Ne mundesh…

Në mundesh të ruash arsyen

Kur bota e humbet fillin

E fajin ta hedhin, e vetes t’i besosh

Sa here për ty dyshojnë, e s’të përfillin

Por dhe dyshimet drejtë t’i gjykosh.

Në mundesh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur

E kur të urrejnë, urrejtje të mos ushqesh

Madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur

Me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundesh të mendosh, por jo gjer në shkatërrim

Të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh

E të trajtosh njëlloj e pa dallim

Ngadhënjim e shpartallim, burim mashtrimesh.

Në durofsh dot që thëniet e tua të drejta

Në kurthe për trutharët, kopukët do t’i kthejnë,

Të thyejnë gjërat më të shtrenjta, e prapë t’i ndërtosh

Me vegla pune që nuk vlejnë!

Në mundesh, fitoret qe ke korrur, t’i flijosh

Si në kumar, në një të vetme lojë

Të rrezikosh, të humbësh, e prapë te fillosh

Dhe humbjet kurrë të mos i zësh me gojë!

Në i detyrofsh dot muskul, nerv, dhe puls e zemër

Lexo po ashtu:  Qytetet më të pasura në botë për vitin 2023!

Të të shërbejnë edhe kur gjithçka të duket e kotë

E të qëndrosh, kur s’ka asgjë veç vullnetit,

Që veç një fjalë, ‘qëndro’ gjithnjë të thotë.

Në mundesh të flasësh me maskarenjtë

Por nderin tënd ta ruash

E të ecësh përkrah mbretit pa krenarinë që të verbon

Nëse armiku ose miku s’të bëjnë dot të vuash

Dhe gjithçka në e çmon, përveç sa e meriton.

Në mundesh të mbushësh ti minutat,

Aq të rënda, me vepra që peshojnë,

Dije, dhe mos ki asnjë dyshim

E jotja do jetë bota me ç’ka brenda

Dhe burrë do jesh, o biri im….

Rudyard Kipling