioni Europian e ndërkombëtar që t’a afrojnë Serbinë drejtë UE-së e NATO-s është i paradështuar, për aq kohë sa Beogradi zyrtar nuk ka pranuar e kërkuar kërkimfaljen për luftërat që ka shkaktuar ndaj fqinjëve në Ballkan. Deklarimet publike të presidentit Serb Vučić, se “për ne, nuk ekziston Kosova shtet dhe se ne nuk e njohim edhe po të n’a vrisni të gjithëve”, tregon qartazi edhe karakterin ushtarak të atij formacioni parashtetëror Serbë më 24 Shtator, 2023. Unioni Europian ka dështuar në të paktën dy aspekte, në besimin ndaj Vučić dhe mbi leximin e saktë të situatës në terren. Mëpas, për sa kohë UE-ja nuk e njeh shtetësinë e Kosovës nuk i njeh dhe konsideron palët në bisedime si të barabartë, e për më tepër, kur edhe përgjegjësit kryesor të involvuar në këtë proces bisedimesh, vijnë nga shtete mos-njohëse si dhe me qëndrime kundërshtuese nga e kaluara e tyre kundrejt subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës!, atëherë, këta, e kanë të humbur legjitimitetin institucional e edhe funksional, prandaj dhe, kontributi i tyre i qenësishëm është i munguar. Dhe, është po Brukseli zyrtar që kërkon(te) me ngulm tërheqjen e forcave të sigurisë së Kosovës nga veriu (“në emër të deeskalimit”) që do t’a zbehte një nga përkufizimet për shtetin, që ka të bëj me kontrrollin e territorit dhe shtrirjen e sovranitetit politik. NATO-ja përkatësisht Kfor-i, sipas Rezolutës 1244, e kishte kontrrollin e sigurisë mbi gjithë Kosovën, por, pas shpalljes së mëvetësisë, Prishtina zyrtare nuk e shtriu kontrollin edhe mbi pjesën veriore të vendit për t’a rrumbullaksuar atë ‘puzzle’ që kërkon evitimin e një situate të parregullt duke krijuar dhe funksionalizuar mozaikun institucional për të prodhuar pamjen e plotë shtetërore në gjithë territorin e republikës.
Në kërkim të Mojo-s! 
Njëherë e një kohë, gëzonin një reputacion ’emisarët’ madje dikur të njohura qenë frazat – “kur emisarët sjellin porositë, politikanët i dëgjojnë e zbatojnë”. Së voni, emisarët, po bëhen të parëndësishëm në frontin diplomatik, sepse Brukseli i preferon kërcënimet dhe masat, në vend të diplomacisë. Emisarët, shpesh, kanë një ndjenjë të pazhvilluar ironie dhe e jetojnë një realitet fantazie. Në diplomaci, thelbi i çdo strategjie të suksesshme për të ecur përpara duhet të jetë theks i veçantë barabarësia e palëve për interesa të përbashkëta. Konvergjenca në interesa dhe në pabarazi të palëve, krijon gjeometri të ndryshueshme. Dhe në vend se të kërkojë “më shumë zile lopësh”, emisarët bërtasin “më shumë sanksione”, në vend të dialogimit për zgjidhje të barabarta janë përqendruar në zbulimin se si të shkaktohet dhimbje dhe si të ndërhyhet në rendin kushtetues me insistimin për Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe (“zajednica”). Emisarët nuk janë as të shkëlqyeshëm po as budallenj, por disa prej tyre akoma përjetojnë ëndrra për ish-Jugosllavinë dhe mbeten fëmijë të saj që i sundon dëshira dhe jo arsyeja. Më keq se kaq, disa nga ta janë të kotë, të pabesueshëm, mashtrues e edhe arrogantë, për shkak të lidhjeve të tyre nga e kaluara që rrëshqasin në pozicionet e tyre jombresëlënëse të cilët abuzojnë me diplomacinë sipas dëshirës dhe pa asnjë pasojë.
Fati i keq i Kosovës politike dhe qytetarëve të saj, është se kemi pasur ’emisarë’ të cilët kanë kafshuar më tepër se sa kanë mundur të përtypin!. Fati i vendit por edhe i rajonit është marr peng, nga një lëvozhgë boshe ’emisarësh’, që nëpërmjet situatave të krijuara ndjehen të gjallëruar, por pa Mojo.
*Njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare
Lexo po ashtu:  Përgjimet? Cili investitor serioz do guxonte të vinte në Shqipërinë e sotme?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *