Kjo është një pjesë nga poezia e madhe e të madhit Lasgush Poradeci e titulluar Ekskursioni teologjik i Sokratit. Sokrati vendos t’i vizitojë kryeshtetasin, kryegjyqtarin, kryepriftin dhe, në fund, bujkun e paditur. Ai ka vetëm një pyetje për ta,

Thuajmë, dua ta di,
thuajma: në zemër ç’ke
në beson më Perëndi,
në beson më Zot e fe?

Përmes figurës së Sokratit Poradeci nxjerr në dritë hipokrizinë e pushtetarëve, gjyqtarëve dhe prijësve fetar. Këtu po sjell vetëm përgjigjen e kryegjyqtarit, por në thelb të gjitha përgjigjet janë të njëjta:

Unë, o Sokrat i madh,
unë që, o miku i em,
rri mes popullit në Tempull
si mes berrave një dem.

Unë nuk besoj që ka
shumë zotër a një zot,
po për sy e faqe shtirem
që lus Zeusin kot më kot.

Shtirem kot, që, besimtarët,
të besojnë se besoj:
kështu popullin besonjës
dredhërisht un’ e mashtroj.

E mashtroj, që, me mashtrim,
populli të më besojë:
fronin, si Kryegjyqtar,
besërisht të ma forcojë.

Sa për zot – në dreq! Në djall!
Zotërit s’paskan mbaruar?
Kështu dhelpërohem unë,
në Fron tim për të qëndruar.

Lexo po ashtu:  DASH: Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në Qeveri

Kështu bën çdo perandor,
kryeshtetasi symvrejtur,
mbretërit dhe kryegjyqtarët
që u beson populli i rrejtur.

Ne e dijmë, se, një ditë
popujt do të na kuptojnë,
perandor, kryegjyqtar,
krejt do të na gllabërojnë.

Sot, për sot, gjejmë pa bëjmë,
gjersa të na vijë fundi,
gjersa populli i sqaruar
të na tundi e të na shkundi.

Popujt janë endé pa shkollë,
janë endé – po janë shumë,
prandaj, dhe për ne, do vijë
ah, more Sokrat, ky lumë…

Gjer ahere… gjer ahere…
le të bëhet baltë e shi:
bëj, Kryegjyqtar, rrëmujë!
Bëj rrëmujë e batërdi!

Fjalës së Kryegjyqtarit
filozofi i vuri veshin,
i kuptoi kryegjyqtarët
se me shtet e popull qeshin.

Me shtet e me Zot e popull
kryetari i Gjyqit qesh,
qesh me popullin e rrejtur,
quan popullin sylesh.

Doli shpejt Sokrati i madh,
prej Pallatit Gjyqësor
dhe ironisht u përshëndet
me Gjyqtarin dhelpëror.

Iu përfal filozofisht
u tërhoq pastaj mënjanë
konstatoi si adhurohen
zotërit ku janë e s’janë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *