Zbulimi i “Botës së Re” nga Kristofor Kolombi në vitin 1492, i hapi rrugën një epoke të dominimit spanjoll mbi gjithë Evropën. Duke u shtrirë nga Luiziana tek Xhorxhia e Jugut e sotme në SHBA, zotërimet spanjolle jashtë vendit e bënë atë perandorinë më të pasur.

Duke pasur në krye shtëpinë e fuqishme monarkike të Habsburgëve, që sundonte gjithashtu edhe Perandorinë e Shenjtë Romake, Spanja ishte udhëheqësja de fakto e Evropës. Ndërkohë Spanja e sotme mund të cilësohet me te drejtë si “e sëmura” e Bashkimit Evropian. Me një normë rritjeje ekonomike shumë poshtë mesatares së unionit, është e drejtë të ngrihet pyetja: Çfarë e shkaktoi rënien e njërës prej perandorive më të mëdha që ka parë historia?

Spanja ishte në kulmin e fuqisë së saj nën sundimin e Karlit I dhe Filipit II. Në kohën e tyre, buxheti i Spanjës do të zgjerohet në një madhësi të paimagjinueshme. Ari që vinte nga Bota e Re, dhe më konkretisht Amerika e Jugut, depozitohej direkt në kryeqytet, duke e bërë perandorinë një nga më të pasurat në Evropë.

Më vonë në mbretërimin e Filipit, ajo do të trashëgonte gjithashtu Portugalinë, e cila e zgjeroi më tej shtrirjen koloniale të Perandorisë Spanjolle, si dhe zotërimet e saj në Evropë. Ndërsa Spanja e arriti epokën e saj të artë, po kështu ndodhi edhe me Perandorinë Osmane në anën tjetër të Evropës.

Dhe ky u bë një problem i madh, pasi mbretit të Spanjës i jepet tradicionalisht titulli i Monarkut Katolik nga Papa. Kjo do të thoshte se monarku i Spanjës ishte përgjegjës për mbrojtjen e Spanjës por edhe të Krishterimit brenda Evropës.

Ekspansioni i osmanëve në Ballkan e shtoi shumë presionin ndaj spanjollëve. Duke mos e zmbrapsur dot perandorinë myslimane, Spanja do të humbiste prestigjin dhe legjitimitetin, pasi në atë kohë të gjithë në Perëndim prisnin që Spanja të mbronte të gjithë të krishterët.

Lexo po ashtu:  Safete Juka, historia dhe guximi i një dijetareje shqiptare të klasit të parë, zbuloi librin e tmerrit të intelektualit hebre nga Vjena, Leo Freundlich

Por sprapsja e fuqisë më të fuqishme myslimane në lindje nuk do të ishte e lehtë. U formua një Lidhje e Shenjtë për të luftuar kundër agresorit lindor, dhe për të garantuar sigurinë për kombet më të vogla të Mesdheut. Një nga përpjekjet e dukshme të Lidhjes ishte Beteja e Lepantos, ku Marina e Lidhjes së Shenjtë dhe ajo osmane luftuan se kush do të kontrollonte Mesdheun.

Duke e parë Marinën Osmane si kërcënimin më të madh për të krishterët në Mesdhe, u mor vendimi për asgjësimin e saj njëherë e përgjithmonë. Ndonëse beteja përfundoi me një fitore të Lidhjes së Shenjtë, Armada Spanjolle dhe pjesa tjetër e marinës dolën të dëmtuar rëndë nga ajo përballje ushtarake.

Për të riparuar dëmet, paratë duhej të dilnin nga thesari spanjoll. Ndërkohë edhe Reformimi Protestant e vuri në rrezik prestigjin e monarkut katolik. Lëvizja shkaktoi fillimin e Luftërave Fetare të Evropës dhe kryesisht Luftës Tridhjetëvjeçare (1618-1648).

Një problem i madh me të cilin do të përballej Spanja si rezultat i këtyre luftërave, ishin trazirat që shpërthyen në zotërimet e saj në Evropën Veriore. Në rajonin e Holandës, Reformimi pati shumë ndikim, gjë që e zgjeroi ndarjen tashmë të dukshme midis nënshtetasve dhe sundimtarit të tyre në rajon.

Trazirat në rajon ishin gjithnjë të pranishme. Për 80 vjet, populli i rajonit të Holandës bëri fushatë për pavarësi nga kurora spanjolle përmes revoltave dhe kryengritjeve. Në fund, perandoria vendosi se nuk ia vlente ta mbante nën kontroll një territor tashmë të paqëndrueshëm dhe e njohu pavarësinë e Holandës në vitin 1648.

Lexo po ashtu:  Pse turqit i quajnë shqiptaret Arnaut?

Ndërkohë me një konkurrente të re si Franca, si në tregti ashtu edhe në kolonizim, nisi të dukej sikur Epoka e Artë e perandorisë spanjolle kishte marrë fund. Por lajmi i keq nuk u ndal me kaq. Jo shumë kohë pas pavarësisë së Holandës, Luigji XIV pa mundësinë për ta vendosur Francën në krye të politikës evropiane.

Duke e rrënuar Spanjën, mbreti francez do të fitonte titullin e monarkut kryesor të Evropës, dhe me një Spanjë të dobët, kjo ishte koha e duhur për të goditur. Si një zgjatimi i Luftës 30-vjeçare, Lufta Franko-Spanjolle (1635-1659), do të përfundonte me Betejën e Dunave (1658) ku ushtria spanjolle do të shkatërrohej nga ajo franceze.

Traktati i Pirenejve garantoi rolin e Francës si udhëheqëse e Evropës, ndërsa Spanja kaloi në vendin e dytë. Traktati pati pasoja shumë të rënda territoriale për Spanjën, me humbjen e Flandrës spanjolle dhe një pjesë të madhe të Katalonjës së Veriut, që i kaluan Francës.

Shumë historianë e shohin Traktatin e Pirenejve si fundin e Epokës së Artë spanjolle. Por sigurisht që ndikuan edhe faktorë të tjerë. Mes tyre destabiliteti brenda Gadishullit Iberik dhe trazirat që shkaktoi ai. Ato do të arrinin kulmin gjatë mbretërimit të Karlit II. Pas vdekjes së Filipit IV më 17 shtator 1665, djali i tij Karli II i njohur ndryshe si Karli i Magjepsur, trashëgoi fronin spanjoll në moshën 3-vjeçare.

Lexo po ashtu:  Kur lindën teoritë e para të komplotit?

Duke qenë një fëmijë i dinastisë Habsburge, Karli ishte produkt i një linje të gjatë marrëdhëniesh inçestuale. Kjo bëri që ai të ishte jopjellor dhe me disa deformime fizike, për shkak të të cilave do të merrte pseudonimin “I magjepsuri”. Nga lindja dhe deri në vdekje, Karli do të ushtronte një pushtet minimal mbi mbretërinë e tij.

Ai sëmurej shumë shpesh, gjë që do të thoshte se ishin pjesëtarët e oborrit ata që e sundonin më shumë mbretërinë. Dhe siç mund të pritej, kjo gjë shkaktoi konflikte brenda fisnikërisë për shkak të mungesës së një figure përbashkuese.

“Gozhda” në “arkivolin” e Perandorisë Spanjolle do të ishte vdekja e Karlit II. Duke qenë se ishte infertil, ai nuk la pas asnjë fëmijë si trashëgimtar të mundshëm. Ndaj emëroi si pasues Filipin e Anzhuit, nipin e Luigjit XIV, mbretit të Francës. Filipi i ri kishte pretendime për fronin francez dhe atë spanjoll.

Por asnjë vend nuk do të lejonte krijimin e një bashkimi të tillë. Prandaj nisi Lufta për Trashëgiminë e fronit Spanjoll (1701-1714). Ajo do të përfundonte me marrjen e fronit spanjoll nga Filipi dhe lëshime të mëtejshme territoriale ndaj Francës, Austrisë dhe Britanisë.

Edhe pse ende e fuqishme, Spanja nuk do të dukej njëlloj si pas zbulimit të Botës së Re nga Kolombi. Nga një fuqi botërore në një fuqi rajonale, udhëtimi i Spanjës nëpër histori është tregues i natyrës së shumicës së perandorive. Asnjë perandori nuk mund të ekzistojë përgjithmonë, dhe Perandoria Spanjolle është një nga rastet tipike. / HIstory of Yesterday – Bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *