Agim Agushi, rekordmeni botëror i shumë sporteve, më 28 Nëntor në Vlorë

Erdhi në Vlorë në ditëfestën e Flamurit dhe Pavarësisë si pjesë e axhendës kulturore të bashkisë së Vlorës për festat e Nëntorit.
Arlinda Tepelena, punonjëse e Bashkisë Vlorë, njëkohësisht koordinatore e aktiviteteve kulturore të Bashkisë më tha se ishte një rekordmen sportesh nga Kosova që dëshironte të bëhej pjesë e aktiviteteve dhe më kërkoi për ta akomoduar e trajtuar si pjesë e folkloristëve të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare.


U kujdesa për të me shumë dëshirë por personalisht as munda ta takoj e as ta ndjek në performancat e tij.
Në ditën e 28 nëntorit në Vlorë kishte aq shumë veprimtari sa e pa mundur ti përcillje të gjitha…
Me Agimin patëm folur vetëm në telefon dhe siç thashë nuk mundëm të takohemi nga afër por një falenderim që më dërgoi përmes telefonit më bëri të pyes se si e kaloi në Vlorë.
Menjëherë më dërgoi foto e video të shumta nga performancat e tij në rrugët e sheshet e qytetit e sidomos në mjediset pranë Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Skelë.

Nuk është faji i Agimit që performancat e këtij rekormeni të madh nuk arritën të krijojnë shikueshmërinë e duhur si dhe atë që ky mjeshtër i xhonglimit të topit të futbollit, meritonte.
Performancat individuale e kanë përherë riskun me vehte kur aktivitetet masive e të zhurmshme mbizotërojnë në të njejtën kohë.

Lexo po ashtu:  Koronavirusi dhe ditari i një mësueseje!

Gjithsesi Agim Agushi e bëri të vetën, atë objektiv që i pati vendosur vehtes e për të cilin mori rrugën drejt Vlorës e realizoi.

Pikërish aty në hyrjen e Muzeut Pavarësia, shtëpisë ku Ismail Qemali nisi punën me qeverinë e sapo krijuar në atë nëntor të 1912-tës, theu rekordin Guinness të xhveshjes nga trupi të fanelave duke xhongluar njëkohësishtë topin me kokë.
Plot 28 fanela (bluza pambuku) të veshura një mbi një i xhveshi në ditën e Flamurit, në 28 Nëntor, në Vlorë.

26 ishte rekordi i mëparshëm. (Për të kuptuar më mirë këto që po them ju ftoj të ndiqni videon që shoqëron këtë status e që Agimi ma dërgoi prej Kosove).
Një simbolikë e bukur kjo e ndodhur pikërisht në Vlorë, pranë Muzeut të Pavarësisë, në ditën kur kjo Pavarësi mbushi plot 113 vjet.


Po kush është Agim Agushi, ky mjeshtër që erdhi në Vlorë pa zhurmë e bujë, bëri atë që e kishte dedikuar për këtë ditë dhe u kthye përsëri nga kishte ardhur.
Ka lindur në Smirë të Vitisë në 17 janar 1970. Është profesor i lëndës së matematikës në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti, në qytetin me histori trashëgimie e trimërie, aty në krahimën e Anamoravës e Kardadakut.

Lexo po ashtu:  Letra e nënës për fëmijët…

Pikërisht në këtë vendbanim të Kosovës është zbuluar në vitin 1988 një artefakt i rëndësishëm arkeologjik i emërtuar Labirinti Rrethor i Smirës Dardane, 2400 vjeçare, një gur mermeri ky që paraqet përfytyrimin dardan të ciklit të jetës dhe rendit kozmik.
Ky gur tani ndodhen në Muzeun e Kosovës ndërkohë që imazhi është i stampuar në Pasaportën e Kosovës, në logon e kombëtares së futbollit, në disa vula institucionesh etj.
Agimi prej vitit 2000 ka nisur të merret me sfidimin e rekordeve botërore të kategorisë Guinness.
Po mbush plot çerek shekulli që ushtron këtë aktivitet ku deri tani ka arritur të realizojë 16 rekorde Guinness dhe 20 rekorde botërore.
Rekorde të shënuara në disiplina të ndryshme sportive por që të përbashkët kanë xhonglimin me topin e futbollit.

Ecje duke ngjitur shkallët në ndërtesën 100 katëshe “Princes Toëer’, në Dubai, ecje duke ngjitur shkallët me ecje për së prapthi në një hapësirë kohore 1 orë 32 min, ecje në rrugë duke xhongluar topin në një distancë 15 km e 356 m, xhonglim ulur, pa lëvizur për 4 orë e 2 min , ecje ngjitje e zbritje shkallësh në ndërtesën me 65 , “Mese Turm”, Frankurt; ngjitje të 5304 shkallëve në kohën 1 orë e 37 min, ecje mbrapsht në gjatësi 4 km e 320 m etj.

Lexo po ashtu:  4 shenja që ju tregojnë se jeni gati për të thënë ‘Të dua’

Dhe të mos harrijmë se këto rekorde i ka thyer në qytete e shtete të ndryshme të botës si në Dubai, Stamboll, Minhen, Frankfurt, Berlin, Zagreb, Nyon, Antalia, Selanik, Venecia, e shumë vende të tjera, pa përmendur Prishtinën e Tiranën, duke realizuar kështu një promocion të jashtëzakonshëm për Kosovën e kombin e vet shqiptar.
Gati të pa besueshme por janë të gjitha të filmuara, të dokumentuara e çertifikuara,
Agim Agushi në 28 Nëntor 2025 realizoi një record të ri Ginness dhe një record botëror, ndërkohë që i pari do të çertifikohet në Londër ndërsa i dyti nga kubi i Rekordeve Botërore Saxonian në Laipcing të Gjermanisë.

Agim Agushi ishte dhe performoi në Vlorë në ditën e madhe të 113 vjetorit të Pavarësisë jo thjeshtë si një “pikë” e axhendës kulturore të bashkisë së Vlorës por duke e kthyer atë në një simbolikë të bukur e të veçantë për ta patur qytetin historik të Flamurit, Vlorën e Ismail Qemalit, si pjesë të rekordeve të tij botërore.
Faleminderit për ç’ka na dhurove në këtë 28 Nëntor, Profi Agim Agushi, Vlora të është mirënjohëse dhe falenderuese me zemër!

Sejmen Gjokoli
“Mjeshtër i Madh”- Vlorë; 29.11.2025

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com