Michael Gerson, 58 vjeç, ndërroi jetë një muaj më parë. Për 15 vjet duke filluar nga viti 2007, ai shkroi një koment, dy herë në javë për The Washington Post – duke përfshirë këtë meditim të bukur, të botuar fillimisht më 19 gusht 2013, mbi atë se si ndihej tek linte djalin e tij në kolegj.

Nga Michael Gerson

Me kalimin e kohës, na sigurojnë kozmologët, dielli ynë dhe të gjithë diejt do të konsumojnë lëndën e tyre djegëse, do të shpërthejnë dhunshëm dhe më pas do të bëhen të ftohtë dhe të errët. Vetë materia do të avullojë në zbrazëti dhe universi do të shkretohet për pjesën tjetër të kohës.

Këtu shkuan mendimet e mia, pasi bashkë me time shoqe përcollëm djalin tonë të madh në vitin e tij të parë në kolegj. U përpoqa të fshihja çdo lloj emocioni. Por kjo ishte gjëja më e keqe që më ka bërë koha deri më sot. Ai moment në konvikt mund të jetë ndjerë në një farë mënyre në derën e kopshtit, në portat e kampit veror, në çdo ritual ndarjeje dhe pavarësie. Por ai të vjen po aq befasisht sa një hajdut, duke të marrë atë që ti çmon më shumë.

Emocionet e një prindi, mund t’jua dëshmoj, janë një përzierje e çuditshme: pjesërisht krenari, pjesërisht tërheqje, pjesërisht vetëmëshirim, edhe pakëz nga ajo që ngjan si dhimbje. Përvoja është e natyrshme dhe e zakonshme. E megjithatë, planetët dalin nga boshti i tyre.

Lexo po ashtu:  Kurti : Protestat janë të pashmangshme dhe se ato do të jenë paqësore

Paraardhësit tanë të lashtë në fakt mendonin se kjo ndarje duhet të ndodhë më herët. Shumë shoqëri dikur praktikonin “nxjerrjen jashtë”, një praktikë në të cilën adoleshentët dërgoheshin të jetonin me të afërm apo miq, menjëherë pasi kalonin pubertetin. Kjo supozohej që duhej të minimizonte konfliktet që vijnë kur ke në shtëpi adoleshentë dhe prindërit e tyre, që jetojnë pranë e pranë. Disa primatë jonjerëzorë kanë një praktikë të ngjashme, dëbojnë me forcë adoleshentët nga grupi familjar.

Hiçgjë nuk dinin të parët tanë. Tetëmbëdhjetë vjet nuk mjaftojnë. Blihet një krevat bebeje. Shkohet dhe përzgjidhet pema e Krishtlindjes. Pastaj vjen parku i lodrave dhe ninullat, dhe pakëz ndihmë me detyrat e shtëpisë. Ditët kalojnë pa u numëruar, deri kur mbarojnë. Përshtatja është traumatike. Im bir është në anën e qetë – vëzhgues, i mendueshëm, një praktikues i heshtjes në shoqëri. Unë jam duke mësuar se sa e zbrazët është kjo heshtje.

E di që është e vështirë edhe për të. Do e marrë malli për shtëpinë, siç më mori mua kur isha në moshën e tij. Një ekspert arsimi më ka thënë një herë, se një prej frikërave më të mëdha të studentëve në kolegj, është se nuk do të kenë një dhomë në shtëpinë e tyre kur të kthehen. Ata duan të mbajnë një këmbë në jetën e tyre të mëparshme.

Lexo po ashtu:  Pse shpesh jemi shumë të mirë me të huajt, sesa me njerëzit e dashur?

Por megjithë respektin për ndjenjat e tim biri, unë po e përjetoj më keq. Unë di diçka që ai nuk e di – nuk është tamam një sekret, por është e pakuptueshme për të rinjtë. Ai po përjeton përshtatjet që shoqërojnë zakonisht fillimet. Jeta e tij po fillon realisht. Unë kam filluar dorëzimin e gjatë. E thënë ndryshe: Ai ka një të ardhme të mrekullueshme, në të cilën roli im zbehet natyrshëm. Unë nuk kam ndonjë të ardhme, e cila të mund të jetë më e mirë pa atë pranë meje.

Eshtë e kotë të rri e të mërzitem për këtë gjë. Jam i sigurt që im atë e pati kuptuar në një moment të ngjashëm. Dhe sigurisht, unë as nuk e vura re dhe as nuk e ndjeva bashkë me të. Në fillim, ai ishte një gjigand që më mbante dorën dhe më mbushte qiellin. Më pas, një burrë në moshë të mesme që më paguante faturat. Tani, disa dekada pasi ka ikur nga kjo jetë, një hije shumë e dashur. Por më kujtohet hera e fundit që e përqafova në oborrin e shtëpisë së tij, atje ku gjithmonë e kisha një dhomë. Eshtë një kujtim ngrohtësie. Shpresoj që ti lë tim biri, të njëjtën gjë.

Prindërimi ofron shumë mësime për durimin dhe sakrificën. Por, në fund është një leksion në përunjësi. Gjëja më e mirë e jetës tënde, është një skenë e vockël në historinë e dikujt tjetër. Dhe mjafton.

Lexo po ashtu:  Pse çiftet e sotme ndahen kaq shpejt, 3 arsyet kryesore që çojnë në fundin e një martese

Sigurisht, fundi i fëmijërisë mund të jetë fillimi i marrëdhënieve prej të rriturish, mes prindërve dhe fëmijëve, marrëdhënie që janë shpërblyese në mënyrën e tyre. Unë mezi pres të bëhem miq me djemtë e mi të rritur. Por kjo nuk i ka ndalur lotët e zakonshëm, dhe të kotë. Më kishte paralajmëruar një miku im, një personazh shumë i pushtetshëm në Uashington, kur më tregoi se kishte mbetur për javë të tëra i dobësuar emocionalisht, pasi kishte dërguar vajzën në kolegj për herë të parë. Kështu që, edhe mua më falet një farë periudhe i zhytur në mërzi.

Kozmologët, me gjithë shpjegimet e tyre depresionuese mbi valën e nxehtësisë që do të sjellë vdekjen e kozmosit, ofrojnë një farë ngushëllimi. Ata thonë se ne jetojmë në dritaren më të shkurtër – një fraksion i një fraksioni të hapësirës së paimagjinueshme të kohës – gjatë të cilës është e mundur që jeta të ekzistojë. Kështu që, ne jetojmë në një çast të çmuar të jetës së universit.

18 vite është një dritare që u mbyll shumë shpejt. Por, biri im, ato ditë kanë qenë mrekullia dhe privilegji më i madh i jetës sime. Dhe për ty, do të ketë gjithmonë një dhomë. / The Washington Post/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *