Kjo historia që shqiptarët i kanë gjenet e forta, ndaj nuk i zë koronavirusi, na shtyn të besojmë që në dejet tona, diç legjendare duhet të rrjedhë qysh nga kohët kur Qielli u nda nga Toka.

Si për ta bërë të besueshme këtë, i pari i vendit e shiti dhënien e dorës ndaj një arkitekti italian si shenjë që prijësi i legjndarëve është kaq trim sa ta jep edhe dorën.

Pak rëndësi ka që të njëjta gjene janë molepsur në Itali, Greqi, Maqedoninë e Veriut, rëndësi ka që në vendin e shqipeve Korona nuk shfaqet. Më ndjeni, e kemi njëfarësoj, por vetëm në formën e grupit “Corona” me këngën “Do vij, do vij”.

Por, shqiptarët nuk e kanë treguar veten veç sot që janë racë e pastër dhe e lartë. Kështu, në kohën e gjermanit u krijua Batalioni “Skanderbeg”. Sipas historianit Shaban Sinani, arianët e Malësisë erdhën morën armët dhe në darkë ia mbathën për në shtëpi, por të veshur sërish me opinga sepse këpucët ushtarake nuk ua kënaqnin këmbën.

Lexo po ashtu:  A do të lejohet të kandidojë në zgjedhje? Më 22 janar jepet vendimi për Albin Kurtin

Pasardhësit e këtyre arianëve mësynë anijet për Itali, kaptuan malet në Greqi. Në fillim shuajtën urinë dhe pastaj shtruan kurrizin të nxirrnin bukën e gojës. Kur e kapën disi veten, një pjesë u mor me drogë, mish të bardhë, një pjesë votoi Salvinin, do të tjerë panë punën e tyre. Ata që mbetën këtu me shumicë, janë nisur prapë për në Perëndim ku zënë kampe refugjatësh dhe capërlohen me thika me afganët, meqë nuk ua mban t’i gafurren sundimtarit prijës.

Të tjerëve që lëshojnë ende hije këndejza, u ka rënë për hise ta mbajnë lart shpirtin revolucionar për të mos i qasur Koronavirusin dhe sirianët.

Koronavirusi nuk afrohet, sepse sillemi si ajo kënga e mirënjohur: “Ne jemi eskimezë, s’çajmë by… nga të ftohtit!”, kurse thjesht sirianët nuk i duam. Nuk i honepsim dot, sepse do na e bëjnë kaki këtë racë të bukur, të lartë iliro-pellazge-hyjnore që pjell vetëm njerëz që kërkojnë prosperitet duke vrarë gratë në shtëpi, vjedhur, dhunuar shtetin, sunduar të skamnorin.

Lexo po ashtu:  Bulevardin e 2 marsit e mbushi Rama, jo Meta

Në këtë ditë halli kurrë nuk na ka pse na duhet siriani, ani se shoku im i mirë po me emrin Arian ka një vit që nuk po gjen dot një kamerier për restorantin e tij.

Siriani që mendohet se do na pushtojë rrugët, do na vjedhë shtëpitë, do na shkepi racën, në mënyrë që të na e bëjë kaki është ende duke ngrënë plumba plastikë e të vërtetë jo më në shtëpinë e tij, por në kufirin greko-turk. Me gjasë dikush e ka rrejt’ kur i ka thënë që në Ballkan janë ca bij shqipesh që mikpritjen e kanë të shenjtë, të cilët megjithëse ishin në shumicë myslimanë, mbajtën hebrenjtë dhe kanë një fjalë: “Bukë e kripë e zemër”.

Ku ta di siriani i ngratë, rrjepacak, pis, i ulët, jo i lartë si ne, arianët xhumaxhuxhë që na vë sundimtari në rresht, sa herë t’i teket, që ne nuk i duam sirianët, madje po vëmë kujën, sepse jemi popull i pastër, i përzgjedhur.

Unë po të isha sirian, gjallë në botë se do vija këndej, por fati i keq ta sjell ndonjëherë rrugën andej nga s’e pret, andej ku zhelakët të grabisin zhelet. /27/

Lexo po ashtu:  Nga Rubini dhe Klintoni e deri tek Grenelli, dhe prapambetja e politikanëve kosovarë që nga koha e UNMIK-ut

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *