Lufta e Vlorës, 1920. Shqiptarët luftojnë dhëmb për dhëmb, kundër italianëve. Populli i këndon kështu trimave:

Në vitin nëntqindnjëzetë,
Selami ç’i mblodhi djemtë,
djemtë çi mblodhi Selami,
o djem se iku vatani.

Osmëni ç’i hipi kalit
ç’e mori buzën e malit,
seç i foli gjeneralit,
“Dil sterresë jo limanit,
të shoç të zot e vatanit
Bijtë e Smail Qemalit.”

Në Beun seç u mbëlodhë
dymbëdhjetë komisjonë,
Selam Labin e kërkojnë
-Ti Selam do shkosh në Vlorë,
Komandant mbi tre taborrë.
-Do vete do ja bëj forrë.

Ç’është kështu që dëgjojmë,
vaj me det o Vlora jonë,
italianët po zbarkojnë,
me pampor e me ballonë,
jo mor jo nuk e durojmë.
Ngrihi shokë të sulmojmë,
Vlorën tonë ta çlirojmë.

Se shqipëtarët errinë,
Gjorm janë e poshtë po vinë,
Osmëni me dyzet mijë.
Osmëni po bje fuqinë,
Vlora do fitojë lirinë.

Mblidhi o Dukat mblidhi,
nga vate Hodo Zeqiri.
Sonte natën është hyxhymi,
bashkë mbi Vlorën të bini,
të hidhet në det katili,
se Sazani është i yni.

Lexo po ashtu:  1921 / Rezoluta e Komitetit Qendror të Lidhjes për të Drejtat e Njeriut drejtuar Lidhjes së Kombeve që të merrte përgjegjësitë e saj për të mbojtur Shqipërinë. Falenderimi i Mit’hat Frashërit !

Evropa shkruajnë e thonë,
çështë kështu që dëgjojmë,
bëhet dyfek në Vlorë,
shqipëtarët po luftojnë,
me një mbret dyzet miljonë.
Po me se luftojnë vallë?
Me sëpatë me hanxharë,
dyfeqet lidhur me gjalmë,
fishekët në xhep i mbajnë.

Me katërqind komita,
bëre poshtë nga Babica,
e zure topin nga gryka,
italianët nga frika,
u trembnë sa u ra pika.
Tepelenë pse vajtoni,
Selam Musanë kërkoni,
trim’n e mirë mos e harroni.

***

Selam Musai lindi më 1860, në fshatin Salarì të Tepelenës, nga një familje me tradita patriotike. Udhëheqës i kryengritjeve në Vlorë dhe ra heroikisht për çlirimin e saj.

Nuk ishte i arsimuar, por ishte një patriot i lindur, një shqiptar i pabindur ndaj qeveritarëve turq. Mbasi u rekrutua ushtar, kaloi 5 vjet në Jemen, ku mori dhe titullin Agë. Më pas, shtëpia dhe stani i Selam Salarisë ishin shndërruar në qendra të rëndësishme për çetat patriotike dhe pjesëtar i çetës së Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos.

Në 1911 mori pjesë aktive në veprimtarinë patriotike të çetave që lëvizën kundë trupave turke e më pas, kundër andarteve greke. Më 1912 i përgjigjet thirrjes së Qeverisë së Vlorës dhe në krye të çetave të Labërisë, shkoi të mbronte Jugun e Shqipërisë nga forcat greke, ku edhe u plagos. Trimëria e shqiptarëve do të çudiste kolonelin Tomson, që komandonte forcat e rregullta shqiptare. Në Hormovë, lufta do të ishte e rëndë, Selam Musai do të plagosej. Bilbil Zekua nga Hormova, do ta shpëtonte nga vdekja duke rrezikuar jetën e tij. Andartët grekë do të masakronin në 29 prill 1914, më shumë se 200 burra nga Hormova, në një kishë. Pjesa më e madhe e Labërisë, do të shpërngulej. Ky kalvar do të zgjaste deri më 1920, vit në të cilin Selam Musai do të luante një rol të rëndësishëm.

Lexo po ashtu:  Video e rrallë: UÇK-ja duke varrosur ushtarët pushtues serbë të vrarë në Koshare

Më 192-ën, bëhet anëtar i Mbrojtjes Kombëtare me kryetar Osman Haxhiun, të ngritur në krahinën e Tepelenës, në Baçardha u mblodhën prijësat e Labërisë, më 23 maj 1920 dhe u vendos t’i dërgohej ultimatum italianëve, për dorëzimin e Vlorës. Kur rreziku u bë i madh, në fshatrat dhe qytetin e Vlorës, Selam Musai udhëhoqi fshatarët e Labërisë kundër forcave okupuese italiane me garnizonin e Kotës, Drashovicës, Kaninës e rrethinave të Vlorës. Në luftë, u shqua aftësia e tij udhëheqëse dhe trimëria e tij, në luftimet që shkuan deri në trup më trup në “Qafë të Koçiut”.

Dha jetën për çlirimin e vendit më 12 qershor 1920 dhe u bë simbol i patriotizmit, vendosmërisë dhe heroizmit popullor të Labërisë e mbarë Shqipërisë. Heroizmin e Selam Salarisë, populli e përjeton me këngë: “Ç’e zure topin nga gryka, lule more Selam lule” shkruar nga muziktari i famshëm i kohës Bilbil Vlora, i cili e regjistroi rreth viteve 1926-1928, pranë shtëpisë diskografike “Columbia”, ndërsa më 1953 regjistrohet pranë Radio-Tiranës, nga djali i Bilbil Vlorës, Ajdar Bilbil Ceno, duke ndryshuar dhe disa vargje – version ky, që do të dëgjohet në mbarë kombin. Përsa i përket anës institucionale, Presidiumi i kuvendit popullor e deklaroi “Hero i Popullit”.

Lexo po ashtu:  Pakti Hitler-Stalin, 80 vjet mё parё

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *