Shkruan: Edita Mekuli
/Profesoreshë e gjuhës gjermane dhe përkthyese në Oslo/
Derisa tentimet për ta poshtëruar Sarandën dhe të gjitha gratë e dhunuara në luftë janë “mission impossible”, aq edhe më tragjike është dhënia e hapësirës publike në pak duar të të çmendurve, si dhe lejimi i tyre për të shprehur opinione rreth temave sociale, për të cilat u mungon kapaciteti intelektual. Forma më fatale e çmendurisë që ka eksistuar ndonjëherë në opinionin shqiptar është kjo: kur nga dështimet për ti marrë votat e qytetarëve këta gënjeshtarë fillojnë ti përgojojnë edhe gratë e dhunuara nga serbët dhe tallen med fatkeqësinë e atyre që humbën antarët e families në luftë; kur këta dështakë gjykojnë jo vetëm viktimat e luftës por edhe aftësitë e tyre mbinatyrore për të dëshmuar krimet e luftës midis Beogradit.
Dhe a dini çka? Sot, pas 26 vjetëve, ende trajtohen gra e burra shqiptarë nëpër Evropë për traumat që i kanë përjetuar në luftë. Kam përkthyer për dhjetëra prej tyre si në Gjermani ashtu edhe në Norvegji, dhe mund të dëshmoj se janë trajtuar me kujdesin më të madh njerëzor nga psikiatër, psikologë dhe institucionet shtetërore.
Ndërsa në vendlindje këta pseudogazetarë të pavlerë, i kalojnë të gjitha kufijtë e turpit. «I paskan hupë teshat në luftë» thote njëri, duke piskatë e duke u qaravesh, duke menduar qe po bënë «show» e që edhe emrin më vjen gërdi të ia përmend.
Dhe a dini çka? Tërë kjo përbuzje publike, tërë kjo dramë, tërë kjo histeri, tërë ky fatalitet nuk është rastësi. Të gjitha këto mundësohen nga oligarkët jointelegjentë, që përveq parave të fituara me dallavere dhe egoizmit ekstrem, nuk posedojnë asgjë dhe bash asgjë tjetër.
Tash pyes: Me çka jeni të zëna, ju feministe, ju organizata të grave, ju artiste, ju ish, e tashti edhe presidente, që po heshtni? Nuk është nevoja që vetëm disa burra të mirë të marrin iniciativën për të reaguar kundër këtyre mjeranave që po e kontaminojnë opinionin publik.